MENU
klinika

Digjitalizimi

Shpallet tenderi/ 146.2 mln lekë për ujësjellës – kanalizimet

02.11.2019 - 11:30

Ndërmarrjet e ujësjellës- kanalizimeve do të kenë një sistem të digjitalizuar që do të shërbejë për monitorimin dhe raportimin e tyre.

Sistemi do të kushtojë 146.2 milionë lekë, fond ky i vënë në dispozicion të tenderit të shpallur nga AKSHI.

“Sistemi ka për qëllim automatizimin e procesit të identifikimit, regjistrimit dhe mirëmbajtjes së aseteve në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve për të ndihmuar në zhvillimin e një platforme kombëtare të aseteve të ujësjellës-kanalizimeve dhe përdorimin e këtij informacioni për hartimin e programeve dhe politikave kombëtare të mbështetura në evidencë, bashkërendimin e përpjekjeve midis institucioneve në nivel qendror dhe vendor për përmirësimin e monitorimit të investimeve në këtë sektor dhe planifikimin në vijimësi, kontrollin dhe monitorimin e projekteve të financuara nga buxheti i shtetit ose donatorë në fushën e ujësjellës kanalizimeve, programim e investimeve për sektorin bazuar në prioritetet e Masterplan dhe projektet e depozituara në AKUM”, specifikohet në dokumentin bashkangjitur tenderit.

Projekti parashikon realizimin e një sistemi i cili grumbullon, e më tej analizon informacionin për secilën shoqëri ujësjellës- kanalizime, duke pasur një pasqyrë të investimeve të realizuara deri tani, si dhe planifikimin e nevojave për investime në të ardhmen.

Tenderi i shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik do të qëndrojë i hapur deri në 25 nëntor ora 13:00, për të gjithë aplikantët e interesuar, si dhe pritet të realizohet brenda një afati 6 mujor, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.