MENU
klinika

Zhvillimet e fundit minutë pas minute

33 të vdekur/ Orët kalojnë – bilanci rëndohet

27.11.2019 - 09:31

Ora 00:15/ Të tjera lëkundje, IGJEUM tregon magnitudën

Nuk resht vala e lëkundjeve nga tërmeti me epiqendër në në Durrës. Pas lëkundjes 4.2 ballë në orën 23:19 janë regjistruar dy lëkundje të tjera të njëpasnjëshme në 23:55 minuta me magnitudë 4.4 ballë.

Ora 19:45/ Shkon në 33 numri i viktimave, një tjetër i pajetë në zonën e ish-Kënetës

Ka shkuar në 33 numri i viktimave nga tërmetet në vendin tonë. Viktima u nxorr e pajetë në zonën e ish-kënetës, ku ishin edhe presidenti Ilir Meta dhe homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi, dhe është ende e paidentifikuar.

Ora 18:14/ Me 32 viktima, dyshohet për të tjerë trupa

Shkon në 32 numri i viktimave të cilët kanë humbur jetën nga tërmeti  me magnitudë 6.5 ballë. Nga raportimet nga terreni bëhet me dije se në zonën  stadiumit në qytetin e Durrës, aty ku ishte dhe ndërtesa 6 katëshe nja nga ato më problematiket vijojnë kërkimet. Gjithashtu mësohet se të zhdukur janë ende 20 persona.

Ora 17:45/ Pas lëkundjes së fortë, sizmiologu qetëson banorët

Në lidhje me situatën, sizmologu  Rexhep Koçi tha se magnituda e pas-goditjes ka qenë 5.2 e jo 5.6 ballë Righter, ashtu siç u tha në fillim. Po ashtu, sizmologu deklaroi se tronditjet e tokës janë pas-lëkundje të tërmetit të së martës. Ky tërmet nuk ishte 5.6, po 5.2 ballë i shkallës Righter.

Ora 15:55/ Sërish lëkundje, ja sa ishte magnituda

Janë ndierë sërish lëkundje tërmeti para disa çastesh në Tiranë. Magnituda e tërmetit  ishte 5.6 ballë e shkallës Rihter. Epiqendra ishte sërish në detin Adriatik.

Ora 13:49/ Kërkimet për familjen Lala/ “Shpresojmë t’i gjejmë gjallë”

Ekipet e kërkimit janë ende në kërkim të 6 anëtarëve të familjes Lala të mbetur të bllokuar nën rrënojat e vilës katër katëshe në zonën e ish-Kënetës në Durrës.

Mes të anëtarëve të familjes në rrënoja janë 4 fëmijë dhe një grua që mendohet se është nëna e tyre.

Në kërkim:

-Ilir Lala, i paralizuar;

-Marjeta Lala;

-dhe katër fëmijët e saj: Dinois, Dionisa dhe Emiljo dhe Gisa Lala.

Ndërsa mesditën e së martës (26 nëntor) u nxorr i gjallë nga rrënojat një fëmijë i kësaj familje, 16-vjeçari Ram Lala.

Ndërsa nga rrënojat janë nxjerrë 3 të vdekur, anëtarë të kësaj familje.

Vila është banesa e 3 vëllezërve Lala.

Ora 13:30/ Basha: Gjendja e jashtëzakonshme mos mbetet në letër

Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, kreu i PD, Lulzim Basha thotë se duhet të fillojë zbatimi dhe jo të mbetet në letër.

Nga Thumana, zona më e prekur nga tërmeti, Basha përmendi prioritetet, që sipas tij duhen marrë në këtë situatë emergjente.

“Sot kjo gjendje është shpallur, më mirë vonë se hiç. Tani është momenti që gjendja e jashtëzakonshme mos mbetet në letër. Prioritetet janë të qarta:

Së pari, përfundimi i operacioneve të kërkimit dhe nxjerrjes së viktimave.

