MENU
klinika

Risitë e projektit

Sistemi i faturave elektronike/ Buxheti ‘thith’ para

17.11.2019 - 14:14

Projekti i fiskalizimit, që parashikohet të nisë vitin e ardhshëm, do të kushtojë 2 miliardë e 238 milionë lekë. Ky projektligj ndodhet në Kuvend.

Por relacioni, nga ana tjetër, evidenton edhe efekte pozitive që ky projekt do sjellë në financat publike.

“Vlerësohet që nga implementimi i plotë i projektit të fiskalizimit, të ardhurat nga TVSH-ja e brendshme të rriten me rreth 20-30%, krahasuar me TVSH-në që arkëtohet aktualisht.Në terma sasiorë, të ardhurat nga TVSH-ja pritet të rriten 10 miliardë lekë ose me rreth +0,5 deri +0,6% të PBB-së” shkruhet në relacion.

Objektivi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është që, në terma afatmesëm 3-4 vjeçarë të implementimit të projektit të fiskalizimit, të ardhurat nga TVSH-ja të arrijnë mbi 9,2% e PBB-së.

Projektligji i propozuar ka për synim krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend, bazuar në një sistem të ri të pajisjeve fiskale (gjenerata e re e kasave fiskale).

Reforma e fiskalizimit është një angazhim madhor i qeverisë, në përpjekjen e saj për të minimizuar ekonominë informale, nëpërmjet modernizimit të sistemit të monitorimit të taksave.

  • Ky projektligj synon:

-Uljen e nivelit të ekonomisë informale;

-Përmirësimin e mbledhjeve të të ardhurave;

-Identifikimin më lehtë të evazionit;

-Bërjen e auditimit të taksave më cost-eficent;

-Uljen e nivelit të korrupsionit në administratë;

-Ofrimin e më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin;

-Pozicionimin e Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Evropian.

Qëllimi kryesor i këtij projekti është të luftojë evazionin fiskal nëpërmjet një legjislacioni të mirërregulluar, pajisjeve teknologjike dhe informacionit të përfituar në kohë reale për çdo transaksion të kryer në vend.