MENU
klinika

Dy risitë e procesit

PS zgjedh 706 delegatët, Balla siguron për shumicë qeverisëse

16.11.2019 - 20:38

Anëtarët e Partisë Socialiste zgjodhën sot përmes parimit “një anëtar një votë” 706 delegatët e Kongresit të PS që do të zhvillohet në fillim të vitit 2020.

Procesit i votimit nisi prej orës 8:00 të mëngjesit të së shtunës, 16 nëntor 2019.

Në përmbyllje të procesit zgjedhor, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, tha se procesi dëshmoi se PS është një shkollë e funksionimit demokratik.

“Përmbyllëm fazën e parë të kalendarit tonë të brendshëm të procesit zgjedhor të nivelit të parë të strukturës sonë organizative. Në 363 vendvotimet nuk është regjistruar asnjë problematikë.”

Balla u ndal edhe te dy risitë që pati ky proces.

“Dy risitë e procesit ishin testimi për herë të parë i votimit elektronik në njësinë numër 8 të Tiranës. PS tregoi që nuk është vetëm partia më e madhe dhe më e organizuar, por edhe partia më moderne në vend. Barazia gjinore ishte risia më e madhe e këtij procesi.47% e kandidatëve për delegatë ishin gra dhe vajza.”

Për Ballën, “gjithë procesi i këtyre zgjedhjeve në parti ka një rëndësi të veçantë për ecurinë e kësaj gjysme të dytë të këtij mandati të dytë për betejën për rinovimin e mandatit tonë qeverisës, atë të socialistëve dhe progresistëve si shumicë qeverisëse edhe në qershor të 2021”.

Ndër 706 delegatët e zgjedhur, Balla tha se ata janë të ndarë në mënyrë të barabartë, 353 janë gra dhe vajza dhe 353 burra dhe djem.

“Asnjë forcë tjetër përveç PS nuk mund të sillte transformimin epokal qoftë në qeverinë qëndrore, qoftë në nivelin vendor.”

Dhe në fund Taulant Balla kishte një falenderim dhe për kreun e PS-së, njëherësh kryeministër i vendit.

“Është padyshim momenti për ti thënë shumë faleminderit udhëheqësit tonë Edi Rama.”