MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Pjesëza kujtimesh me Andreottin

05.11.2019 - 16:49

A do ta fusin në burg, Presidentin?

Pyes sekretaren e tij të vjetër, e cila ka ardhur dhe po na begenis një ditë pëprara se të takojmë Andreottin. Hebreu Rafaelo, një nga miqtë e vjetër, që tani nuk është më, ka ndërmjetësuar këtë takim, që e quaj të çuditshëm. Marr me mend, se në procesin e pafundmë gjyqësor ku gjendet atij, i intereson një lloj dalje nga izolimi…

Mentori punon te Mejdani bashkë me Preçin. Unë kam një gazetë, që në atë kohë (në vitet ‘90- ‘97 janë pak) dhe duket hebreun plak e kanë rekomanduar…

U gëzova dhe i thashë që e takoj me dëshirë dhe e shoh si privilegj, po unë nuk kam para dhe duhet t’i paguani të gjitha vetë. Nga udhëtimi, sallë e koferencave ku do flasë ai, suplementi në italisht për gazetën, dreka me të ftuarit etj…

Këto nuk janë problem – thotë Rafaelo. Po Presidenti, ka një kusht… Ai do të shikojë në fytyrë, kush je. E ka huq… Dhe ja ku jam në hotel, duke pyetur sekretaren e vjetër të tij…

Ah – thotë ajo. Çfarë burgu flet… Ne po presim vetëm që ai të vdesë, sepse po e merr zvarrë Italinë. I ka rritur vetë shumicën, nga ushtarë deri në gjeneralë… Dhe ata nuk venë të raportojnë në shtet fillimisht, por tek ai, si ushtarë të vjetër që njohin dhe besojnë një general

Pason një heshtje varri… Më vonë, m’u kujtua ky fakt, kur në një koferencë me të në Pallatin Venecia më duket, pashë me gjysmë habie, kur disa nga ish-ministrat gati i puthnin dorën në shenjë respekti, sikur të ishte Perëndia e tyre.

Kujtimet për Senatorin, më vijnë tani së fundmi. Po ha bukë në një nga restorantet e Tiranës me Masimo D’Alemën, një nga ustallarët e mëdhenj të së majtës italiane, që ka ende infulencë në politikën e vendit, apo në krahun e të tijve.

E pyes dhe për shqiptarin e madh Enriko Kuçën që, në fakt, ka qeverisur më shumë se Andreotti dhe tërë klasa politike, për 50 vjet nga, paslufta e Dytë e deri në 2 000 italinë dhe ndoshta një pjesë të mirë të financave të Europës, a më shumë…

Ah – thotë D’Alema, që pi verë dhe është italian nga ata që mund t’i quash “Vero italiano”, sipas këngës së njohur…

Andreoti dhe Kuça në rrethet tona, quheshin “Të patrubulluarit”. Vërtet nuk trubulloheshin nga asgjë.

… E dëgjoj sekretaren dhe nuk e pyes më shumë. Të nesërmen e takojmë në zyrën e tij të vogël në Parlament. Vjen gjithnjë aty, me përpikmëri absolute. Në orën 6:00 të mëngjesit, më thanë shkonte me përpikmëri, gati çdo ditë, në kishë. Linte takime ndonjëherë edhe në këtë orë, madje dhe në 1 janar…

Kur zyra hapet dhe e hap ai vetë, më shikojnë një palë sy, që në jetën time nuk i kam parë më. Janë gati sy alieni… Më krijohet përshtypja, që do na përzinte me edukatë që pas tri minutash, pa na e thënë shprehjen:

“Mirë, djema… Tani… çapni e punoni token”.

Po ndjenjëm mbi tri orë dhe incizuam thuajse fshehurazi dhe një tip interviste të mrekullueshme, që e kam botuar diku te “Dita informacion” e dikurshme.

Nuk e pyeta unë më shumë, për shkak të italishtes time mjerane, të mësuar ato dy a tri javë në ecje sipër, kur ia mbatha si refugjat për të zënë Gjermaninë. Po dy pyetje të vogla, ishin nga ato që më mbeten edhe sot ndër mend dhe i sjell  ndonjëherë dhe nëpër shkrime.

Një, kish lidhje me FMN… Plaku u përgjigj thjesht:

E mirë duket FMN, por i ngjan doktorit që, sido që ta ketë sëmundjen njeriu, të jep të njëjtin lloj ilaçi… Ca  më mirë t’i rrish larg, po munde… Jam për filozofi tjetër…

Kur isha deputet i ri pas lufte në Siçili, u thashë të mos merreshin me ca amerikanë që ndërtuan një fabrikë, për shkak se nuk paguanin taksa. U thashë të shfrytëzonin diellin, detin e ullinjtë që kishin. Nuk më dëgjuan… Amerikanët e hoqën fabrikën, kur u vunë taksat dhe ia mbathën gjëkundi tjetër.  Dhe në Siçili vuajnë akoma…

Po klasës politike, si t’ia bëjmë? Në thelb e pyeta, a e kish njohur Ramiz Alinë.

Ai u përgjigj indirekt, siç vura që e bënte shpesh në raste të tilla…

Një bankë a parlament e bën për 24 orë, e po ashtu edhe një bankë. Një klasë politike, do shumë e shumë kohë ta bësh…

Plaku erdhi dhe në aeroport e pritëm mirë. Ishte Dritëroi, Meta etj.  E pritën ndryshe nga Gorbaçovin, që kur erdhi në Tiranë e prita unë me një mik… Megjithëse kishte thyer komunizmin dhe i kisha njoftuar autoritetet…

Andreotti u kënaq nga pritja aty. Rafaelo, ashtu si shakarazi, i tregoi që kisha shkruar në italisht, në suplementin e gazetës, nja dhjetë rreshta editorial, që në thelb ishte mendimi im për të, për aq sa kuptoja.

Për mua, mishëronte edhe Tajlerandin edhe Fushenë. Të parin, se e kish bërë Italinë njëfarë dispeçerie (term jo shumë i goditur ky, gjithsesi) midis Europës dhe Amerikës. Apo mund të thuash që luante rolin e Titos, midis Rusisë dhe Amerikës, më mirë. Të dytën e lidhja me faktin, se i kish falur arkivit të Republikës, rreth 650 m2 shkrime të bëra me dorë, të karakterit personal. Mendoja se hynte te njerëzit që e kishin adaptuar Universin, sipas shijeve personale dhe për këtë arsye nuk do të kishte pasardhës…

Plaku, nuk foli për çfarë kisha shkruar. Ndoshta më kishte kujtuar gjatë vizitës, si ndonjë tip mecenati, ngaqë dhe fola shumë pak, po papritur, më pyeti me zë të ulur në tavolinën e presidiumit ku ishim të dy në krah, gjatë konferencës në të cilën ishte gjithë trupi diplomatik… Në fakt, mungonte vetëm Fatos Nano… sepse kish ndjenjën e turpit ta takonte një të akuzuar. U kënaqa, se takimi ishte me siglën për 5-vjetorin e gazetës sime dhe 1-Vjetorin e marrëveshjes së ’97-ës… ku kisha luajtur nga pak rol.

Kush je ti?

Një ku e di unë, ja ashtu si biçim gazetari i improvizuar… Më gëzon ardhja jote, po më shumë pleqtë e mij të varfër që mendojnë, se, i biri është në rrugë të mirë e që rri me njerëz të lartë…

Plaku, nuk foli. Pastaj, aty nga mesi i fjalës që mbajti në koferencë, filloi të shpotiste amerikanët. – Ja tha  – U vërvitën ta qëronin Arafatin. Unë e pranova. Dhe në Romë, kam ndërtuar një nga xhamitë e mëdha të Europës. A kisha të drejtë… Nuk e di. Amerikanët e gjetën tani vonë Arafatin dhe nuk e vranë, por i dhanë edhe çmimin “Nobel”.

Ambasadorja amerikane me origjinë italiane, u skuq. Po mbasdite, kur Andreotti na ftoi për çaj në Ambasadën italiane, pashë ambasadoren që kërkoi të bënte një fotografi me të.

