MENU
klinika

Tensionet dhe bilanci

Përplasje, bomba molotov dhe të lënduar, gjithçka u pa sot në Astir

12.11.2019 - 14:09

Ora 15:33/ “E degraduar”/ Bashkia e Tiranës përplaset me Vetëvendosjen

Bashkia e Tiranës shprehet se është “thellësisht e keqardhur për degradimin e rëndë në të cilin ka përfunduar Lëvizja Vetëvendosja dega Tiranë, e cila sot ndërhyri në punët e brendshme të qytetit për një projekt lokal, por jetik për kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve”.

Institucioni në fjalë shkruan se Unaza e Madhe është projekt 30 vjeçar, nuk i shërben qeverisë, por ndërtohet për të mirën e qytetarëve të saj, që kërkojnë të venë në punë, shkolla e spitale të pa penguar me muaj të tërë nga një grup dhunuesish.

“Bashkia e Tiranës e cilëson deklaratën e Lëvizjes Vetëvendosje si të pakuptimtë, dashakeqe dhe të nxituar. Për këtë arsye, përfitojmë nga rasti të informojmë edhe Lëvizjen Vetëvendosja mëmë, se familjet që preken nga projekti i Unazës së Madhe dhe që kanë ndërtuar pa leje, ndër vite, në gjurmë të saj, po trajtohen me përparësi sipas ligjeve shqiptare në fuqi, shumica prej të cilëve janë dëmshpërblyer, madje shumë prej tyre i kanë marrë tashmë paratë e dëmshpërblimit në llogaritë e tyre bankare. Kurse, aktivistët, të cilëve kjo lëvizje iu referohet, janë të njëjtët aktivistë bllokues e sherrxhinj që janë përpjekur me të njëjtin zell të bllokojnë çdo punë të mirë në Tiranë, duke nisur që nga këndi i lodrave të Liqeni, Sheshi Skënderbej, Pazari i Ri, Bulevardi i Ri etj., e për më tepër nuk janë as banorë të zonës së Astirit.

Ne dimë se Vetëvendosja është votuar të qeverisë Kosovën dhe jo të bëjë djalin e Fahriut apo suflerin e Orjolës në Tiranë. Nëse Vetëvendosja kërkon të marrë votat e një PD-je të degraduar, kjo nuk bëhet duke e imituar atë, por duke treguar se bën tjetër lloj politike! Kurse sa për dhunën shtetërore ndaj dhunuesve të policisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës s’ka mbështetur dhe as ka ndërmend të mbështesë ndonjëherë ata që mund të sulmojnë policinë me gurë e me shishe në Kosovë për llogari të shkelësve të ligjit kur Albini të jetë në detyrë. Por, ka detyrë t’ia thotë publikisht kryeministrit në ardhje të Kosovës se Tirana është shtëpia e çdo shqiptari, jo shesh për përsheshet e atyre shqiptarëve që shkelin ligjin apo atyre që frymëzojnë dhe mbështesin shkelësit e ligjit, në Shqipëri, në Kosovë apo kudoqofshin në globin tokësor!

Bashkia e Tiranës është shpresëplotë se Lëvizja Vetëvendosja në Kosovë, pas deklaratës së pakuptimtë që bëri sot, do të jetë e aftë të reflektojë dhe të tregojë pjekuri për degët e saj, që me sa duket fatkeqësisht i kanë dalë jashtë kontrollit. Në të kundërt, nuk ka kuptim që kryetarët e VV vijnë rregullisht në Tiranë për të marrë përvoja, kur dega e tyre lokale saboton dhe degradon këtë raport të krijuar prej vitesh në mirëbesim mes Qytetit të Tiranës e VV Kosovë!” – thuhet në reagim.

  • Reagimi i Vetëvendosjes

Dhuna sistemike mori sot formën e dhunës direkte te Astiri

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri ka ndjekur me shumë shqetësim të gjitha ngjarjet që janë zhvilluar mëngjesin e sotëm në zonën e “Astirit” pranë “Unazës së Re” në Tiranë, ku qytetarët kanë muaj që protestojnë pas skandaleve të një projekti korruptiv infrastrukturor me kompaninë “DH Albania”.

Siç është raportuar edhe nga mediat, rreth 13 persona, qytetarë dhe pjesëtarë të Policisë, janë lënduar gjatë aksionit të sotëm të Policisë dhe po marrin shërbim pranë spitalit Universitar të Traumës. Sakaq, mediat kanë raportuar gjithashtu se rreth 10 protestues të tjerë janë arrestuar, mes tyre edhe pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci, e disa edhe janë keqtrajtuar gjatë arrestimit.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri bën thirrje së pari për ndaljen e të gjitha veprimeve nga ana e organeve shtetërore që mund ta tensionojnë situatën edhe më tej duke shkaktuar lëndime dhe viktima.

Korrupsioni, skandalet, parregullsitë dhe standardet e dyfishta e kanë karakterizuar të gjithë procesin e projektit të “Unazës së Re”. Një shtet i së drejtës nuk ndërtohet përmes një pushteti arbitrar me dhunë strukturore e direkte ndaj qytetarëve. Çështja e pronave në zonën e “Astirit” duhet të zgjidhet duke përdorur një standard të drejtë e të barabartë për të gjithë qytetarët.

Shpresojmë në shërimin sa më të shpejtë të të gjithë të lënduarve, qytetarëve protestues dhe pjesëtarëve të Policisë, dhe kërkojmë lirimin e protestuesëve që po mbahen të arrestuar padrejtësisht.

Ora 15:03/ ‘130 milionë lekë tallje?’/ Braçe i kthehet ashpër Bashës

Zv. kryeministri Erion Braçe ka reaguar pas deklaratave të liderit demokrat Lulzim Basha i cili tha se banorët e Astirit nuk janë dëmshpërblyer për banesat e tyre.

Braçe tha se vetëm për 8 objekte në lotin e parë janë paguar 148 milionë lekë dhe 360 milionë lekë për 15 objekte të tjera.

Zv. kryeministri ka publikuar edhe deklaratën e një banore të Astirit, e cila thotë se ka marrë 130 milionë lekë dëmshpërblim.

“130 milion leke tallje? 10 milion dollarë tallje?

A i dini numrat apo jo? Vetem per 8 objekte ne Lot 1 jane paguar e marre: 148 MILION LEKE/1.2 MILION DOLLARE

Per 15 objekte te tjera tek Loti i 1 jane ndare parate e jane gati: 360 MILION LEKE/3.4 MILION DOLLARE!

Bejini vete llogarite! Kjo vec tallje nuk mund te jete!

Ky LYLZIM BASHA qe eshte parelli i madh shume, patjeter, tua paguaje nje shtepi sac shtepia e luksit ne bllokun e vilave ku merr fryme! Por nga leket e tija ama, nga leket e tij!”, tha Braçe.

***

Ora 13:08/ 6 orë me vonesë, Basha kujtohet për ‘Astirin’

Nga spitali i Traumës, ku vizitoi nga afër 7 banorët që ngelën të plagosur pas përplasjes me policinë tek Astiri, ku IKMT aktualisht po shemb disa ndërtime, Lulzim Basha paralajmëron kryeministrin Edi Rama.

Kryedemokrati Lulzim Basha ka mbërritur në spitalin e Traumës në kryeqytet ku po viziton banorët e Astirit të lënduar gjatë tensioneve të krijuar mëngjesin e sotëm.

Por ndonëse kishte premtuar se do të ishte pranë tyre, lideri demokrat ka munguar mëngjesin e sotëm krah banorëve të Astirit edhe pse ishte njoftuar se do niste aksioni për shembjen e banesave të tyre.

Krah kryedemokratit janë parë edhe ish-deputetët e PD, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Jorida Tabaku.

Në një deklaratë për mediat, kryetari i PD-së tha se të gjithë përgjegjësit për dhunën e ushtruar sot ndaj banorëve të Unazës do të përballen me ligjin, duke nisur nga kryeministri Rama deri tek kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Do t’i bëj thirrje qytetarëve e cdo punonjësi të ndershëm të policisë të mos bjerë pre e skenarit që synon të zhvendosë lajmin nga vjeshja e miliona eurove, te dhuna e banorëve të unazës. Jeta është e çmuar dhe do bëjmë gjithcka për të mbrojtur jetën e banorëve tanë.

Kemi një zotim politik me shkrim, cdo centimetër katror i pronës së tyre do të kompensohet me vlerën e tregut me ardhjen e PD-së në pushtet. Asnjë qindarkë nuk do të humbasë, cdo centimetër katror edhe i atyre të përjashtuara në mënyrë kriminale do kompensohen me vlerën e tregut.

Të gjithë ata të përfshirë në këtë akt kriminal, shtarazak do të përgjigjen deri në aktin e fundit. Dita nuk do të vonojë kur ata do të marrin dënimin e merituar nga ligji.

Opozita është e ka qënë në krah të banorëve të Astirit. ka qënë dhe është me ta, pa asnjë privilegj pa asnjë mandat. Opozita është njësh me qytetarët për të mbrojtur ligjin dhe kushtetën interesin publik, jo vetëm shtëpitë e tyre.” – tha Basha, në një prononcim për mediat nga spitali i Traumës.

***

Ora 12:23/ Në rrugë, pa shtëpi… më në fund vjen reagimi i Avokatit të Popullit

Në lidhje me situatën në zonën e Astriti, ka reaguar edhe Avokati i Popullit, i cili thotë se prej një muaji ka dërguar në Kuvend një raport të veçantë mbi çështjen e Astirit dhe ende është në pritje të përgjigjes.

Institucioni i Avokatit të Popullit bën thirrje për vetëpërmbajtje, maturi, si dhe për garantimin e plotë të të drejtës së Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut për të kryer detyrën e tyre.

Gjithashtu, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e autoriteteve shtetërore që të mënjanojnë konfliktin me qytetarët.

“Të mos zbatojnë politikën e faktit të kryer e të mos e tejkalojnë me anë të zellit të pajustifikuar detyrën e tyre, sidomos në kushtet kur çështja për të cilën ka lindur ky konflikt nuk është sqaruar.

Respektimi i të drejtës qoftë edhe të një qytetari të vetëm duhet të jetë në bazamentin e një shteti demokratik pasi nuk mund të ketë interes madhor e të mirë kolektive, të themeluar mbi dhunimin e dikujt tjetër”, thuhet në reagim.

Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrjen autoriteteve të tjera vendase dhe ndërkombëtare që të ndërhyjnë sa më parë për qetësimin e situatës.

***

Ora 11:39/ Ish-deputetja shpalli të vdekur, reagon qeveritari: PD kërkonte viktima

Zv.ministri i Mbrojtjes, njëherësh zv.sekretar i PS për për Bashkëqeverisjen e Aleancat, Petro Koçi ka reaguar pas deklaratës së ish deputetes së PD Oriola Pampuri se një nga banorët protestues të Astirit ka humbur jetën.

Ndërsa spitali përgënjeshtroi këtë fakt, duke publikuar dhe foton e banorit që po merrte ndihmë mjekësore dhe për fat nuk kishte as lëndime të mëdha, Koçi ka akuzuar PD se pikërisht të vdekur i do banorët e Astirit.

“Ish deputetja, duke shpallur te vdekur banorin, zbulon se pse i duhen PD-se banoret e Astirit! Kishim degjuar qe kerkohet mish per top.

Por PD kerkoka mish te vdekur per topin e vet politik.

Ka dhe hallin si te balancoje 4 viktimat e 21 Janarit.

Dashuri per pushtet, jo per popull!”, shkruan në rrjetin social Koçi.

***

Ora 11:10/ Unaza e Re/ Reagon ashpër Meta, dënon dhunën ndaj banorëve

Menjëherë pas situatës së krijuar ka reaguar edhe presidenti Meta, i cili dënoi ashpër dhunën e ditës së sotme, si dhe ka bërë thirrje për palët të ulen në dialog.

Thirrja e tij kësaj radhe shkon edhe për banorët, të cilëve u kërkon të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.

  • Reagimi i plotë i presidentit

“E papranueshme dhuna e përsëritur sot ndaj banorëve të Unazës së Re, të cilët protestojnë në mbrojtje të shtëpive dhe të pronave të tyre.

Arroganca përballë mjerimit dhe traumës që po u shkaktohet këtyre familjeve për muaj të tërë është e patolerueshme.

Banorët të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve dhe palët të ulen menjëherë në dialog.

U uroj shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve.”

