MENU
klinika

Të jemi të njerëzishëm me viktimat e përdhunimit

Nobelisti i Paqes vlerëson dhunën në Kosovë

11.11.2019 - 14:55

     Për herë të parë, laureati i Nobelit për Paqe, Denis Mukwege, ka vizituar dje Kosovën, së bashku me dy të mbijetuara të dhunës seksuale, njëra nga Sudani, e tjetra nga Iraku, për të marrë pjesë në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës. Ditën e sotme, nobelisti ka mbajtur fjalën e rastit, ku mes të tjerash ai ka prekur çështjet më të nxehta të shoqërive të dhunuara.

Nobelisti Mukwege, në fillim të fjalës së tij ka treguar dëshirën e tij, për ta parë nga  afër Kosovën.

“Prej kohësh të gjatë kam dashur të vij këtu në Kosovë, për t’u takuar dhe për të diskutuar më të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe torturave tjera të kryera gjatë luftës që shkatërroi Kosovën, gjatë viteve 98-99, por gjithsesi, për t’u frymëzuar nga nismat që janë ndërmarrë nga institucionet e shtetit dhe shoqëria civile gjatë asaj kohe”.

Nobelisti Mukwege ka vazhduar fjalën, duke e shpjeguar më në detaje përdhunimin si strategji lufte.

“Përdhunimi i luftës nuk duhet të ngatërrohet me një akt seksual pa pëlqim dhe poshtërues, nuk dua aspak të minimizojë seriozitetin dhe pasojat e këtyre përdhunimeve, përdhunimi i kryer me dhunë ekstreme në kohë konflikti është një mohim i njerëzimit. I mohon tjetrit karakterin njerëzor, është një raport i dominimit ku tjetri konsiderohet si një send të cilin mund ta trajtojmë si të dëshirojmë. Përdhunimi si një strategji lufte e mohon cilësimin e viktimës si qenie njerëzore, por gjithashtu synon shkatërrimin e gruas, kur e shkatërron gruan që është matricë e jetës dhe komunitetit, atëherë edhe komuniteti në tërësi mund të thuhet se shkatërrohet. Nuk përballemi me këtë rast, vetëm me një krizë të thjesht humanitare, por kur vendosim të shkatërrojmë matricën e jetës atëherë ne përballemi me shkatërrimin e njerëzimit. Përgjegjësia jonë e përbashkët dhe puna që bëjmë që njëzet vite ka për qëllim t’i përgjigjet me humanitet kësaj drame”.

Ai ka folur edhe për abuzimin dhe përdhunimin seksual edhe në vendin e tij dhe për gjërat që i përbashkojnë të dhunuarit pavarësisht identiteteve të tyre kombëtare apo të tjera.

“Zonja dhe zotërinj, kur kemi filluar të kujdesemi për gjeneratën e dytë të viktimave, konflikti tek ne ekziston për më shumë se 25 vite, kështu ju mund të kuptoni që tek vajzat e reja të lindura nga përdhunimi dhe nga vetë të dhunuarat tani apo gjatë fëmijërisë së tyre, kuptuam se veprimi nuk mund të kufizohej në riparimin e pasojave të dhunës dhe atëherë filluam të avokojmë për barazi gjinore, për drejtësi dhe për paqe, pasi që nëse e kemi këtë konsideratë që gratë janë të barabarta me meshkujt, me burrat, nëse e kemi nocionin e drejtësisë dhe e ndërtojmë paqen atëherë gratë mund të jetojnë në paqe. Ky avokim natyrisht ka filluar në vendin tim por duke pasur parasysh ngjashmërinë e vuajtjeve të përjetuara në gjithë botën, përpjekjet tona janë zgjeruar për të përfshirë të gjithë viktimat e dhunës seksuale në kohë konflikti. Në të vërtetë kudo që shkojmë të takojmë gra dhe vajza por edhe burra që janë abuzuar seksualisht gjejmë të njëjte gjuhë, të njëjtën shkatërrim në raport me ato akte, dhe që personi mbetet i gjallë por pavarësisht se mbetet i gjallë nuk është më në jetë. Gratë më thonë kur më kanë dhunuar është sikur më kanë vrarë, dhe disa herë kam dëgjuar, kam parë, në zyre të qendrës për rehabilitim kam takuar një grua e cila më ka thënë se kur më kanë dhunuar më është dukur sikur e kam humbur trupin tim”.

