MENU
klinika

Zbulohet hapi i radhës i PS-së

Shkarkohet Meta? Balla i drejtohet Kuvendit me shkeljet më të rënda

20.11.2019 - 14:23

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zbuloi përmes një deklarate për media hapin e radhës të PS për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Balla tha se 55 deputetë të Kuvendit i janë drejtuar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi për nisjen e procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës, pasi sipas tyre, ai ka shkelur rëndë Kushtetutën.

Deklarata e plotë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

55 deputetë të Kuvendit të Republikës, në respekt të procedurës së parashikuar nga neni 90, pika 2 e Kushtetutës dhe neni 112 i Rregullores se Kuvendit, i janë drejtuar Kryetarit të Kuvendit për nisjen e procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës, pasi në bindjen tonë me veprime dhe mosveprimet e tij ka shkelur rëndë Kushtetutën.

Në vijim të këtij kërkesë është ngritur Komisioni Hetimor parlamentar me objekt “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.

Në ndërkohë, Presidenti i Republikës, në një kurs përplasje të plotë të tij me Kuvendin dhe institucione të tjera kushtetuese, ka vijuar cenimin e Kushtetutës me pasoja të rënda, përmes veprimeve konkrete apo mosveprimeve të qëllimshme, të cilat po i rendisim dhe faktojmë në vijim.

Rrjedhimisht, vlerësojmë të domosdoshme që edhe këto veprime të bëhen pjesë e vlerësimit nga Kuvendi i Republikës, në kuadër të procedurës së nisur tashmë për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Kushtetuta e Republikës, Rregullorja e Kuvendit apo Ligji nr.8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit” praktikisht nuk parashikojnë ndalim për shtimin e objektit të një Komisioni Hetimor, madje neni 8 i Ligjit nr.8891, datë 02.05.2002 praktikisht e mundëson këtë kur parashikon se “Kuvendi nuk mund të vendosë kufizime në objektin e punës, përveç rasteve kur nga rrethanat gjykohet se kërkesa përmban elemente të shkeljes së Kushtetutës”. E thënë ndryshe, nëse kjo kërkesë e jona nuk vlerësohet si në shkelje të Kushtetutës, atëherë shtesa në objekt është detyrim dhe jo diskrecion i Kuvendit. Për analogji, edhe neni 64, pika 1 i Ligjit Nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i RSH” parashikon se “Një palë që ka dorëzuar një kërkesë mund ta plotësojë ose ndryshojë atë, vetëm kur qëllimi i kërkesës së ndryshuar bazohet në të njëjtën situatë faktike si kërkesa fillestare.”

Duke vërejtur se shkelja e Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës tashmë është bërë kronike, përmes kësaj kërkese vlerësojmë se edhe veprimet e mosveprimet e tij të fundit duhet të bëhen pjesë e vlerësimit nga Komisioni Hetimor i ngritur për këtë qëllim, në mënyrë që edhe vendimmarrja vijuese e Kuvendit të jetë sa më serioze dhe e bazuar.

  • Argumentet shtesë:
    1. Presidenti i Republikës ka nxjerrë dekretin nr. 11350, datë 13.11.2019 “Për emërimin e Znj. Marsida Xhaferrllari si anëtare e Gjykatës Kushtetuese”. Ky dekret është nxjerrë në kundërshtim flagrant me nenin 125 të Kushtetutës dhe nenin 7, germa b, pika 4 të Ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me ndryshime.

2. Njësoj siç veproi me dekretin e datës 10 Qershor 2019, kur në tejkalim të kompetencës kushtetuese, Presidenti anuloi dekretin e tij nr. 10928/2018 për caktimin e datës 30 qershor 2019 si datë për zgjedhjet vendore, me dekretimin e Znj. Marsida Xhaferllari, si gjyqtare kushtetuese, Presidenti ka vepruar përtej kompetencës së tij kushtetuese dhe ligjore, duke demonstruar në mënyrë të përsëritur papërgjegjshmëri institucionale si dhe duke përdorur në mënyrë abuzive pushtetin që i ka ngarkuar Kushtetuta.

3. Ky veprim i Presidentit në tejkalim të kompetencës kushtetuese dhe ligjore, ka sjellë dhe pasoja të rënda për legjitimimin e fillimit të funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese, pasi aktualisht në këtë Gjykatë rezulton se ka filluar detyrën, znj. Marsida Xhaferllari, e cila ka marrë një mandat të paligjshëm si gjyqtare kushtetuese. Ky fakt cenon ligjshmërinë e vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese, në përbërje të së cilave mund të jetë Znj. Xhaferllari pasi çdo subjekt (palë në proces) mund të kërkojë ose pretendojë pavlefshmërinë e vendimeve përkatëse në kushtet kur vendimi jepet nga një gjyqtar që nuk është caktuar sipas ligjit.

4. Përveç sa më sipër, rezulton se znj. Arta Vorpsi e cila ka fituar në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, në datën 07.11.2019, mandatin e gjyqtarit kushtetues, nuk është ftuar nga Presidenti për ceremoninë e betimit, (kusht për fillimin e detyrës së gjyqtarit kushtetues sipas nenit 129 të Kushtetutës) dhe Presidenti publikisht ka deklaruar se nuk e njeh gjyqtaren kushtetuese në këtë funksion. Në këtë rast, Presidenti po refuzon të zbatojë një detyrim ligjor e kushtetues, që përbën një abuzim me pushtetin që i ka ngarkuar Kushtetuta.

ARSYETIMI PER SHKELJET KUSHTETUESE DHE LIGJORE

Shkeljet kushtetuese në lidhje me refuzimin e kryerjes së betimit të Znj. Arta Vorpsi:
1. është cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën.
2. është shkelur detyrimi kushtetues për të realizuar betimin e gjyqtarit kushtetues.
3. është cenuar funksionaliteti i vendimmarrjës së Gjykatës Kushtetuese
4. është cenuar e drejta e subjekteve për një proces të rregullt kushtetues brenda afateve të arsyeshme

kolana e librave

Kushtetuta përcakton qartë se vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese emërohen nga Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë. Këto organe e ushtrojnë në mënyrë krejt të pavarur kompetencën kushtetuese dhe pa asnjë lloj ndërvarësie mes tyre. Të tre këto organe kufizohen të emërojnë/zgjedhin midis tre emrave të kandidatëve të listuar të parët nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Për Kuvendin dhe Presidentin, përveç kufizimit të emërimit/zgjedhjes të gjyqtarëve kushtetues nga kandidatët e listës që miraton Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka dhe një kufizim kohor për ushtrimin e kompetencës brenda një afati prekluziv tridhjetë ditor. Mosushtrimi i kompetencës brenda këtij afati nga Presidenti dhe Kuvendi, sjell emërimin si gjyqtar kushtetues të kandidatit të renditur i pari në listën e miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, (neni 125 i Kushtetutës, nenet 7/b, 7/c dhe 7/ç të Ligjit Nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar).

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në datën 08.10.2019 i ka dërguar Presidentit vendimet e tij në lidhje me dy vakanca të krijuara në Gjykatën Kushtetuese, duke i vënë në dispozicion dy lista me kandidatë për secilin vend vakant, me qëllim ushtrimin e kompetencës së tij për të emëruar dy gjyqtarë kushtetues. Me Dekretin e datës 18.10.2019, Presidenti ka emëruar z.Besnik Muci si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa për vendin e dytë ka zgjedhur të heshtë dhe me kalimin e afatit prekluziv tridhjetë ditor, në datën 07.11.2019 Znj. Arta Vorpsi, e renditur e para në listën e miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, konsiderohet e emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas nenit 129 të Kushtetutës, betimi para Presidentit është kusht për fillimin e detyrës së gjyqtarit kushtetues. Presidenti publikisht ka deklaruar se nuk do e thërrasë znj. Arta Vorpsi për betimin dhe se nuk e njeh atë si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë, Presidenti ka refuzuar të plotësojë një detyrim kushtetues, duke bllokuar një gjyqtar kushtetues të emëruar sipas dispozitave kushtetuese dhe ligjit, të ushtrojë detyrën.

Me ketë refuzim Presidenti jo vetëm i mohon të drejtën e mandatit të ligjshëm një gjyqtari kushtetues por edhe cenon funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese, duke ndikuar në mosplotësimin e numrit të nevojshëm të gjyqtarëve të kërkuar nga ligji për mbledhjen e gjyqtarëve dhe marrjen e vendimeve të vlefshme. E gjitha kjo situatë, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese ka aktualisht shumë vakanca të krijuara nga procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve apo nga dorëheqjet e ish gjyqtarëve, cenon të drejtat e ligjshme të subjekteve që presin gjykime nga Gjykata Kushtetuese për të rivendosur nëpërmjet gjykimit kushtetues brenda një afati të arsyeshëm, të drejta që i pretendojnë të cenuara.

Shkeljet kushtetuese për dekretimin e Znj. Marsida Xhaferllari si gjyqtare kushtetuese

1. është dekretuar një gjyqtar kushtetues në kundërshtim flagrant me kushtetutën dhe ligjin.
2. Në mungesë të kompetencës për të emëruar gjyqtarin kushtetues, Presidenti, në mënyrë të kundërligjshme ka ndërhyrë në një proces kushtetues.
3. Presidenti ka ushtruar kompetenca të Këshillit të Emërimit në Drejtësi, duke i veshur vetes atribute të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
4. është cenuar e drejta e subjekteve për të patur një proces të rregullt gjykimi kushtetues, në kushtet kur do të gjykohen nga gjyqtar kushtetues me mandat të paligjshëm.
5. është cenuar funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese.

Siç është shpjeguar dhe më sipër, sipas Kushtetutës dhe ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Presidenti e ushtron kompetencën e tij për emërimin e gjyqtarit kushtetues duke zgjedhur një prej tre emrave të parë në listën e kandidatëve, të hartuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Presidenti e ushtron kompetencën e tij duke emëruar anëtarin e Gjykatës Kushtetuese brenda një afati 30 ditor nga dita kur ka marrë vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në rast se brenda këtij afati Presidenti nuk e ushtron të drejtën e tij, kandidati i renditur i pari në vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i emëruar gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, (neni 7/b, pika 4 i ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me ndryshime).

Me nxjerrjen e Dekretit nr.11350, datë 13.11.2019, Presidenti i Republikës, duke emëruar kandidatin tjetër jashtë afatit 30 ditor të përcaktuar shprehimisht nga ligji kushtetues, ka shkelur njëkohësisht jo vetëm afatin prekluziv brenda të cilit mund të ushtronte kompetencën e tij kushtetuese për të emëruar gjyqtarin kushtetues midis tre kandidaturave të listuara të parat në vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, por akoma më tej, ka emëruar si gjyqtar një kandidat që është listuar në vendin e katërt sipas vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Afati tridhjetë ditor për Presidentin ka mbaruar në datën 07.11.2019, pasi vendimi nr. 132, datë 21.09.2019 i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i është njoftuar Presidentit në datën 08.10.2019, dhe renditja e kandidatëve në listën e miratuar me këtë vendim është: 1. Arta Vorpsi; 2. Fiona Papajorgji; 3. Elsa Toska; 4. Marsida Xhaferllari.

Duke emëruar kandidatin e listuar në vend të katërt në vendimin nr. 132, datë 21.09.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me justifikimin se zgjedhja e dy prej kandidatëve në të njëjtën listë si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese me vendimin e Kuvendit të datës 11.11.2019, e rendit kandidatin e zgjedhur si gjyqtar kushtetues nga Presidenti në tre vendet e para të listës, Presidenti ka marrë në mënyrë abuzive kompetencat e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili është i vetmi organ që, në bazë të Kushtetutës (neni 125/1), ka kompetencën e renditjes së kandidatëve sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, si një organ i qeverisjes së sistemit të drejtësisë, është organi i vetëm kushtetues që përcakton renditjen e tre të parëve si kandidatë, ndërmjet të cilëve duhet të emërojë ose zgjedhë Presidenti. Qëllimi i këtij rregulli kushtetues dhe ligjor është kufizimi i diskrecionit për të tre organet e emërtesës, përkatësisht Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë, për të vendosur brenda renditjes së përcaktuar në vendimin e këtij Këshilli.

Kjo situatë e krijuar cenon dhe ligjshmërinë e vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese, ku Znj. Xhaferllari do të jetë pjesë, pasi subjektet që i drejtohen Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë sigurinë që po gjykohen nga gjyqtarë të caktuar sipas ligjit.

Paligjshmëria e emërimit të Znj. Xhaferllari si gjyqtare kushtetuese krijon pasiguri tek subjektet dhe u jep shkas atyre të kërkojnë pavlefshmërinë e vendimeve në rast se çmojnë që vendimet përkatëse nuk kanë realizuar rivendosjen e të drejtave të tyre pretenduara të cenuara. Padyshim, që kjo është një situatë që vë në pikëpyetje dhe integritetin e gjyqtarit kushtetues dhe vendimmarrjes kushtetuese si dhe cenon mirëfunksionimin e vetë Gjykatës Kushtetuese.

E gjithë sa më sipër është një situatë që pengon zbatimin e Reformës në Drejtësi duke cenuar pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet ndërhyrjeve antikushtetuese në procedurat e emërimit të gjyqtarëve të kësaj Gjykate.

Vlerësojmë se sa më sipër përbëjnë shkelje shumë të rënda të Kushtetutës dhe ligjit të kryera nga Presidenti i Republikës, sipas nenit 90, pika 2 i Kushtetutës, të cilat duhet të shtohen në objektin e punës dhe planin hetimor të Komisionit Hetimor që po shqyrton kërkesën e 55 deputetëve për shkarkimin e Presidentit, pasi përbëjnë jo vetëm shkelje të rënda, por edhe të përsëritura në vijimësi nga Presidenti.