Së dyti, dhjetëra qindra familje që kanë mbetur pa strehë k anë nevojë për mbështetje reale, nuk mund të qëndrojnë gjatë në çadra. Duhet bërë vendosja e tyre në apartament dhe mbështetja e tyre me një afat minimal 6 mujor.

Së treti, ngritja me shpejtësi e një strukture të mirë pajisur, blerja e pajisjeve, trajnimi i tyre duhet të trajtohet si një emergjencë.

Së katërti, duhet të merren masa për evidentimin e të gjitha objekteve që janë në rrezik.

Së pesti, duhen masa të menjëhershme dhe energjike për të luftuar shokun, stresin dhe panikun. Kjo nuk bëhet me propagandë, por bëhet duke informuar në çfarë situate ndodhet Shqipëria. Cila janë masat që do marrë masa në raste tërmetesh.”- ka konstatuar Basha.

Ora 13:14/ Nxirren 3 të pajetë në Thumanë

Operacionet e kërkim-shpëtimit për gjetjen e personave nën rrënoja vazhdon.

Policia e Shetit thotë se mbi 2400 punonjës policie janë angazhuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë të prekur nga tërmeti.

“Forcat speciale Renea, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës, Fierit dhe Shkodrës, dhe Policia e DVP Durrës, prej afro 32 orësh vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, në Durrës dhe në Thumanë, Krujë”- sqaron policia.

Operacionet e kërkim-shpëtimit, në bashkëpunim të ngushte më ekipet e forcave të ushtrisë, emergjencave civile dhe ekipeve të kërkim-shpëtimit të ardhura nga shumë vende të rajonit.

Sipas policisë nga mëngjesi i sotëm e deri tani nga rrënojat në Thumanë janë nxjerrë 3 persona të pajetë dhe kërkimet vijojnë pa ndërprerë.

Ora 12:26/ Veri-Jug bëhen bashkë për familjet e prekura nga tërmeti

Ditën e sotme të gjithë shqiptarët po bëhen bashkë për t’i ardhur në ndihmë famijeve të prekura nga tërmeti dhe të kontribojnë më mundësitë e tyre.

Në qytetin e Korçës, studentët kanë mbledhur disa ndihma për të prekurit nga termeti. Ata i bëjnë thirrje çdokujt për të kontribuar në ndihmë të qytetarëve të prekur nga termeti.

Në bankën e gjakut në Spitalin e Sarandes ka filluar dhurimi i gjakut për t’i ardhur në ndihmë të lënduarëve nga termeti.

Anëtarët e keshillit bashkiak dhe të rinjtë e Shkodrës solidarizohen me të prekurit nga termeti.

Kisha Katolike dhe myftinia gjithashtu janë organizuar në mbledhje të ndihmave për të prekurit e tërmetit.

Prefekti i Qarkut Z. Gjokë Jaku fton të gjithë qytetarët e Qarkut Lezhë dhe bizneset të solidarizohen me familjet e prekura nga tërmeti dhe të ofrojnë ndihmën e tyre.

Mblidhen ndihma ne Elbasan, në solidarizim të familjeve të prekura.

Ora 12:17/ Nuk ka paqe! Shqipëria lëkundet sërish

Shqipëria nuk gjen paqe!

Një tjetër lëkundje tërmeti është regjistruar pak minuta më parë në vendin tonë.

Mësohet se ai ka qenë 3.3. ballë.

Kujtojmë se të martën një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.3 të shkallës rihter goditi vendin, duke shkaktuar të vdekur.

Ora 12:02/ Gjirokastra solidarizohet, nis grumbullimi i ndihmave

Qytetarët e Gjirokastrës kanë nisur mëngjesin e sotëm grumbullimin e ndihmave në Pallatin e Sportit për t’iu ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti në Durrës e Thumanë.

Ndërkohë Këshilli Bashkiak Gjirokastër kalon një fond prej 5 milionë lekësh të vjetra nga fondi i emergjencës civile në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti.

Institucioni i Prefektit të qarkut Gjirokastër solidarizohet me familjet e prekura nga tërmeti duke iu bërë thirrje të gjithë bizneseve dhe qytetarëve të ofrojnë ndihmën e tyre monetare dhe materiale në numrat e llogarive bankare dhe qendrat e ngritura me këtë rast.

Ora 12:34/ Tërmeti ka marrë jetën e 31 personave

Deri më tani bilanci i viktimave nga tërmeti është 31 persona, ndërkohë që shifra zyrtare e raportuar është 26 duke krijuar një diferencë për shkak se ka një mospërputhje për disa viktima të cilat ende nuk janë identifikuar.

Rikujtojmë se kryeministri Edi Rama ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe në Durrës, ndërkohë që 27 Nëntori është zyrtarisht Ditë Zie Kombëtare.

Ora 12:03/ Erdogan për tërmetin: Bota islame të mbështesë Shqipërinë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka bërë të ditur se pas lajmit të tërmetit ka biseduar dy herë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe është njoftuar se numri i të vdekurve nga tërmeti ka arritur në 27, raporton një media turke.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë fjalimit në hapjen e mbledhjes së 35-të të Komitetit të Përhershëm për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar (COMCEC) të Organizatës së Zhvillimit Islam.

Erdogan, uroi që mëshira e Allahut të jetë mbi viktimat ndërsa të plagosurve u uroi shërim të shpejtë.

“Pas lajmit të tërmetit dje bisedova dy herë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. I uruam të shkuara”- u shpreh Erdoğan.

Ai tregoi se kryeministri shqiptar, mbrëmë e ka njoftuar se numri i të vdekurve është rritur në 26 ndërsa i atyre në rreth 600.

“Natyrisht qytetet ishin rrënuar seriozisht. Këtu neve na takon diçka, duhet të organizojmë një mbledhje të donatorëve, sepse në lidhje me ndërtesat e rrënuara mendoj se duhet të jemi pranë Shqipërisë, gjë e cila është veçanërisht detyrë e Organizatës Islame për Zhvillim. Besoj se është shumë e dobishme që të hedhim këtë hap. Kjo është një detyrë vëllazërie”- theksoi presidenti turk.

Erdoğan gjithashtu shprehu besimin se vendi i tij dhe të gjitha vendet pjesëmarrëse në këtë mbledhje do t’i ndihmojnë Shqipërisë në këto momente të vështira.

Presidenti i Turqisë duke informuar rreth ndihmave të Turqisë tha:

“Ne me shpejtësi dërguam avionët tonë kargo, Gjysmëhënën e Kuqe Turke, AFAD i kemi dërguar në Shqipëri. Një pas një këto autokolona tona janë duke shkuar në rajon. Besoj se edhe maunet me ndihma humanitare do të mbërrijnë gjatë ditës. E kuptojmë shumë mirë Shqipërinë si një vend i cili më parë shumë herë ka qenë e prekur nga tërmete të mëdha. Të gjithë duhet të qëndrojmë pranë Shqipërisë qoftë në ofrimin e trajtimit mjekësor ndaj të plagosurve qoftë të atyre që shtëpitë u janë shkatërruar ose dëmtuar. Jemi në stinën e dimrit. Duhet të parashikojmë se në çfarë gjendje mund të jenë vëllezërit tanë atje në këtë stinë të ftohtë”.

Unë këtu nëpërmjet jush gjithë botës islame i bëj thirrje që ta mbështesë Shqipërinë”- porositi Erdoğan.

Kujtojmë se Shqipëria dje u godit nga dy tërmete të fuqishme me epiqendër në Durrës në orën 3:55 me magnitudë prej 6,3 ballë në thellësi prej 10 kilometrash dhe më vonë me një magnitudë prej 5 ballë në Kepin e Rodonit.

Ora 11:47/ Pezullohet tarifa e rrugës së Kombit

Në autostradën Durrës-Kukës që lidh Shqipërinë me Kosovën është pezulluar aplikimi i tarifës për automjetet.

Shoqëria koncesionare që menaxhon këtë aks rrugor bën me dije se duke filluar nga 26 nëntori e deri në përfundim të situatës emergjente, të gjitha makinat (individë, shoqata, institucione të Kosovës, Shqipërisë etj.) të mobilizuara për të sjellë ndihma do të lejohen të kalojnë pa pagesë.

Që prej rënies së tërmetit, Kosova ka është mobilizuar menjëherë për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë. Forca të emergjencave të Kosovës kanë ardhur menjëherë në ndihmë të forcave shqiptare të angazhuara në operacion ndërsa dhjetëra automjete kanë sjellë sende të nevojshme në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.

Shumë shqiptarë të Kosovës kanë hapur dyert e shtëpive për të strehuara të gjithë ata që kanë nevojë.

Ora 11:19/ Humbi vëllain, kunatën dhe nipin nga tërmeti/ Halla prek me mesazhin

Personat që shihni në foto janë 3 anëtarët e familjes Çupi, të cilët ndërruan jetë nën rrënoja pas tërmetit të fuqishëm që goditi Thumanën.

Hajredin, Lute dhe Klement Çupi, bashkë me djalin tjetër të familjes, ishin në banesën e tyre në katin e tretë të pallatit 6-katësh, kur tërmeti me magnitudë 6.3 të shkallës rihter, shkatërroi gjithçka dhe rrënojat i zunë brenda.

Nga ngjarja e rëndë shpëtoi mrekullisht një nga djemtë. Mes dhimbjes dhe lotëve, motra e Hajredinit, të zotit të shtëpisë, prek me fjalë zemre, kushtuar viktimave.

“Te preheni ne paqe ! Qofshi engjej te parajses!
O Keli hallës ike shume shpejt nga ne o shpirt ❤❤😭😭😭
O Zemrat e mia sa shpejt na ndau Zoti! Na e bete shpirtin cope o shpirt i motres !
Do jeni gjithmone me ne! 🙏🙏🙏 Pushofshi ne xhenet Hajredin, Lute & Keli Çupi❤”, shkruan halla.

Kujtojmë se Klementi dhe vëllai i tij Aleksi kishin vetëm 3 ditë që kishin ardhur në Thumanë, pasi jetonin njëri në Angli dhe tjetri në Greqi.

Ora 11:06/ Ka çadra! Sako: Banorët refuzojnë të hyjnë në çadra

Kryebashkiakja e Durrësit, Valbona Sako, mëngjesin e sotëm tha se ka mjaftueshëm çadra por banorët refuzojë të akomodohen aty.

Gjithashtu u shpreh se banorët nuk pranojnë të qëndrojnë as në hotelet, ku u është ofruar strehim, nga frika e tërmetit.

“Jo se nuk ka çadra. Njerëzit nuk pranojnë të hyjnë në çadra. Bëjnë zgjedhje individuale për të mos qenë bashkë me familjet e tjera. Këtu ka mjaftueshëm çadra, ka më shumë se 200. Është pjesa tjetër e instaluar që ka mbaruar mbrëmë në mesnatë. Ushqime ka mjaftueshëm.

kolana e librave

U kemi thënë të akomodohen nëpër hotele, ka donatorë të cilët ofrojnë akomodim por nuk pranojnë për shkak të frikës që kanë nga tërmeti. Ushtria, policia shqiptare, policia e Kosovës, bashkia dhe qeveria janë mobilizuar për të menaxhuar. Këtu ka mbi 2500 persona, mbrëmë në mesnatë ka edhe më shumë sesa kaq.

Janë shumë njerëz që i kanë shtëpitë në gjendje për të banuar por janë në panik. Ditët në vijim do themi se çfarë do bëjmë me pjesën që ka zgjedhur të rrijë këtu por që realisht nuk do të akomodohet në vende të tjera.”

Ora 11:01/ Plot 24 orë nën rrënoja/ 25 vjeçari del duke buzëqeshur

25 vjeçari Klajdi Qato del duke buzëqeshur nga rrënojat e pallatit të shembur në Durrës.

Ai është nxjerrë shëndoshë e mirë nga ekipet e shpëtimit.

I riu është në gjendje të mirë shëndetësore, pavarësisht dramës që ka kaluar. Nxjerrja e tij është pritur me lot gëzimi nga familjarët.

I riu është fshehur nën krevat gjatë këtyre orëve.

Ora 10:58/ Dy djemtë e çiftit Çupi kishin 3 ditë që kishin ardhur nga emigrimi

“Dy djemtë kishin vetëm 3 ditë që kishin ardhur nga emigrimi, për të vizituar në Thumanë prindërit”.

Kështu deklaron e afërmja e familjes Çupi, nga të cilët vetëm një pjesëtarë mbeti i gjallë nga tërmeti shkatërrues në Thumanë.

Erjola Jata, e afërmja tha se familja Çupi jetonte në pallatin 6-katësh prej 20 vitesh.

“Nën rrënoja ndodheshin 3 anëtarë të një familje. Vetëm njëri nga djemtë e Hajredinit shpëtoi, tjetri vdiq. Prej 20 vitesh jetonin në këtë pallat. E gjithë familja ka qenë në banesë jetonin në katin e tretë.

Në tërmetin e datës 21 shtator kanë pasur dëmtime të vogla. Plasaritje të vogla kanë pasur. S’kanë pasur anën financiare të lëviznin nga ky pallat. Hajredini ka qenë pensionist, ndërsa gruaja e papunë.

Djemtë kishin 3 ditë që kishin ardhur në Thumanë, njëri ishte emigrant në Greqi, dhe tjetri në Angli”, tha afërmja e kësaj familje fatkeqe.

Ora 10:41/ Mes viktimave të tërmetit edhe një vajzë 4-vjeç

Nga shembja e banesës që u shemb një ditë më parë në Durrës kanë humbur jetë edhe një vajzë 4-vjeçare bashkë me gjyshen e saj.

Ariela Lala 4-vjeç dhe Selvie Lala 75-vjeçare kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së banesës.

Ora 10:28/ Shuhet familja në Thumanë, burrë e grua nxirren të pajetë nga rrënojat!

Burrë e grua Pëllumb dhe Çelike Greku janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat e banesave në Thumanë.

Ata kanë qëndruar për më shumë se 24 orë nën rrënoja ndërkohë që janë nxjerrë mëngjesin e sotëm pa asnjë shenjë jete.

Djali i tyre Saimir Greku u nxor i gjallë nga rrënojat por humbi jetën në spitalin e Traumës.

Ora 10:13/ Instituti Kombëtar i Gjeofizikës në Itali: Mund të kishte patur 300 viktima

Sizmologu Alessandro Amato, drejtues i Qendrës ‘Alert Tsunami’ të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologëve: Me një fuqi të tillë mund të kishte treqind viktima. Nuk mund të thuhet se “shkoi mirë”, por sigurisht që mund të kishte qenë edhe më keq.

Shqipëria, shpjegoi gjeologu dhe sizmologu Alessandro Amato, drejtues i Qendrës Alert Tsunami të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, tashmë ishte tronditur që në muajin Shtator.

“Zona ballkanike kishte qenë tashmë aktive prej dy muajsh, siç ishte rasti i tërmetit të gushtit në Amatrice, në Itali me magnitudë 6.0, i cili u pasua nga ai i 30 tetorit me magnitudë 6.5 (si ai i Durrësit).

Apeninet dhe Alpet Dinarike janë dy anët e së njëjtës pllakë, pllaka e Adriatikut, një grup blloqesh gjeologjike që lëvizin drejt veriut dhe rrotullohen në të kundërt.”

Po pse fërkimi mes tyre nuk shkaktoi tërmet edhe në Itali?

“Pllakata përfshin 1.000 km por është e përbërë nga disa blloqe. Tërmeti i vitit 2016 në Itali përfshiu një zonë prej rreth830 km duke prekur zonën e Shqipërisë dhe Malit të Zi. Në 100 vitet e fundit ka pasur 7 tërmete me madhësi mbi 6 ballë. Më i forti, në vitin 1979 në Mal të Zi me magnituda 6.9 me 135 viktima dhe 100 mijë persona të zhvendosur. Në Itali sistemi i goditjeve ndodhi edhe në Umbria në vitin 1997, L’Aquila në vitin 2009 dhe Umbria në vitin 2016”.

Si do të shkojnë ditët e ardhshme?

Sipas Alessandro Amato, drejtues i Qendrës ‘Alert Tsunami’ të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologëve: E keqja më e madhe kaloi. Do të ketë lëkundje që do të vazhdojnë me muaj, ndoshta dhe me vite. Kjo është normale.

Me kalimin e kohës lëkundjet zvogëlohen në numër dhe madhësi.

Ora 10:05/ Emergjenca civile nga Kosova/ Behgjet Pacolli mbërin në Thumanë

Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli pa nga afër situatën në Thumanë, një ditë pas tërmetit prej 6.4 ballë, ku shkaktoi disa të vdekur dhe qindra të plagosur.

Në Thumanë ndodhen emergjencat civile të ardhur nga Kosova, të cilët po punojnë për të nxjerrë personat që ndodhen ende nën rrënoja.

Më herët në Thumanë, ishte edhe zv.kryeministri në detyrë i Kosovës, Fatmir Limaj.

Ora 09:47/ Nxirret trupi i pajetë i 32-vjeçarit në Thumanë, babai i tij ende nën rrënoja

Një tjetër i pajetë është nxjerrë nga rrënojat në Thumanë.

Forcat e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë mëngjesin e sotëm trupin e pajetë të 32-vjeçarit Klement Çupi.

Ndërkohë nën rrënoja ndodhet edhe babai i tij.

Gjatë gjithë natës është punuar për të gjetur të mbijetuar dhe viktima që ndodhen ende nën rrënojat e godinave të shembura për shkak të tërmetit si në Durrës ashtu edhe në Thumanë.

Ora 09:31/ Dëmtohen 18 pallate në Kurbin, banorët kalojnë natën në çadra

Si pasojë e tërmetit në bashkinë e Kurbinit janë dëmtuar 18 pallate, banorët e të cilëve janë evakuuar dhe po qëndrojnë në çadrat pranë shkollës së mesme.

Shumë banesa në Njësitë Administrative Mamurras, Fushe-Kuqe dhe Milot kanë pësur plasaritje.

Specialistet kanë konkluduar se banesat e dëmtuara janë të pabanueshme.

Mësimi në shkolla është pezulluar dhe po bëhet verifikimi i gjendjes së shkollave nga grupet përkatëse të vlerësimit.

Ora 09:10/ Meta në Thumanë: Njësitë e specializuara të Kosovës, kurajo e pashembullt

Meta me zv.kryeministrin e Kosovës në mesnatë në Thumanë: Njësitë e specializuara të Kosovës, kurajo të pashembullt

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka qenë në mensatë në Thumanë bashkë me Zv.Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Fatmir Limaj.

Së bashku kanë takuar forcat speciale të Kosovësqë po punojnë për nxjerrjen e të mbijetuarve dhe personave që kanë humbur jetën nga rrënojat.

Meta i ka falenderuar njësitet e specializuara nga Kosova dhe shkruan se kanë treguar kurajo të pashembullt.

“Në mesnatë, së bashku me Zv.Kryeministrin në detyrë të Kosovës, z.Fatmir Limaj, pata kënaqësinë të takoja në Thumanë, njësitë e specializuara të emergjencës së Kosovës që po ndihmojnë banorët e kësaj zone të dëmtuar shumë rëndë nga tërmeti.

I falenderova me mirënjohje për solidarizimin, profesionalizmin dhe gatishmërinë e lartë, si dhe për kurajon e pashembullt që po na dëshmojnë, duke na bërë krenarë të gjithëve!

FALEMINDERIT KOSOVË E DASHUR!”- shkruan presidenti Meta.

Ora 08:58/ Shkon në 27 numri i të vdekurve nga tërmeti

Ka shkuar në 27 numri i viktimave nga tërmeti i një dite më parë.

Mëngjesin e sotëm në Spitalit e Traumës humbi jetën Saimir Gregu 31 vjeç banor i zonës së Thumanës.

Ndërsa nga rrënojat janë nxjerrë dy persona të tjerë, njëri i identifikuar si Klement Cupi 32 vjeç.

Ndërkohë sipas ministrisë së Mbrojtjes janë plagosur mbi 650 persona, ndërsa mbi 40 janë shpëtuar.

Që prej mëngjesit të djeshëm deri sot në gjithë territorin e vendit janë regjistruar mbi 300 tërmete.

Ora 08:55/ Tërmeti/ Rama: Duhet duhet t’iu ndërtojmë banesat

Kryeministri Edi Rama tha se pas fatkeqësisë që ka pllakosur vendin sfidë e madhe është programi i rindërtimit.

Kreu i qeverisë deklaroi se do bazohemi tek buxheti i qeverisë, tek buxheti i bashkive por dhe për këtë po punojmë për një skemë financimi që të na mbulojë një financim tërësor.

“Sfida e madhe është programi i rindërtimit. Duhet që familjeve në Thumanë duhet tju ndërtojmë banesat. Të gjithave por familjeve në Thumanë duhet t’u ndërtojmë pallatet që duhet të ishin shumë më të forta.

Është një sfidë e madhe, do bazohemi tek buxheti i qeverisë, tek buxheti i bashkive siç imponon ligji për gjendjen e jashtëzakonshme por nuk mjafton dhe për këtë po punojmë për një skemë financimi që të na mbulojë një financim tërësor. Pa u kufizuar pa u mbuluar thjesht me anën tjetër që është mekanizmi i financimit të jashtëm.

Kam folur me kolegët europiane dhe para se të vija këtu po komunikoja me kryeministrin e Danimarkës dhe kështu me të gjithë. Nëse Zoti nuk ka bërë ndonjë plan tjetër do jemi për pak ditë në samitin e NATO-s dhe aty do të bëjmë një diskutim për si do të adresohet kjo plagë e hapur.

SHBA-të kanë ofruar të gjithë gatishmërinë e tyre. Na duhet një komitet kombëtar për rindërtimin”, deklaroi Rama.

Ora 08:46/ Tërmeti, Rama shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Kryeministri Edi Rama ka shpallur sot gjendjen e jashtëzakonshme pas tërmetit shkatërrues që ka marrë deri më tani 25 jetë njerëzisht, ndërkohë që frika mbetet ende pezull pasi bilanci edhe mund të rritet.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë kryeministri pohoi se nuk është thjesht çështje financash, ndërsa nuk nguroi që t’i kthente përgjigje edhe akuzave të opozitës, duke shtuar se; “Nuk e di nëse janë të gatshëm ata që e predikonin gjendjen e jashtëzakonshme që tu nënshtrohen këtyre masave”.

