MENU
klinika

Financimet ruse në SHBA për 2017-ën

Prokuroria mbyll hetimet për Bashën, dosja shkon në Gjykatë

08.11.2019 - 15:18

Merret i pandehur nga prokuroria e Tiranës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në lidhje me financimet ruse në SHBA për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe e ka dëguar dosjen në gjykatë.

Report Tv mëson se akuza dhe marrja e tij i pandehur i është komunikuar një ditë më parë, përmes avokatit të tij Ivi Kaso, për veprën penale falsifikim dhe fshehje të financimeve.

Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017. Të pandehur janë marrë edhe ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, por edhe Ilir Dervishi, financier i PD-së.

  • Dokumenti i prokurorisë

“I pandehuri: Lulzim Basha, i biri i Xhelal dhe i Remzije, i ditëlindjes 12.06.1974, lindur dhe banues në Tiranë, pallati afër ish-Hotel Sheraton, me gjendje civile i martuar, me shtetësi shqiptare, me gjendje gjyqësore i pandehur, hetuar pa masë sigurimi, mbrojtur nga avokat Ivi Kaso, me numër license 3180.

Akuzuar se ka kryer veprën penale të “Falsifikimi i vulave, i stampava ose i formularëve” dhe të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar në nenet 190/3 dhe 2870ç/2 të Kodit Penal”-thuhet në dokumentin e prokurorisë.

Lulzim Basha dëshmoi në 25 mars në prokurorinë e Tiranës për rreth një orë për lobimin në SHBA, ku u shpreh se as ai dhe asnjë drejtues tjetër i PD-së nuk kanë shkelur asnjë ligj.

Muaj më parë, prokuroria deklaronte se njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga “Biniatta Trade”. Por kush është kjo shoqëri? “Biniatta Trade LP” rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si “parajsë fiskale”. “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: “Asverro Corp” dhe “Liminez Commerce”. Pronarët e vërtetë që qëndrojnë pas “Biniatta Trade LP” janë Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva, që të dyja shtetase ruse.

  • Ja sa vite burg rrezikon Lulzim Basha

Por sa vite burg rrezikon kryedemokrati Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD nëse provohen akuzat për falsifikim dhe fshehje të financimeve ndaj tyre? Neni 190/3 bën fjalë për falsifikimin e formularëve ose me paraqitjen e rreme të tyre nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, që u drejtohet organeve shtetërore dhe dënohet me burgim nga 3 deri në 7 vjet burg. Ndërkohë Neni 287/ç në kodin penal ka të bëjë me pastrimin e parave. Kryerja e veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dënohet nga pesë deri në 10 vite burg.

  • Historia e lobimit te PD-se ne SHBA

Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave.

Gjithashtu, mbetet e paqartë se cila është marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë “Biniatta Trade LP,” e cila është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë- nje shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale. Përveç dy kontratave të lidhura me “Stonington Strategies,” gjatë të njëjtës periudhë PD ka lidhur edhe një kontratë me kompaninë lobiste “Barnes and Thornburg LLP” në fillim të prillit me vlerë 150 mijë USD.