Pasdite, kur po ikte e pyeta me terezi. – Mendon, se do ketë luftë në Kosovë?.. – Mbase, –  tha… Megjithëse, nuk po shoh hë për hë, magazinë armësh këtu rrotull…

Dhe hodhi vështrimin, sikur vërtet po kërkonte të shihte ndonjë magazinë…

Ndoshta, do një a dy vjet…

Ishte fillimi i një sërë takimesh, që nuk do ta guxoja ta quaja që kishin krijuar miqësi, por ndoshta një farë respekti a mirësjellje, për të cilën, gjithsesi duhet të gëzoheshe. E jepte rallë, më thanë, por me gjeste minimaliste.

——

Rafaelo – i them mikut të vjetër tanimë.

I thuaj Presidentit, se dua ta takoj e të më ndihmojë. Pasi dëgjoi, se çfarë kërkoja hebreu i vjetër, u zverdh. – Do na marrë për të çmendur- më tha. Zot o zot! Po ç’t’ë bëjmë. Ti je më diktator se ai – më tha.

Rri në një nga hotelet e vjetra rrotull Terminit dhe pres orën e takimit. Erdhi korrekt në zyrën e tij, por kërkoi ndjesë dhe e shtyu takimin për mbasdite. Duhej të fliste për problemin e adoptimeve… Ishte i vetëm në këtë betejë, po e mundi gjithë Parlamentin Italian me një minimum fjalish, nga ato që dinte të thoshte vetëm ai. Rafaelo, që i isha lutur të na takonte, më vuri kusht. Do t’i fliste vetëm ai, se unë veç të tjerash, nuk dija mirë italisht… – Mirë, i thashë.

Andreotti, rri ulur dhe dëgjon. Rafaelo filloi të fliste dhe u mbush me djersë… Ç’t’i thoshte… Plaku filloi të lëvizte gishtërinjtë, shenja, që e dija se simbolizonte mërzinë.

Mora fjalën përkundrejt tmerrit të mikut përballë dhe fola gjysmë shqip, gjysmë italisht..

Andreottit, nuk i lëvizi asnjë qepallë. Pasi dëgjoi, në heshtje tha:

Kështu flitet dhe ti Rafaelo, duhet të mësosh italisht… Dhe pastaj, vazhdoi po për tmerrin e Rafaelos.

Unë njoh tre nobelistë apo këtë lloj niveli. I pari, është… i mirë për të thënë ato që nuk duhen bërë, po jo ato që duhen bërë. E dyta është grua e mirë, por është shumë plakë dhe herë pas here humb luçiditetin… I treti që ka drejtuar edhe CERN, pavarësisht se nuk u besoj akuzave për të, nuk besoj se është i aftë për gjëra të këtij lloji.

Pasi heshti një grimë, tha:

Po i them sekretares, të takosh Profesor Gaxhian. Punon në Ministrinë e kërkimeve shkencore. E kam marrë dikur. për të mbushur listën e Partisë për deputet, pa ndonjë shpresë. Por. fitoi më shumë se ne. Është një nga njerëzit më të ndershëm që njoh në jetë dhe kryesorja… është nga raca jote e vjetër, si e atij që vdiq sot në mëngjes… Enrikos.

Kisha parë në hotel gazetat, në mëngjes, që kishin 10 faqet e para për vdekjen e Enriko Kuçës, apo Perandorit të financave të Italisë, siç i thoshin. Andreotti, po ma thoshte për herë të parë, që ishte i racës sonë… arbëresh.

Nuk e dija se është shqiptar – i thashë. – Po, – tha – dhe ma thoshte me krenari, kur e takoja ndonjëherë. (Mentori i mori një intervistë mrekullueshme më vonë, për Kuçën). Ai që ka parë “Oktapodin”, këtë film, të viteve ‘80-‘90 dhe ka qejf të kuptojë kush ishte Kuca, mund ta krahasonte me Espinozën e filmit. Andreoti e tha këtë njëherë me gjysmë zëri, po në kuptimin e mirë dhe jo atë që njohim nga personazhi filimit. Kur vdiq Kuça, gazetat cituan Andreottin që tha:

Sa herë që e kishim keq, mendonim… E hëngri Kuça dhe këtë qeveri…

Plaku e mbajti premtimin dhe pas dy ditësh, më ftuan të takoja shkencëtarin që për shumë në atë kohë, ishte më i madhi i Italisë.

Disa muaj më vonë, jam prapë me të. Me edukatë, kërkoi të pyesja çfarë arrita. Pastaj, duke ulur kokën më pyeti… a do veja në atë koferencën e Triestes, ku ishte dhe Rafaelo. Vjen edhe Kisingeri –  tha. Mbase është mirë të dëgjosh. Në fakt, erdhi këshilltari tjetër i Shtëpisë së Bardhë, Luftvaku, që te ne atë kohë, ishte i famshëm për fjalimet që mbante për Kosovën.

Kohët e fundit e takoja më rrallë dhe disa here, me Mentorin. Ishte i interesuar që qeveria të mbaronte një spital në Shqipëri, që t’i mbante amanetin Nënë Terezës. Qëllova atë kohë, kur kishte fituar gjyqin e bërë kundër tij dhe i tha me gjysmë krenarie sekretares:

Paratë, çojani Fondacionit të Nënë Terezës…

Nga ajo që kuptoja aq sa mundja, besoja që rronte në thjeshtësi. Në zyrën e tij të mobiluar shumë thjesht, kishte dy fotografi. Një, ku ai i ulur në gjunjë në kohën e rinisë tij, duket se pyeste një nga politikanët që adhuronte, De Gasperin. Ishte dhe një foto tjetër, a fotokopje e një kontrate të bashkisë së Romës me komunitetin hebre, nga ato të kohës së fundit të shekullit të 19-të.

E kam vetëm unë, – ma tha, me krenari.

Kam kohë pa e takuar dhe ndoshta është hera e parafundit. E pyes me gjysmë shakaje:

Nga e ke njohur Rafaelon?..

Ah – tha duke buzëqeshur.

Më erdhi si përfaqësues i një grupi hebrenjsh libianë, që i kishte përzënë Kadafi brenda natës. Dhe ishin pa asnjë lek në xhep… Kur më kërkuan ndihmë, u thashë thjesht.

Zbrazni xhepat në tavolinë… Kur ata po shikonin të habitur njëri-tjetrin – u thashë:

Mensat e universiteteve të Italisë, janë keq. Krijoni një kooperativë me 2 000 a 3 000 njerëz, sa të jeni e me aq lekë sa keni dhe menaxhojini.

Në fakt, në periferi të Romës, pranë një universiteti ishte një ndërtesë e madhe ku vajta njëherë me të. Quhej më duket, Kashina dhe bënte atë që i porositi ai. E kishin zgjeruar veprimtarinë, duke menaxhuar hotele, deri në Spanjë e Kubë.

Herën e fundit që e pashë, ishim këtu në Tiranë. Ulur te Rogneri. Me cip të syrit të tij të hatashëm, më shikon dhe më thotë:

A të duhet ndonjë intervistë, për gazetën?

Kuptonte në sekondë, se ku i pikonte çatia tjetrit…

Nuk më duhet – thashë. I kam mbylluar të gjitha e nuk kam para… Nuk i thosha dot, se m’i prishën të gjitha brenda natës…

Dëgjoj që Plaku ka vdekur.  Pa zhurmë, ashtu si Kuça dhe pa shqetësuar njeri.

Në jetën timë të ngatërruar, kam parë shumë njerëz nga pozitat e një qytetari pa asnjë funksion. Kam parë dhe ndënjur me Gorbaçovin etj., me shkencëtarë e kampionë bote, Andreotti mbetet më i shkëlqyeri prej tyre. Me një forcë kolosale praktike, mishëronte atë që D’Alema, siç thashë më sipër, e klasifikonte si “I patrubulluari”.

Vetë do t’i shtoja ato cilësitë që përmenda më sipër. Mishëronte në thelbin e tij, Tajlerandin dhe Fushenë. Dhe nuk mund të krijonte kurrë idhtarë. Pasojë kjo e një individualizmi të tejskajshëm, që gjenialen nuk ia dhurojnë asnjeriu, jo për shkak të ambicies, po ndoshta, për një arsye që nuk kam për ta kuptuar kurrë…