MENU
klinika

Anketat e INSTAT

Sa shitje u realizuan dhe cilat ndikuan më shumë në punësim?

11.11.2019 - 12:10

Në vitin 2018, ndërmarrjet që operojnë në aktivitetet e prodhimit të të mirave dhe shërbimeve realizuan 2.179 miliardë lekë shitje neto, duke shënuar një rritje me 7%, krahasuar me vitin 2017.

Referuar rezultateve paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve për vitin 2018, investimet e realizuara arritën vlerën 238 miliardë lekë nga 232 miliardë lekë në 2017, duke shënuar një rritje prej 2,8%. Në vitin 2018, operuan 107.450 ndërmarrje aktive, duke u ulur me 0,2%, krahasuar me vitin 2017, ndërsa numri gjithsej i të punësuarve u rrit me 4,6%.

Bazuar në rezultatet paraprake të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, kontributin më të madh në rritjen prej 7% të shitjeve neto e dhanë prodhuesit e shërbimeve me +4,1%, të ndjekur nga prodhuesit e të mirave me +2,9%.

Gjatë vitit 2018, sektori i tregtisë zë peshën më të lartë të shitjeve neto me 45,3 %, i ndjekur nga sektori i ndërtimit me 11,7 %. Sektorët me peshën më të vogël janë sektori i akomodimit dhe restoranteve (2,8 %) dhe sektori i industrisë nxjerrëse (3,6 %).

“Situatë e ngjashme paraqitet për treguesin e punësimit. Në rritjen prej 4,6% të punësimit, prodhuesit e shërbimeve dhanë kontributin më të madh me +3,1 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e të mirave kontribuan me +1,5 pikë përqindje. Sektorët me peshën më të lartë të punësimit për vitin 2018 janë sektori i tregtisë me 24,3% të punësimit, sektori i shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj.) me 21,6%, të ndjekura nga sektori i industrisë përpunuese me 20,6% të të punësuarve gjithsej” shkruhet në njoftimin e publikuar ngaINSTAT.

Gjatë vitit 2018, investimet e realizuara u rritën me 2,8%, ku prodhuesit e shërbimeve kontribuan pozitivisht me 8,0 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e të mirave kontribuan negativisht me 5,2 pikë përqindje. Prodhuesit e shërbimeve zunë 37,9% të investimeve, nga 30,7% që zinin vitin e kaluar.

Sektori me vlerën më të lartë të investimeve të realizuara është ai i energjisë elektrike dhe ujit, i cili për vitin 2018 ka investuar 54 miliardë lekë, duke zënë 22,9 % të investimeve gjithsej. Peshën më të vogël tëinvestimeve e zënë sektorët e akomodim dhe restorante (3,1 %) dhe transport dhe komunikacion (6,4 %).

Numri i ndërmarrjeve aktive për vitin 2018 u ul me 0,2%. Në uljen e numrit të ndërmarrjeve aktive, prodhuesit e shërbimeve dhe të mirave kontribuan negativisht me nga 0,1 pikë përqindje.

Sektori me numrin më të madh të ndërmarrjeve është ai i tregtisë (41,4%), i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera (21,2 %) dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve (17,7%).

Gjatë vitit 2018, sektori i industrisë nxjerrëse pati numrin më të vogël të ndërmarrjeve aktive të cilat zunë 0,6 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej.