MENU
klinika

Ju rrëfej vëllezërit e mi...

“Një ëndërr e zhdukur nuk përsëritet”

09.11.2019 - 08:58

        Njeriu që e shkon jetën me ëndrra të pëlqyera ka frikë të zgjohet. Dëshira që vendi lë lulëzojë të bën pak nga pak të ëndërrosh se lulëzon, dhe largimi i gjatë të këllet ca më thelle në gjumë dhe ta shpie shpirtin dhe mendjen në një botë të bukur, e cila s’ka trup dhe s’ndodhet gjëkundi, veçse në tru të ëndërronjësit. Po le të marrë fund gjumi dhe menjëherë e sheh veten të rrethuar me gjëra të shëmtuara. Të do zemëra të futesh përsëri në gjumë e të kthehesh në botën e lulëzuar nga e cila sapo dole: po më kot! një ëndërr e zhdukur nuk përsëritet.

Kjo pikërisht më ngjau nja gjashtëmbëdhjetë vjet më parë. I kisha bërë Shqipërisë ca shërbime, dhe dija se këto shërbime ishin të njohura, në mos të çmuara. U ngrita, pra dhe shkova në Shqipëri, i bindur se do të gjeja një botë aq të pëlqyer e të hijshme, sa ajo që u kisha përshkruar të huajve. Zgjimi qe i tmerrshëm – dhe qesharak. Pas disa muajsh shëtitjeje në mes turinjsh të thartuar e të parruar, një mëngjes të Vjeshtës së Tretë 1913 mora në Durrës një biletë “resmi” të çuditshme, dhe kjo biletë, e shkruar turqisht e një stil xhandari, më urdhëronte, “Të thyesh qafën e të shkosh me vaporin që niset sot për në Brindisi, se s’kemi nevojë këtu për njerëz si ty.” (Xhandarët do të ishin habitur shumë, sikur t’u kisha thënë që isha fare në një mendje me ta dhe që i jipja plotësisht të drejtë kur thoshin se s’kishin nevojë për mua. Duke qenë se ata dhe unë rrojmë në dy botë shpirtërore të ndara me miliunë male dhe dete, njëra nga tjetra, – ç’nevojë mund të kishin ata nga unë ose unë nga ata?)…

 

Të tilla plagë s’shërohen plotësisht kurrë dhe, në qoftë se mbyllen, lënë përjetë një shenjë në shpirt të njeriut. Po kanë dhe një të mirë: bëhen një mësim për të pastajmen, – dhe ky mësim e bën njerinë më të fortë e më të zotin të durojë të tallurat e fatit. Kur vjeshtën e kaluar, pesëmbëdhjet vjet pas ngjarjes qesharake dhe të mallëngjyer me xhandarët e Durrësit, u bë e duhur që të vete për një vizitë në Shqipëri, nuk isha i dehur me asnjë ëndërr; isha esëll, – esëll së gjithash. Në qytet të bukur të Barit, kisha në listën e ngjarjeve të mundura që prisja dhe këto: të më dalë përpara, ose ca më pas me një kobure në dorë ndonjë idealist me dhëmbë të palarë, ose nonjë student i hedhur nga Kindergarten-i në Universitet duke harruar të shkojë nga shkolla fillore dhe nga e mesmja dhe, në këtë “hop” aq të gjerë, duke qëndruar disa vjet në një tryezë kafeneje që të çlodhet e të nxejë më të shumët letra të alfabetit. Trimi i panjohur humbi këtu një rast të rrallë të shpëtojë mëmëdhenë ose të dy dherat bashkë, e me atë mënyrë të mbetet i pavdekur në histori. Hyra në anijen me avull (së cilës i thonë gabelçe “avullani”); dhe pasi u ndava prej kryekonsullit Mark Kodheli, zyrtar i gjallë e i zot dhe burrë me njerëzi të rrallë, i cili pati mirësinë të më përcjellë dhe u lashë shëndet zotit Kosturi, të birit të dëshmorit kombëtar Spiro Kosturi, i cili është sekretar i tretë me Legatën e Parisit dhe bashkë me të shoqen kish ardhur gjer në Bari me ca plaçka për pallatin, hyra në odën e bukur e të gjerë që kisha zënë, u spastrova, dhe zbrita te ha një “spaghetti alla marinara” të çuditshëm.

Në anijen me avull u ndodha me shkronjësin e Konsullatës sonë në Bari. Para se të njihem me të, qëndroja pak i mvrojtur dhe i ftohtë, se më shkoi nër mend mos ish nonjë “student” ose nonjë “idealist”, po pasi vërtetova tërthori se dinte të këndojë e të shkruajë, dhe shumë më tepër se të shkruajë e të këndojë, kuptova se ai nuk ish as “idealist” as “student”. Se shenja e parë që e shquan “studentin” ose “idealistin”, shqipëtar është që ky ose nuk di fare alfabetin, ose ka nxënë vetëm një pjesë të tij, – më të shumët herë ka arritur gjer në letrën Gg dhe këtu ka ngecur. Letra Gg do të jetë vështirë për të “nxënë”, – qenka si jë mur i fortë kundër të cilit duhet përmbledhur artileria më e rëndë e trurit për të çarë udhë më tutje.

Dolla me shkronjësin e konsullatës të shëtitim jashtë; dhe era e pastër e Adriatikut më pruri si një parëshie të erës së Shqipërisë. Po ç’ndryshim i madh me udhëtimin tim pesëmbëdhjet vjet më parë! Më 1913, kur një aije me avull më shpinte në Shqipëri gjithë nëpër këtë det, zemra më qëllonte dhe gjaku më valonte nga gëzimi. I çdehur një herë e mirë, sot shkoj në Shqipëri as me enthuziazmë, as me frikë; i gatitur për çdo ngjarje. Dhe kur vajta rashë në shtrat, më zuri gjumi menjëherë, një gjumë i paturbulluar nga ëndrra, i cili u zgjat gjer në të gdhirët. Me të zgjuar, u lava, u rojta, u vesha, dhe dolla të shijoj për së largu dukjen romatike të Durrësit me kullat e Kohës Mesme që zbukurojnë posi gurë të çmuar në një brez prej ari. Kullat? Ku janë kullat? Anija sa vete po afrohet, hyri në liman, shtiri hekur: po kullat s’duken. Pyeta një oficer të anijes. Cili qytet është ky? – Durrësi, u përgjigj oficeri. –  Durrësi? thash unë. Jini i sigurt? mos lajthiteni?  – S’ka lajthim, është Durrësi, përsëriti – duke nënqeshur oficeri. Ashtu kuptova se në të vërtetë kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen njëfarë urrejtje kundër bukurisë. Dëgjova më vonë se, nga të tetë kullat e çuditshme që i jipnin Durrësit një madhështi të veçantë, dy u prishnë në kohë të luftës (për këtë s’kanë faj shqiptarët), po tri të tjera i rrëzoi dhe i fshiu një kryeplak i qytetit, dhe të tri të fundi që kanë mbetur, janë fshehur nga dukja prej ca binave të ra që u goditnë rreth e rrotull. Siç transit gloria Dyrrhachii…

I mallëngjyer po jo i habitur, hyra në kabinë dhe përmblodha ca plaçka dhe vogëlira në të vetmen valize që kisha hapur, dhe ndeza një cigare, – kur një të qëlluar në derë, më bëri të ngrihem e ta hap. Një grup zotërinjsh, për të cilët njoha fytyrat e buzëqeshura të dy a tre miqve të vjetër, më përshëndeshnë me fisnikëri.

 

Faik Konica – “Shqipëria si m’u duk”, 1924

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shqipëria në testamentin e Konicës

“Ti Imzot Noli dhe ti Lamja i vogël”

... e hollë e gjatë si në piktyrë të Botticelli-t"

“Dit’ e verës çkrin dimëri qaset Vera buzëqeshur

Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit