MENU
klinika

Kujton çlirimin e kryeqytetit

Taulant Balla: Historia mund të komentohet, por nuk mund të ndryshohet

17.11.2019 - 16:12

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka kujtuar sot 75-vjetorin e çlirimit të  Tiranës, duke shkruar se duhet nderuar e respektuar lufta antifashiste  nacionalçlirimtare.

Sipas Ballës, historia mund të komentohet, por nuk mund të ndryshohet, ndërsa shton se ka patur gjithmonë përpjekje në këto 28 vite për të hedhur baltë ndaj Luftës Antifashiste, ndaj dëshmorëve

Historia mund të komentohet, por nuk mund të ndryshohet. Faktet mund të interpretohen, por përmbajtja e tyre është shkruar me gjakun dhe sakrificat e luftëtarëve dhe dëshmorëve të lirisë. Prandaj, zotërinj studjues, kalemxhinj dhe të ashtuquajtur historianë modernë, mos e përdhosni historinë dhe mos i rivrisni të rënët!”, shkruan ndër të tjerash Balla.

Postimi i plotë në facebook: 

Sot është koha e duhur të flasim për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, këtë ngjarje që zgjidhi një ndër dilemat më të rëndësishme të kombit shqiptar gjatë shekullit të 20-të: Nëse Shqipëria do të vendosej në anën e duhur apo në anën e gabuar të historisë.

Në Luftën e Dytë Botërore, ne shqiptarët, ashtu si edhe popujt e tjerë të Europës dhe më gjerë, me luftën heroike partizane, u angazhuam në një përpjekje të madhe, luftarake dhe të përgjakshme, si aleatë në krah të koalicionit të madh antifashist.

Nëse sot jemi krenarë që Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore u vendos në anën e antifashistëve, fitimtarëve, dhe frontit të madh të lirisë, kjo është meritë e partizanëve shqiptarë, këtyre kalorësve të çlirimit dhe të lirisë.

Shqipëria jonë e vogël u bë një aleate e madhe e koalicionit antifashist. E madhe për nga çmimi i jashtëzakonshëm i gjakut që pagoi dhe sakrificave të panumërta njerëzore.

eb4f28ee-f21b-4b44-b93f-5ea02e232498

Nderimi i këtyre sakrificave është në dinjitetin e çdo gjenerate shqiptarësh. Prandaj nderimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, i dëshmorëve dhe heronjve të lavdishëm të kësaj Lufte, nderimi i çdo faqeje të kësaj lufte dhe i vetë datës së çlirimit të vendit tonë, në 29 nëntor 1944, është nderi i çdo shqiptari.

Ka patur gjithmonë përpjekje në këto 28 vite për të hedhur baltë ndaj Luftës Antifashiste, ndaj dëshmorëve.

Sakrifica e mijëra djemve dhe vajzave të Shqipërisë që ranë me një idealizëm të pashoq në luftën për çlirim nuk mund të mohohet, e padyshim meriton më tepër. Meriton shumë më tepër sesa fjalët, edhe sesa përveç fjalëve është mundur të bëhet e tregohet gjithë këto vite. Nuk duhet dhe nuk mund të ngatërrohet epopeja e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare me atë që pasoi pas vitit1945.

Prandaj, nderimi që i bëhet çdo dëshmori që dha jetën për Çlirimin e Atdheut, çdo nderim që bëhet në familjet e dëshmorëve është një vlerë që shoqëria jonë duhet ta përçojë në brezat e ardhshëm.

Edhe këto kohë, kur të gjithë festojmë me krenari të ligjshme 75 vjetorin e çlirimit, nuk kanë munguar përpjekjet për të mohuar, errësuar apo relativizuar Luftën Antifashiste Nacionaclirimtare, këtë vepër monumentale të partizanëve shqiptarë, të Brigadave, divizioneve dhe korparmatave të Ushtrisë partizane.

Historia mund të komentohet, por nuk mund të ndryshohet. Faktet mund të interpretohen, por përmbajtja e tyre është shkruar me gjakun dhe sakrificat e luftëtarëve dhe dëshmorëve të lirisë. Prandaj, zotërinj studjues, kalemxhinj dhe të ashtuquajtur historianë modernë, mos e përdhosni historinë dhe mos i rivrisni të rënët!

Faktet flasin se Lufta Nacionalçlirimtare nuk ishte një konflikt idesh, por një betejë ushtrish të pabarabarta; nuk ishte një ndeshje e zakonshme, por një luftë e përgjakshme në malet, luginat, qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, ku partizanët luftuan, u plagosën, u ringritën, u vranë dhe mbetën të skalitur në historinë, këngët dhe kujtesën e të gjithë shqiptarëve.

Dhë nëse për këto të vërteta nuk ju bindin socialistët shqiptarë, të cilët e kanë për nder të jenë partia e pasardhësve të partizanëve, çlirimtarëve dhe veteranëve të kësaj Lufte epike, bëni durim, lexoni e rilexoni çfarë thonë aleatët e mëdhenj të partizanëve shqiptarë.

Lexoni çfarë ka shkruar që në vitin 1943 Uiston Çërçill, Kryeministri i Britanisë se Madhe ne Luftën e Dyte Botërore dhe një antikomunist i denjë e i respektuar dhe jo qesharak si antikomunistët e sotëm shqiptarë:

“Partizanët shqiptarë po luftojnë në malet e tyre për pavarësinë e vendit të vet. Oficerët britanikë te ndërlidhjes janë pranë këtyre partizaneve dhe i kane çmuar lart cilësitë e tyre luftarake ne zhvillimin e ardhshëm në teatrin e luftës për Mesdheun”.

Ndërsa një vit më vonë, kur në malet e Ballkanit po frynte era e çlirimit dhe e lirisë, Çërçill, do të shkruante: “Në malet e thepisura të Jugosllavisë, Shqipërisë dhe Greqisë rezistenca e fuqishme kundër Gjermanisë ka mbërritur në kulmin e ashpërsisë”.

Ndërkohë, misionari britanik Rexhinald Hebert, që nuk ishte as laburist, as socialist, por një konservator i njohur, duke iu referuar Luftës së partizanëve shqiptarë, shkruan: ”Britaninë e Madhe e tërhoqi me vete vala e luftës partizane.”
Partizanët shqiptarë luftuan kundër okupatorëve të egër, të cilët nuk erdhën në Shqipëri si kalimtarë, por me një qëllim të qartë dhe të deklaruar: pushtimin e vendit. Këtë nuk e themi vetëm ne, nuk e thonë as vetëm historianët seriozë dhe patriotë shqiptarë, por edhe studjues prestigjiozë të huaj.
Historiani amerikan Bernd Fischer, në librin e tij “Shqipëria gjatë luftës, 1939-1945”, duke iu referuar dokumenteve gjermane, e përshkruan hyrjen e forcave gjermane në tokën shqiptare si një pushtim i vërtetë: “Planifikuesit ushtarakë të Vermahtit gjerman, nënvizon Fischer, i kishin përgatitur mirë planet për pushtimin e Shqipërisë.”

Si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe Kryetar i Grupit Parlamentar Socialist, unë ndjehem krenar që, në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit, kam propozuar që Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare t’i jepet urdhri “Nderi i Kombit”, për kontributin që ka dhënë në mbrojtjen, përhapjen dhe edukimin te brezat e rinj të idealeve e vlerave antifashiste, përpjekjeve e sakrificave të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore.

Këto vlera qëndrojnë në themel të Shqipërisë demokratike, të Europës demokratike dhe Shqipërisë europiane. Shqipëria po shkon në Europë, si Shqipëria e partizanëve, antifashistëve dhe çlirimtarëve dhe jo si Shqipëria e kolaboracionistëve.

Jam gjithashtu krenar që Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar shtesën në ligjin “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar” dhe caktoi 20 korrikun si Dita e Veteranëve, e nderimit dhe respektimit të veteranëve dhe pasardhësve të tyre.

Jam Krenar që Kuvendi dhe Qeveria e Shqipërisë e shpallën vitin 2019 si vitin e 75 vjetorit të çlirimit të atdheut dhe nderuan me krenari legjitime e dinjitet këtë ngjarje monumentale të historisë sonë kombëtare.

Një komb që nderon çlirimtarët e vet, është një komb i emancipuar. Le ta tregojmë emancipimin tonë duke nderuar e respektuar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, partizanët shqiptarë, dëshmorët e heronjtë e kombit dhe familjet e tyre, ju veteran të respektuar dhe pasardhësit tuaj.