MENU
klinika

"Çadrat do largohen, qytetarët do spostohen në hotele"

Tërmeti/ Edi Rama bën bilancin e dëmeve dhe jep garancinë

29.11.2019 - 09:31

Kryeministri i vendit Edi Rama në mbledhjen e sotme të qeverisë bëri një bilanc paraprak të personave që janë strehuar si dhe për banesat e shkatërruara si pasojë e tërmetit të së martës, ku deri tani janë shënuar 49 viktima dhe mbi 750 të plagosur.

Shefi i qeverisë theksoi se për pos vatrave të vështira në Durrës dhe në Thumanë, dëmtime të shumta të banesave ka pasur edhe në Tiranë.

Sipas kryeministrit, edhe pse bilancet janë ende paraprake, në Tiranë rezultojnë 3480 qytetarë të cilët janë pastrehë dhe shumë banesa e pallate të dëmtuara.

“Bilanci i jetëve të humbura ka arritur në 49, 25 në Durrës, 23 në Thumanë dhe 1 në Laç. Në qarkun e Durrësit janë 1260 persona të akomoduar, nga të cilët deri tani janë 625 në hotele dhe 360 në palestrat e shkollave. Të tjerët janë në çadra apo tek të afërmit.

Në Thumanë janë rreth 500 persona të akomoduar në çadra, për ta ka filluar transporti nga kampet për në hotele në Shëngjin. Janë transportuar 16 familje me 64 persona. Sot qoftë çadrat në Thumanë, qoftë në Laç do të largohen. Banorët do të spostohen në hotele. Duam që Ministria e Mbrojtjes të garantojë një cilësi tjetër çadrash për të siguruar që periudha e dimrit të jetë sa më e lehtë.

Në Berat janë strehuar 250 persona, ndërsa personat që janë pa strehë në qarkun e Tiranës janë 3480. Një bilanc i përkohshëm i dëmeve në Durrës. Në Durrës kemi 701 banesa të dëmtuara, 12 të shkatërruara, 176 pallate të dëmtuara. Në Tiranë banesa 15 të shkatërruara, 239 të dëmtuara, 8 pallate janë jashtë përdorimit, 61 pallate të dëmtuara rëndë.

Ky bilanc kërkon të plotësohet në mënyrë që askush të mos mbetet jashtë bilancit. Sot vijnë ekipet e para te inspektorëve teknik për të bërë një analizë të dëmeve së bashku me ekspertët tanë. Bilanci paraprak i kontributeve është goxha inkurajues, por për shkak se bankat janë të mbyllura nuk mund të themi se sa është bilanci i plotë. Deri tani shkon një shumë prej 5 milionë euro dhe 1,5 milion dollar”-tha ai.