“Do shpallim gjendjen e jashtëzakonshme bazuar në Kushtetutë. Ashtu si Kushtetuta dhe legjislacioni shtjellojnë, duke nisur nga natyra dhe perimetri i situatës do të jetë gjendje e jashtëzakonshme për dy rajonet e prekura në mënyrë të drejtpërdrejtë, Tiranën dhe Durrësin.

Por për atë që nuk e dinë, gjendja e jashtëzakonshme nuk është çështje thjesht financash, por e një sërë masave. E thash dje dhe e thotë dhe historia jonë. Pasi çështjen financiare se kemi lënë asgjë mangët. Nuk e di nëse janë të gatshëm ata që e predikonin gjendjen e jashtëzakonshme që tu nënshtrohen këtyre masave.

Gjendja e jashtëzakonshme, për një periudhë 30 ditore, ka hapësirat dhe detyrimet për ata që duhet ta qeverisin atë. Mbase nuk do u vijë për shtat atyre që e kanë predikuar, pasi ka qenë një temë me të cilën mund të bënin politikë, pasi Shqipëria ishte në lot”, tha Rama.

Ora 08:36/ Tërmeti/ Sot ditë zie kombëtare. Vijon kërkimi për të mbijetuar

Tërmeti i fortë i mëngjesit të së martës nuk do të jetë i lehtë për t’u harruar nga shqiptarët.

24 persona kanë mbetur të vdekur deri tani, ndërsa kanë pësuar lëndime 657 të tjerë. Qendrat më të goditura kanë qenë Durrësi dhe Thumana. Ndërkohë që prej mëngjesit të djeshëm vijon kërkimi i të mbijetuarve dhe personave të zhdukur nën rrënoja e godinave të shembura në Durrës e Thumanë.

Tre viktima u nxorën nga pallati 6 katësh që u shemb në Durrës; 5 viktima në rrënojat e 3 pallateve që u shembën në Thumanë; 4 viktima janë nxjerrë nga rrënojat në Kënetë në Durrës.

Në vilën që u shemb në Kënetë, dy viktima në familjen Lala por nga kjo familje u shpëtua një 17-vjeçar.

Një viktimë u gjet në rrënojat e Kavalishencës në Durrës. Bëhet fjalë për policin Bajram Hadërmataj. Një person nga paniku u hodh nga pallati në Kurbin duke humbur jetën.

Dy të rinj nga Kosova u nxorën të pajetë nga rrënojat e ‘Tropikalit’. Në Thumanë e Durrës situata vijon të jetë e rëndë pasi ka ende njerëz në rrënoja.

Sot është shpallur ditë zie kombëtare nga qeveria. Sipas IGJEUM, që nga dje e deri sot, ka pasur rreth 310 paslëkundje.

Ndërkohë në kampingun e Thumanës janë ngritur rreth 67 çadra ku janë strehuar 700 banorë dhe po kështu janë ngritur kampe edhe në Durrës, Manëz, Ishëm, Sukth e Katund i Ri, rreth 181 çadra në total, ku janë strehuar rreth 1450 banorë.

Shqipëri u trondit mëngjesin e së martës nga një tërmet i shkallës 6.3 të shkallës Rihter që ra në orën 3:54 të mëngjesit dhe u pasua me disa lëkundje të tjera.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nuk është thjesht çështje financash, por…

Tërmeti, Rama shpall gjendjen e jashtëzakonshme


"Shqipëria, epiqendra e re europiane e teknologjisë 'blockchain'

Mediat e huaja, jehonë pozitive ligjit për kriptomonedhat

Vendi me 10 mijë të infektuar në ditë ia kalon dhe Italisë

Pandemia krijon një tjetër vatër të nxehtë në botë

"Javën tjetër ia çojmë draftin Komisionit për Zgjedhoren"

Përfundon mbledhja e Këshillit Politik, Gjiknuri zbulon çfarë u diskutua

"I thamë ambasadores Kim se nuk votojmë për pazare"

Opozita parlamentare kundër marrëveshjes