Tërmeti ka prekur edhe Kavajën, ku si pasojë janë plagosur 12 persona jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Kryetari i bashkisë së Kavajës, Redjan Krali në një lidhje telefonike për Ora News tha se në total janë 20 banesa që janë shembur, ndërsa 6 pallate janë dëmtuar.
“Dëme materiale kemi goxha, janë 6 pallate të dëmtuar dhe 20 shtëpi private të shembura. Një pjesë nga pallatet janë dëmtuar edhe nga tërmeti i parë”– tha Krali.
Ai tha se janë marrë masa edhe për akomodimin e të prekurve nga tërmeti.
“Kemi ngritur 3 qendra emergjente, kemi akomoduar edhe në hotel. Disa familjarë janë larguar tek të afërmit e tyre”- tha ai.
Në Kavajë shkoi edhe kryeministri Edi Rama, për të parë situatën atje.