MENU
klinika

Mediet italiane për Kumbullën

“Shqipëria e nuhati, i mori talentin Italisë”

12.11.2019 - 15:14

Mediat italiane edhe njëherë tjetër kanë vlerësuar talentin shqiptar Marash Kumbulla. “TuttoMercattoWeb” ka vendosur në ditën e sotme të bëjë një klasifikim të futbollistëve me mesataren më të lartë të notave në Serinë A.

Në këtë listë nuk mund të mungonte një nga surprizat e sezonit në Serinë A, si mbrojtësi Marash Kumbulla. Vetëm 19-vjeçar i Verona-s dhe në sezonin debutues në elitën e futbollit italian, Kumbulla ia ka dalë të kthehet në lider të repartit difensiv të Veronës, ashtu siç përshkruan edhe portali nga përtej Adriatikut.

Në këtë renditje mbrojtësi kuqezi renditet në vendin e 24, me një mesatare note prej 6.44 për ndeshje. Sakaq, në portalin italian theksohet edhe nuhatja e Shqipërisë për talentin, duke ia rrëmbyer nga duart të kaltërve.

“Lideri defensiv i një prej mbrojtjeve më të mira në Serinë A. Surprizues impakti i tij me kampionatin, duke pasur parasysh rolin e pakët në sezonin e kaluar. Ai ka bindur trajnerin Juriç që në stërvitjet e parasezonit dhe tashmë është shpërblyer.

Shqipëria ka nuhatur talentin e Kumbullës dhe ia ka marrë Italisë. Më 14 tetor bëri edhe debutimin me ngjyrat e Kombëtares”, – ishte përshkrimi për sezonin e Kumbullës deri më këto momente.

Mbrojtësi shqiptar është aktivizuar në nëntë ndeshje në Serinë A, duke shënuar edhe një gol. Ai u dëmtua para dy javësh dhe tani po riaftësohet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN