MENU
klinika

Periudha e fundit gjeologjike

Spiralja e jetës në tokë/ 4.5 bln vite më parë deri më sot

16.11.2019 - 20:06

Paraqitja grafike e spirales krolonologjike të zhvillimit të jetës në tokë ç’prej 4.5 bilion vjet më parë deri në 2 milion-11.500 vjet më parë, periudhë kjo e fundit gjeologjike e cila në shkencë quhet periudha e Kuartarit (Quartus)…!

Periudha e Kuartarit ndahet në Pleistocen (diluvium) dhe Holocen (aluvium). Pleistoceni zgjati afro 2 milion vjet, ndërsa Holoceni zgjati vetëm 11,500 vjet, dhe vazhdon edhe sot. Karakteristika themelore e Kuartarit është rënia e ndjeshme e temperaturës mesatare vjetore të Tokës, e cila ka bërë që zonat e akullta të kontinenteve të ngrihen, veçanërisht në hemisferën veriore.

Masat e akullit kanë përfshinirë jo vetëm rajonet e Arktikut të ditëve të sotme, por edhe Europën veriore (vendet baltike, Rusia, Polonia dhe Gjermania veriore), Amerika e Veriut dhe Siberia. Në pjesë të tjera të hemisferës veriore, akullnajat kanë goditur malet e larta si, Alpet, Pirrinët, Alpet shqiptare, Durmitorin, etj. Mbetjet e materialit të kësaj kohe të krijuar nga shtresat e akullit janë ruajtur në zonat e ngrira.

Gjatë kësaj periudhe të gjatë kanë ndodhur migrime të mëdha të organizmave, zhdukja apo përshtatja e tyre me rrethanat e reja ishin të zakonshme. Vetëm në zona më të ngrohta, veçanërisht në tropikët, jeta rrodhi vazhdimisht pa shqetësime të mëdha. Ngjarja më domethënëse e periudhës së Kuartarit ishte padyshim shfaqja e njeriut.

kolana e librave

Pleistoceni si një tërësi përkon me periudhën arkeologjike të Paleolitit (ose periudha e Vjetër e Gurit). Ndërsa kalimi nga Pleistocenit në periudhën Holocene, 11. 500 vjet më parë, në kuptimin arkeologjik shënohet më periudhën e Mesolitit (ose periudha Mesme e Guri).

Gjatë periudhës së Holocenit, civilizimi njerëzor ishte në gjendje të zhvillohej për shkak të klimës relativisht të qëndrueshme. Në këtë epokë njerëzit do të merren me bujqësi për të krijuar vendbanime të cilat çuan në rritjen e popullsisë. Megjithatë, diferencimet etnike do të paraqitën shumë më vonë të kushtëzuar sidomos nga fenomeni kulturor dhe gjeografik.

/ Nga Jahja Drancolli.