Një tjetër stadium është kthyer në strehim për të prekurit nga tërmeti i sotëm që tronditi Shqipërinë, sidomos qytetin e Durrësit, ku ka pasur tragjedi në njerëz, por edhe dëme të rënda në banesa, që janë kthyer në të pabanueshme.
Shumë persona kanë mbetur jashtë shtëpive të tyre dhe i janë drejtuar menjëherë stadiumit “Niko Dovana” në Durrës. Të sistemuar në fushën stërvitore pranë stadiumit, por edhe në ambientet e brendshme, ata kanë marrë ndihmën e parë nga vullnetarët.
Gjatë natës fushat do të kthehen në kamp pritje me çadra të vendosura për familjet dhe njerëzit që nuk mund të kthehen në banesat e tyre. Pritet që situata të vazhdojë për disa ditë, duke e kthyer stadiumin dhe aneksin e tij në një qendër të mirëfilltë pritjeje të të pastrehëve.
Federata ka shtyrë ndeshjet e kampionatit në fundjavë, kështu që për momentin mund të qëndrojnë aty. Edhe stadiumi “Selman Stërmasi” në kryeqytet është vënë në dispozicion të njerëzve në nevojë.