MENU
klinika

Rrëfimi i Klaus Gjasulës

“Punoja si korrier, ju tregoj historinë e kokores”

19.11.2019 - 12:08

Është një nga futbollistët që bie në sy në Bundesligë, kjo edhe për shkak të kokores që vë në kokë. Kapiteni i Paderborn, Klaus Gjasula, është lojtari i parë dhe i vetëm që luan në Bundesligë përgjithmonë me mbrojtje në kokë.

Tifozët e duan mesfushorin shqiptar për shkak të stilit të tij të fortë të lojës, kundërshtarët i frikësohen atij. Vetë Gjasula shprehet për mediat gjermane, konkretisht “Bild”:

“Me një mbrojtëse (përkrenare) në kokë mund të dukesh pak më i dhunshëm. Shumëkush jo domosdoshmërisht dëshiron që të luajë kundër meje. Kjo gjë më dhemb, sepse jepen edhe shumë kartonë të verdhë ndaj meje”.

Po kur u detyrua të luante me “kokore”? Që ditën kur theu mollëzën e fytyrës, gjatë një zënke në tetor 2013, kur luante me Kickers Offenbach në Regionalliga. Një vit më parë këtij “stacioni” të karrierës, si lojtar i Ëaldhof Mannheim, ai gjithashtu punonte si një korrier (postier). Gjasula e kujton atë kohë:

“Unë e bëra atë punë me disa kolegë për të fituar ca para xhepi. Kur luan në ligat rajonale, të nevojiten edhe qindarkat. Qershia mbi tortë është përfshirja në kombëtaren e Shqipërisë. Është një ndjenjë e mrekullueshme. Rasti im tregon shumë se ia vlen të mos heqësh dorë kurrë”.

Shoku i vazhdueshëm në këtë ngjitje për mesfushorin ka qenë “kokorja” e tij. Në vitin 2013, Offenbach porositi një të tillë nga një sponsor, i cili e prodhoi me karbon dhe shkumë. Në fakt, ishte një punim artizan, jo nga prodhues i specializuar, sikurse zbulon Gjasula:

“Ky nuk ishte profesioni i tij, por ai bëri një punë të shkëlqyeshme. Vlera e kokores? Rreth 2000 euro”. Për arsye mjekësore, ai në të vërtetë nuk do të kishte më nevojë ta mbante “helmetën” e kokës sot.

Gjasula e bën këtë, gjithsesi, për forcë zakoni dhe jo për arsye mbrojtëse. Në fund të sezonit, kontrata e tij skadon. Gjasula do të dëshironte të qëndronte në Bundesligë, mundësisht me skuadrën aktuale, Paderborn:

“Ne duhet të vazhdojmë të besojmë në veten tonë. Historia ime tregon se gjithçka është e mundur.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN