MENU
klinika

Propozimi

Rentë nga HEC-et? Një pjesë e taksës shkon për bashkitë

23.11.2019 - 14:15

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po shqyrton mundësitë për përcaktimin e fee- së koncesionare për aktivitetet e HEC-eve, duke transferuar një pjesë të saj pranë Njësive të Qeverisjes Vendore, ku hidrocentralet ushtrojnë aktivitetin.

Formula që mund të ndiqet pritet të jetë e ngjashme me atë të rentës minerare së kompanive që ushtrojnë aktivitet në nxjerrjen e mineraleve dhe hidrokarbureve, ndërkohë që kjo iniciativë ka ardhur si pasojë e kundërshtimit të vazhdueshëm të banorëve të zonave ku ndërtohen këto burime energjetike.

Renta minerare është një taksë e cila mblidhet nga shteti nga bizneset që shfrytëzojnë burimet natyrore, ndërkohë që një përqindje e saj iu kthehet njësive të qeverisjes vendore ku shfrytëzohen këto burime, e cila duhet të shkojë për investime konkrete ndaj komuniteteve.

Aktualisht transferta e rentës është në masën 5%, por edhe këtu Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë është duke përgatitur një draft duke e rritur atë në masën 13%. I njëjti draft parashikon që 12% e rentës që paguhet nga kompanitë që ushtrojnë aktivitet minerar dhe hidrokarbur do i transferohet Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Megjithatë, do të jetë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, që do të japë vendimin përfundimtar në lidhje me këto propozime. Masa aktuale prej 5% e rentës që mblidhet nga shteti, shpesh herë është konsideruar si tejet e ulët, në raport me dëmet që shkaktohen gjatë aktivitetit të nxjerrjes së mineraleve apo naftës.

Ndërkohë që rritja e saj ka qenë një kërkesë e vazhdueshme nga ana e përfaqësuesve të shoqërisë civile, pranë Grupit Ndërinstitucional i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse.