MENU
klinika

Investim në arsimin profesional

Rritet buxheti, qeveria kthen sytë nga të rinjtë

14.11.2019 - 16:45

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi të enjten se krijimi i vendeve të reja të punës është një ndër politikat që qeveria po ndjek për të mbështetur të rinjtë për të mos u larguar jashtë vendit.

Problemi i largimit të të rinjve sot, tha ministrja Denaj në Komisionin e Ekonomisë, teksa po diskutohej në parim projekbuxheti i vitit 2020, është adresuar nëpërmjet politikave të arsimit, si atij të lartë dhe atij profesional, i cili këtë vit ka marrë pjesën më të lartë të rritjes së buxhetit.

“Shqipëria, duke qenë një vend atraktiv për investitorët e huaj duhet të rrisë dimensionin e arsimit profesional shumë më tepër se sa ka qenë në vitet e mëparshme. Të gjithë investitorët e huaj kërkojnë një fuqi punëtore të trajnuar dhe 57% e fuqisë sonë aktive punëtore është në moshë mesatare më pak se 31 vjeç. Ky është një element shumë i rëndësishëm i atraksionit”- deklaroi Denaj.

Ministrja tha se janë parashikuar edhe politika lehtësuese në paketën fiskale për vitin që vjen, si ulja e tatim fitimit nga 15 në 5% për industrinë automotive.

Kjo lehtësi, theksoi ajo, erdhi pasi ka patur kërkesa konkrete në rritje për të ardhur në Shqipëri nga investitorë të huaj dhe me projeksionin për rritje të punësimit në 5 vitet e ardhshme me rreth 5 mijë vende pune.

“Arsimi profesional është i rëndësishëm për t’u adresuar. Sot kemi 19 400 nxënës në arsimin profesional. Investimi në shkollat profesionale, jo vetëm në pjesën e infrastrukturës, ka qenë në këtë vit një nga investimet kryesore të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, por edhe donatorëve të huaj”- u shpreh ministrja.

Sipas Denajt, një nga problemet që ne kemi me investitorët është lëvizja demografike. “Sot shumica e popullsisë dhe asaj që është fuqi punëtore është e përqendruar në aksin Tiranë-Durrës, dhe megjithëse kemi biznese në Berat është e vështirë të gjejmë fuqi punëtore. Zyrat e punës nuk arrijnë të gjejnë në Berat për investitorët shqiptar dhe të huaj mjaftueshëm punëtor”, deklaroi ministrja.

Në vitin 2020, rritja ekonomike e parashikuar në nivelin prej 4.1% mbështet krijimin e rreth 35 mijë vendeve të reja pune, si dhe uljen e mëtejshme e shkallës së papunësisë poshtë nivelit 11%.