MENU
klinika

Siguria ushqimore

Shkatërrimi i produkteve, miratohen procedurat

21.11.2019 - 11:28

Këshilli i Ministrave vendosi sot përcaktimin e rregullave dhe të procedurave të shkatërrimit të produkteve, me qëllim identifikimin e kushteve të nevojshme për ruajtjen, trajtimin, transportimin dhe shkatërrimin e tyre në mënyrë të tillë që mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të njeriut e të mjedisit të jenë të garantuara.

Në mbledhjen e Qeverisë me propozimin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi që ky vendim të zbatohet për të gjitha produktet joushqimore për konsumatorët, të vendosura në treg dhe në shërbim/përdorim, të cilat i përkasin fushës së veprimtarisë së Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, sipas legjislacionit për sigurinë e përgjithshme të produkteve joushqimore dhe legjislacionit për tregtimin e mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore.

Ky vendim nuk zbatohet për substancat kimike, që janë objekt i regjistrimit dhe/ose autorizimit paraprak, dhe produktet kozmetike.

Termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me termat e ligjit nr. 10489, datë 15.12.2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, të ndryshuar, ndërsa termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:”

a- “Komision i Menaxhimit të Riskut”, komisioni ad hoc, që krijohet nga titullari i strukturës përgjegjëse sipas rregullave të parashikuara në urdhrin nr. 305, datë 30.5.2014, të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, “Për procedurat standarde operacionale të veprimtarisë së mbikëqyrjes së tregut, të detyrueshme për të gjitha strukturat e mbikëqyrjes së tregut”;

b- “Konsumator”, çdo person, i cili blen ose përdor mallra apo shërbime për plotësimin e nevojave vetjake, për qëllime që nuk kanë lidhje me veprimtarinë tregtare, biznesin, zanatin ose ushtrimin e profesionit; “Mbetje”, sipas përcaktimit në ligjin nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar; “Mbetje bio”, sipas kuptimit të dhënë në vendimin nr.608, datë 17.9.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për masat e nevojshme për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve bio si dhe kriteret e afatet për pakësimin e tyre”;

d) “Struktura përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut në fushën produkteve joushqimore”, (më poshtë struktura përgjegjëse), Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut;

dh) “Shkatërrim”, çdo operacion që nuk është rikuperim, edhe kur operacioni ka si pasojë dytësore rikuperimin e substancave ose të energjisë.

Procesi i shkatërrimit të produkteve menaxhohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit, duke mos vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut e duke mos përdorur procese ose metoda që mund ta dëmtojnë atë apo mjedisin.