***

Ora 11:08/ Klevis Balliu i përgjigjet akuzave: ja pse mungova te përleshja e Astirit

Klevis Balliu ka thënë se nuk do e harrojnë sakrificën e banorëve të “Astirit”. Ai tha se ata do dëmshpërblehen kur PD të vijë në pushtet. “Partia Demokratike në qeveri, po e theksoj se s’kemi ardhur për propagandë, këto shtëpi do të dëmshpërblehen me hir a me pahir.

Do vijmë në pushtet dhe do dëmshpërblehen, jua tha zoti Paloka, po jua them dhe unë. Iku koha kur nuk del përpara përgjegjësisë.

Ata që i kanë dhunuar do vihen përballë drejtësisë. Nuk do lejohet që të harrohet sakrifica ndaj tyre, dhuna ndaj tyre, gazi lotsjellës, arrestimi, dhunimi, këmbët e thyer, krahët e thyer, mushkëritë e dëmtuara nga gazi lotsjellës.

Nuk do lejohet të harrohet dhe ne në qeveri do të merremi me atë punë, që çke me atë punë. Shembulli i atyre banorëve është për t’u ndjekur. Qëndruan së bashku dhe fituan sëbashku.

Kjo që shihni aty shembet sot nesër ndërtohet prapë, kurse ajo që kanë bërë këta banorë nuk do harrohet kurrë. Kjo qeveri nesër s’do jetë dhe këta banorë do fitojnë të drejtën dhe paratë që do ua japë qeveria. E shihni atë godinën atje? Pse nuk filluan ta shembin atje? Atje do bëhen kullat e Veliajt, njeriu që në mëngjes u puth dorën fëmijëve dhe në mbrëmje u arreston babanë.

Kanë urrejtje ndaj banorëve që u çorën maskën. Nuk e harrojmë këtë. Ta harrojnë që do e kalojnë kaq lehtë këtë situatë.”, tha Balliu.

Balliu iu përgjigj edhe pyetjeve se përse përfaqësues të opozitës nuk u gjendën në rreshtin e parë kur nisi përplasja mes banorëve dhe forcave të policisë.

Ai tha se në momentin kur ka marrë vesh se ka filluar një përplasje është nisur menjëherë, por i janë dashur 35 minuta për të mbërritur në zonën e cila ishte kudo e rrethuar dhe e bllokuar nga forcat e policisë.

“Po opozita këtu është. Në momentin e përplasjes kur kanë ardhur ata mua më duhen 35 minuta të vij këtu. Opozita ka një vit e 6 ditë këtu që rri përditë. Deputetë të opozitës janë arrestuar këtu.

Tani ju pyesni ku është deputeti. Deputeti këtu ka qenë dhe këtu është. Kushdo që ka dyshime është në të drejtën e tij sepse iu justifikoj gjithçka këtyre banorëve sepse jemi në borxh si shqiptarë, me sakrificën e tyre që kanë bërë në një vit, sepse me të vërtetë mund ta kenë për shtëpitë, por fakti është se ata u ngritën kundër padrejtësisë.

Fakti është se ata u ngritën kundër korrupsionit, korrupsioni ju prek ju, televizionin tuaj, çdo televizion tjetër, çdo qytetar tjetër, edhe taksistin, edhe shefin e taksistit, edhe policin, edhe ministrin, prek gjithë Shqipërinë korrupsioni. Këta u ngritën kundër korrupsionit.

Tani ju thashë, Edmond Spaho dhe Andon Frrokaj kanë qenë këtu që në orën 06:20, sepse rruga ishte e bllokuar.

Jemi futur bashkë me zotin Noka nga ana tjetër e karburantit, ku rruga ishte e bllokuar me policë dhe me milicë. Gjithçka kemi mundësi do e bëjmë. Këtu është çështja çfarë do të bëjmë të gjithë. Të gjithë qytetarët shqiptarë të mbështesin njëri tjetrin dhe fitojmë.

Dje e kishte bregu i Lumit, sot e kanë banorët e Unazës. Të mbështesim njëri-tjetrin. Prandaj opozita kërkon për zgjidhjen e kësaj situate zgjedhjet. T’i rikthejnë sovranit pushtetin, nëse e merr ta marrë pushtetin. “, u përgjigj ish-deputeti i PD-së.

***

Ora 11:07/ Fotot/ Pamjet nga përleshja tek Unaza e Re

Policia ka sqaruar se banorët kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe bomba moltov punonjësit e Policisë, të cilit ishin planizuar me shërbim.

Si pasojë e sulmit mbi Policinë janë plagosur 5 efektivë nga FNSH-ja, Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin ushtarak.

***

Ora 10:29/ Përplasja në Astir/ Shtohet numri i banorëve të plagosur

Pas shembjes së ndërtesave të para, situata është nxehur akoma më tepër duke rritur edhe numrin e të plagosurve.

Deri në orën 10.30 të paradites së sotme raportohej për 13 persona të lënduar, 8 protestues dhe 5 efektivë policie.

***

Ora 10:16/ Përkrahësit e opozitës akuzojnë Bashën: I latë në baltë banorët e Astirit

Në kulmin e operacionit të IKMT-së për prishjen e disa banesave në Unazën e Re, pikërisht në 1 vjetorin e protestës së një pjese banorësh, disa aktivistë të opozitës janë shprehur ashpër kundër liderëve të opozitës, që i akuzojnë për tradhti ndaj kauzës.

Në rrjete sociale por edhe në deklaratat e drejtpërsëdrejta të dhëna në televizionet informative, banorë të ndryshëm, por edhe aktivistë që i janë bashkëngjitur protestës akuzojnë Lulzim Bashën dhe krerët e PD-së se nuk u paraqitën në vendin e punës.

“Opozita dështoi në Parlament, tashmë edhe jashtë tij. Ndonëse të lajmëruar për situatën e sotme në Astir, u zhdukën si “sh*rra” e pulës. Klevis Balliu, ky “hero” i madh në kohë paqeje, humbi rrugën sa filloi terrori i policisë. Ku është barrikada që do bëhej? Thanë, “duhet kaluar mbi trupat tanë”, në fakt nuk po gjendeshin trupat e tyre, kishin humbur rrugen. U dhunuan dhe po dhunohen, burra, gra, femijë, të moshuar e gazetare femra Fjona Çela Denisa Mahmutaj, bashkë me operatorë, opozita ende s’ka gjetë rrugën. Kur opozita nuk mbron dot dhjetëra banorë, si mund të besohet për të marrë në dorë fatet e milionave të tillë?!”, shkruan Bekim Bici, një gazetar që ka përkrahur kauzën e banorëve të Astirit por edhe është shfaqur si përkrahës i opozitës.

Kjo është koha e burrave dhe jo e qaramanëve. Kërkohet rreshtim i qartë: o me popullin, o me banditët që qeverisin! Kush rri mbron banditët do duhet të largohet njësoj si ata. Pa asnjë mëdyshje!”, shkruan Ylli Manjani, ish-ministër i Drejtësisë si përfaqësues i LSI-së.

Andi Bejtja, ndërkaq sulmon ashpër ndërkombëtarët. “Pas pershendetjes neveritese qe Ambasada Amerikane dhe BE i bene emerimit ne dhunim te Kushtetutes te dy anetareve te Gjykates, nuk ka se si mos ndodhe dhe kjo dhune qe po shohim kete mengjes ndaj banoreve te Unazes se Re e shume shkelje te ligjit e dhunime te demokracise..Te Jeni te bindur keshtu do ndodhe dhe Teatrin apo me cdo gje korruptive sa here qe BE apo USA do mundohem te justifikojne leket e hedhura per reformen ne Drejtesi qe ne fakt po shkojne per kapjen e shtetit nga Kryeministri. SA krime po behen nen Emrin tend o Reforme ne Drejtesi….Me beri pershtypje zvarritja qe policia i beri aktivistit te njohur Ervin Goci i cili thjesht po monitoronte protesten e banoreve si aktivist…Nuk pres te flase njeri nga nderkombetaret, prandaj e dashur opozite nuk ke pse vazhdon me kot” Rrugetimin per Shqiperine”, por mer rrugen per te Unaza Re. ..”, shkruan Bejtja në faqen e tij në rrjetet sociale.

***

Ora 10:16/ Çaste dramatike/ Banorët hipin në një pallat 6-katësh

Banorët e Astirit, nuk hoqën dorë asnjë çast nga rezistenca e një viti të tërë, duke mbrojtur edhe sot banesat e tyre.

