Në sirtarin e parë të komosë, atje ku shumica e shqiptarëve mbanin sendet me vlerë, prindërit e mi ruanin ndër të tjera edhe një kuti të vogël. E lindur në epokën e sapunit “Lux”, ajo kuti ishte si një magji më vete. Mes 100 yçklash, dora më shkonte pikërisht atje. Në astarin e brendshëm prej atllasi lexonte: “Vllaznit Tufina”. Ç’të ishin “Tufinat”?!
Do të duhej të kalonin shumë vjet që atëherë, që të takoja një nga pinjollët e familjes Tufina.
Syri Tufina i përket brezit të katërt të sahatçinjve të Tiranës, orëndreqësve dhe tregtarëve më me famë në Shqipëri përpara Çlirimit.
Syri Tufinën e gjejmë në dyqanin e tij në rrugën “Hoxha Tahsin”, ku hyjnë e dalin klientë. Disa sjellin, disa marrin ora. Ai vendos në sy monoklin dhe përpiqet të gjejë defektin. “Bateria e kësaj ore ka edhe 2 vjet jetë. E ke vënë përpara një viti”, i thotë ai klientit, ndërsa unë shfrytëzoj rastin për të parë nëpër vitrina, jo vetëm orët e reja, por për të “ngecur” pas tik-takeve të orëve të vjetra, atyre me qostek, orëve të tavolinës, të murit… dhe veglave të trashëguara brez pas brezi, që sot, me zhvillimin e teknologjisë, kanë mbetur si relikte të çmuara.
“Familja ime ka nisur të merret me këtë zanat që nga viti 1868 nga stërgjyshi, për të vazhduar brez pas brezi. Fillimisht stërgjyshërit janë marrë me zejtari, riparim armësh gjuetie dhe ndërkohë nisën të merren edhe me sahatet, në mënyrë autodidakte dhe e perfeksionuan. Me armët vijoi të merrej vetëm xhaxhai i tim etj.. Vazhduam ta mbanim gjallë këtë zanat dhe në sojin tonë janë të rrallë meshkujt, që kanë kaluar në profesion tjetër, madje edhe një mbesë e jona u mor me ndreqje sahatesh”, tregon Syri Tufina, ndërsa në mur dëgjohet ding-dongu i orës fikse.
Në vitet ’20 të shekullit të kaluar, Tufinat nisën të merreshin dhe me tregti. Kishin lidhje me Italinë dhe Zvicrën. Dy vëllezërit Shabani dhe Haxhiu e çuan më tej punën e të atit dhe ua trashëguan edhe të bijve.
“Unë zanatin ia kam vjedhur babës. Në shtëpinë tonë dhe në farefis nuk flitej për gjë tjetër. Zanati ishte primar. Kam qenë në moshën 13 vjeçare dhe kam filluar me përgatitjen e xhamave për orët. Punoja bashkë me vëllanë tim, Bahriun. Në atë kohë funksiononte Kooperativa e Artizanatit “17 nëntori”, për të cilën ne prodhonim xhama. Ishim të vetmit që kishim një makineri të tillë, të blerë në Itali”, tregon ai, teksa kthehet pas në kohë dhe kujtonin një nga ato momente të trishtuara, që e bëjnë të përlotet.
Ishin kohërat kur tregtarët e zanatçinjtë konsideroheshin si “gjakpirës” të popullit. Pasi u kishin sekuestruar gjithçka, pas viteve ’60 kërkuan t’u sekuestronin edhe makinën prerëse.
Me prishjen e Pazarit të Vjetër të Tiranës, ku ndodheshin dyqanet e Tufinave dhe zhbërjen e pronës private, Tufinat do të ulnin qepenët, por pa e harruar zanatin.
“Kam punuar për disa vjet në Uzinën ‘Dinamo’, në laboratorin e mjeteve matëse, të precizionit të lartë. Më vonë kam qenë kryekontrollor për gjithë Uzinën Mekanike të Tiranës, që kontrolloja instrumentet që kishin etalon për matje”, tregon ai. Ndërsa i vëllai do të realizonte të parën orën “Made in Albania”, me “forcat tona”. “Vëllai im ka prodhuar orën e parë shqiptare. Ora tavoline dhe ora muri. Vëllai im i madh ka punuar në Ndërmarrjen e Konsumit të Gjerë. Në fillim nisi Kooperativa “17 Nëntori” të prodhonte pjesë, por mungonin kushtet për të realizuar një gjë të tillë dhe më pas u realizua në Ndërmarrjen e Konsumit të Gjerë”.
Por pavarësisht se puna private ndalohej, ata vazhdonin ta ushtronin, fshehurazi, siç tregon mjeshtri, me dritare të bllokuara me batanije. “Spiunët i kishim gjithandej. Madje kanë shkuar dhe kanë raportuar edhe te Mehmet Shehu, i cili u ka thënë: pasuritë ua morëm, dyqanet ua mbyllëm, tani nuk mund t’u presim edhe duart. Duan të ushqehen dhe ata”, kujton Syriu. E me sa duket edhe Mehmet Shehu e kishte një arsye më tepër, pasi orët dhe syzet e udhëheqjes, për t’u rregulluar, kalonin sërish nga Tufinat.
Me ndërrimin e sistemeve, Tufinat ngritën sërish qepenët. Nuk ishin më ata të parët, lidhjet e vjetra kishin humbur gjatë viteve të diktaturës, por ata u përpoqën të rimëkëmben. Zanatin ia trashëgoi të birit, i cili me sa duket do ta kalojë po ashtu stafetën në familje. “Bari do shkoj n’rronj”, i thomi ne n’Tiron.
Tironsit vazhdojnë ende t’i çojnë orat për t’i rregulluar tek ata, edhe pse tanimë ata nuk e kanë më ekskluzivitetin. Por Tufinat janë një markë, i rezistuan regjimeve, mësuan nxënës gjithandej. Dhe sekreti nuk ishte thjesht pasioni për punën, durimi, precizioni, përqendrimi. “Kena punu me nershmëni”, thotë Syri Tufina, teksa pret klientin e radhës.
(“Sekrete Mjeshtërie”, MK)