Nobelisti vijoi, duke thënë se reparacioni financiar është i padobishëm nëse paraprakisht viktimat nuk marrin trajtim psiko-social.

“Nuk mund t’i jepen reparacione një femre e cila është e ndarë, është e shkatërruar. Nëse ju i jepni mijëra dollarë, ajo mund t’i hedhë, nuk di se si t’i shfrytëzojë. Nuk mund t’i jepet reparacion një femrës e cila është fizikisht e paaftë të marrë vetën përsipër, këto janë disa të holla që nuk do të shfrytëzohen si duhet. Kështu duhet që njëherë tu japim shërbime fizike, psikologjike, të ia kthejmë atë aftësi dhe atëherë duhet të ju japim drejtësi, atëherë sigurisht se reparacioni do të jetë një goditje dhe do të jetë sigurisht një shtyrje për komunitetin kosovar”.

Më pas, ai ka treguar edhe për përvojën e tij në nivel ndërkombëtar në rrafshin e politikës, gjithmonë duke e vërë theksin te nevoja për eliminimin e diskriminimeve gjinore dhe seksuale dhe për vendosjen e sigurisë dhe paqes kudo.

“Zonja dhe zotërinj miq e mbrojtës të të Drejtave të Njeriut, ne duhet të pranojmë se që prej çmimit Nobel vijat po lëvizin në rrafshet tjera. Desha të ndaj me juve faktin se Samiti I G7 në Bijaric në Gushtin e kaluar ka theksuar barazinë gjinore dhe dhunën seksuale në konflikt dhe e kisha nderin të bashkë kryesoj Këshillin Konsultativ për barazinë gjinore. Me personalitete të ndryshme të përkushtuar për të drejtat e grave kemi identifikuar 79 masa legjislative përparimtare të miratuara nga ligjvënësit nga të gjitha kontinentet dhe kemi propozuar një pako legjislativ të orientuar në katër akse që synojnë: 1) T’i jepet fund dhunës në baza gjinore, 2) Të sigurojë të drejtën për arsim dhe shëndet për të gjithë, 3) të promovojë fuqizimin ekonomik të grave dhe 4) Të sigurojë barazinë e plotë në mes burrave dhe grave në politikat publike. Dhe këtu dua të insistojë në nivelin e G7, dëshirojmë që të gjitha vendet të rishikojnë ligjet e tyre që të evitojnë gratë të jenë të përjashtuara. Krerët e shteteve janë zotuar në Bijaric në takimin e G7 të zbatojnë rekomandimet tona dhe në mes tjerash duke inkuadruar në sistemin e tyre kombëtar së paku një ligj progresiv për të drejtat e grave deri në G7-shin e ardhshëm dhe duke eliminuar ligjet që i diskriminojnë ato. Fatkeqësisht edhe në nivel të G7-isht ka ligjet që diskriminojnë gratë”.

Ai ka thënë se lufta për të drejtat e grave është tashmë gjendet në agjendën ndërkombëtare.

“Mund të pranojmë se lufta për dinjitetin e grave tashmë është në agjendën ndërkombëtare dhe çështja e dhunës seksuale në kohë konflikti më në fund është duke fituar vizibilitet në media dhe në opinionin publik. Ky vetëdijesim global është i domosdoshëm sepse për ta luftuar një problem para se gjithash duhet që ky problem të njihet. Nuk ka qenë kështu në të kaluarën ashtu që mund të themi që është një ndryshim i rëndësishëm dhe domethënës”.

Tutje, Nobleisti Denis Mukwege, ka përmendur edhe Vasfije Krasniqi Goodman të cilën e vlerësoi për guximin e saj dhe luftë për drejtësi.

“Krijimi i një rrjeti global të të mbijetuarave është konsoliduar në një kontekst ku gjithnjë e më shumë gratë po e thyejnë heshtjen dhe po e denoncojnë përdhunimin, dhunën seksuale dhe abuzimin në baza gjinore dhe më lejoni të përshëndes këtu angazhimin e zonjës Vasfije e cila është këtu prezente dhe e ka guximin që të flas këtu në Kosovë por edhe në të gjithë botën siç thash edhe më herët kur gratë e marrin guximin që të flasin ato nuk flasin vetëm për veten por ato flasin edhe për gratë në Afrikë, për gratë në Azi, gratë e Amerikës, flasin për gratë në përgjithësi dhe është një rast që të njohim guximin dhe ta përshëndesim guximin e saj për të luftuar për drejtësi dhe kundër stigmës”.

Mukwege, tha se “turpi duhet të peshojë mbi supet e autorëve”, teksa ka kërkuar që të merr fund klima e pandëshkueshmerisë së autorëve të dhunës seksuale në kohë lufte.

“Jemi me gjithë zemër me ju zonja të nderuar, kjo është me një rëndësi të madhe pasi që turpi duhet të peshojë mbi supet e autorëve. Është kruciale që të thyhet heshtja, këtë armë absolute që përdoret nga xhelatët e cila ka mbizotëruar shumë gjatë në fushën e dhunës seksuale në kohë lufteje por edhe në kohë paqeje. Shpresojmë se do t’i jepet fund klimës së pandëshkueshmërisë e cila mbizotëroi tepër gjatë në fushën e krimeve seksuale. Kjo është thelbësore pasi që drejtësia është një mjet i rëndësishëm për ta parandaluar dhunën seksuale por edhe për t’i dhënë fund procesit të gjatë të shërimit të viktimave. Shërimi total i viktimave bëhet kur drejtësia e njeh statusin e viktimës, kur drejtësia thotë se nuk është faji juaj por i xhelatit, duhet të luftojmë që drejtësia të bëhet”.

Nobelisti përmendi edhe një prani të meshkujve në sallë dhe me këtë rast, ai bëri thirrje për eliminimin e mendësisë patriarkale.

“Zonja dhe zotërinj, dhuna seksuale nuk njeh pengesë sociale apo kulturore, nuk ka barriera mes vendeve, ajo ka të bëjë me të gjithë ne. Dhe tani çështja është që t’i angazhojmë burrat në këtë luftë për barazi dhe dinjitet njerëzor dhe jam shumë i lumtur që të shoh që e kemi një sallë mikse sepse jam i mësuar që të bëjë fjalime me salla të mbushura më shumë me gra dhe këtu jam shumë i lumtur që të shoh që ka edhe meshkuj, ka burra që shtohen dhe i bëj thirrje burrave që të çlirohen nga patriarkati dhe burrëria e tyre toksike, të mobilizohen përkrah grave në interes të të gjithëve, të një besimi në të ardhmen dhe në natyrën njerëzore, çlirimi i fjalës i të mbijetuarve e përçon turpin dhe stigmën të xhelatit dhe sfidon rendin patriarkal”.

Nobelisti, Denis Mukwege, e përfundoi fjalimin e tij me një frymë motivuese dhe shpresëdhënëse.

Nuk ka fatalitet, rruga ekziston për të ndërtuar një shoqëri më të mirë dhe më të drejtë duke promovuar përmbushjen personale të të gjithëve ku gratë gëzojnë të njëjtat të drejta sikurse burrat. Të mobilizohemi, burra dhe gra në një frymë solidariteti, bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellët në shkallë individuale dhe kolektive, lokale dhe globale për të ndërtuar një botë më të mirë pa dhunë seksuale. Kjo ëndërr është e mundur dhe secili nga ne mund të kontribuojë ta shndërrojë këtë ëndërr në realitet, ju faleminderit”.