Disa banorë kanë hipur në një pallat 6-katësh në shenjë protestë për të kundërshtuar prishjen e këtij objekti.

Ndërkohë raporton për 12 persona të lënduar, 7 protestues dhe 5 efektivë policie.

Ndërsa rreth 15 persona që janë shoqëruar në polici, por ende nuk ka një njoftim zyrtar.

***

Ora 9:54/ Nis prishja e banesave, izolohet Unaza e Re

Rreth orës 10 të paradites ishte bllokuar përkohësisht lëvizja në të dy krahët e Unazës së re nga Policia Rrugore e Tiranës.

Kjo situatë vijoi deri në përfundim të aksionit të IKMT për shembjen e disa objekteve, që do t’i hapin rrugë projektit të ri.

Në njoftim, policia sqaron se ky devijim u bë për të shmangur rrezikun gjatë lëvizjes në këtë aks, ku po punohej me mjete të rënda.

Policia Rrugore kërkoi mirëkuptimin e gjithë qytetarëve, për çdo vështirësi që mund të hasnin gjatë bllokimit të përkohshëm.

***

Ora 9:43/ ‘Astiri’/ Veliaj-banorëve: Nëse ke marrë paratë, ndalo sabotimin!

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka reaguar pas nisjes së aksionit të IKMT për shembjen e objekteve në zonën e Astirit në kuadër të projektit për Unazën e Re.

“Nëse ke marre parate apo perqindje ne pallat, eshte e arsyeshme ta ndalosh sabotimin e Tiranes! Partite e ngritura mbi kulturen e zaptim-bllokimit ne pikiate!”, shkruan Veliaj.

***

Ora 9:30/ ‘Paralizohet’ Unaza e Re/ IKMT: Do të shemben 33 objekte!

Dita e sotme ishte afati i fundit për të liruar banesat, teksa banorët ishin njoftuar se rreth orës 4-5 të mëngjesit do të niste aksioni i prishjes së godinave, ata kanë kaluar natën jashtë duke paralajmëruar kështu rezistencë.

Ata kanë nisur të qëllojnë me gurë drejt forcave të Policisë të cilat, janë të pranishme për të garantuar punonjësit e IKMT që të vazhdojnë prishjen e banesave.

Policia e Shtetit ka përdorur edhe gaz lotsjellës për të shmangur incidentet, ndërsa ka shoqëruar 10 protestues, mes tyre edhe aktivistin Ervin Goci.

Nga tensionet e krijuara kanë mbetur të lënduar 4 punonjës policie dhe 6 banorë të cilët janë dërguar për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Më herët Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kishte njoftuar nisjen e aksionit për shembjen e 33 objekteve në zonën e Astirit.

IKMT njofton se janë shpronësuar 21, ndërsa të tjerat janë skualifikuar nga procesi i legalizimit.

“IKMT nis aksionin tek “Astir” Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur mëngjesin e sotëm prishjen e një sërë objektesh në zonën e “Astirit”, për projektin e Unazës së Madhe së kryeqytetit, Loti I. Janë 33 objekte që do të prishen, prej të cilave 21 janë shpronësuar, ndërsa të tjerat janë skualifikuar nga procesi i legalizimit. Objektet variojnë nga një deri në katër kate. IKMT mbështetet në këtë aksion nga policia e shtetit”, njofton IKMT.

***

Ora 8:42/ Tension dhe përplasje tek Astiri, hidhen gurë e gaz lotsjellës

Në një kohë kur sot IKMT ka nisur aksionin për shembjen e disa objekteve në këtë zonë, që preken nga ndërtimi i Unazës së Re, banorët kanë kundërshtuar.

Këta të fundit kanë bërë rezistencë, duke i goditur me gurë dhe sende të forta efektivët e policisë që ndodhen në vendngjarje.

Mësohet se nga përplasja e dhunshme, policia ka shoqëruar disa persona, ndërkohë që nuk ka ende një njoftim zyrtar mbi numrin e të shoqëruarve.

Nga disa pamje të siguruara nga LSA shihet se policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e njerëzve, ndërsa banorët i kanë vënë zjarrin dhe një tende.