Të paktën 17 njerëz kanë vdekur dhe 600 njerëz janë plagosur pas një tërmeti të fuqishëm që goditi Shqipërinë në orët e para të së martës, duke shkaktuar dëme përgjatë vijës bregdetare të Adriatikut të vendit dhe në kryeqytet, Tiranë.
Disa ndërtesa u rrëzuan, duke lënë shumë banorë nën rrënoja.
Tërmeti me madhësi 6.4 ballë goditi vendin pak para orës 4 të mëngjesit, me orën lokale, dhe ishte lëkundja e dytë e fuqishme që goditi rajonin brenda dy muajve.
Të gjitha agjensitë qeveritare janë në gatishmëri dhe “duke punuar intensivisht për të shpëtuar jetë në Durrës dhe Thumanë”, tha kryeministri, Edi Rama. “Është një moment dramatik ku duhet të ruajmë qetësinë, të qëndrojmë përkrah njëri-tjetrit për të përballuar këtë tronditje,” shkroi ai në faqen e tij në Facebook.
Një seri tërmetesh u ndje në të gjithë rajonin gjatë ditës. Në Bosnjë, një tërmet tjetër goditi jug-lindjen e kryeqytetit dhe tronditi Sarajevën. Nuk ka raporte të menjëhershme për viktima ose dëme. Tërmeti u ndje deri në Italinë e Jugut dhe Greqinë veriore.
Vendet në të gjithë rajonin ofruan ndihmë dhe mbështetje, me Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë që premtuan të dërgonin ekipe ndihme dhe shpëtimi.
Mesazhi më i fundit vjen nga NATO, ku përmes një mesazhi në “Twitter” shkruan se flamujt e aleatëve janë ulur në gjysmështizë, jashtë selisë së aleancës euroatlantike.
“Flamujt e aleatëve tanë, Shqipëria dhe Franca, janë në gjysmështizë, jashtë selisë së NATO-s, pas tërmetit në Shqipëri dhe për të nderuar ushtarët francezë të rënë në Mali”, thuhet në mesazhin e NATO.
Greqia tha se do të vendoste menjëherë ekipe për reagimin ndaj fatkeqësive në vendin fqinj.
Kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, urdhëroi ndihmën pasi foli me Ramën të martën.
Forca të shumta u nisën paradite nga Kosova për t’i ardhur në ndihmë forcave të shpëtimit në Shqipëri për situatën e krijuar nga tërmetet.
Një kolonë e gjatë me mjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës shihet në rrugë drejt Shqipërisë, në një foto që u bë virale gjatë ditës së sotme.
Veç kësaj, nuk mungoi as ndihma financiare. Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj deklaroi se Shqipërisë do ti jepet një ndihmë prej 500 mijë eurosh për dëmet e shkaktuara nga tërmeti.
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, po ashtu, nisi një skuadër speciale për emergjenca drejt Shqipërisë. Një gjë të tillë e konfirmoi vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një njoftim në twitter, duke treguar për telefonatën që kishte marrë nga presidenti i Serbisë, Vuçiç.
Përveç Serbisë, skuadra speciale drejt Durrësit nisi edhe Mali i Zi.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut iu erdhi në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmetet, duke akorduar 100 mijë euro si ndihmë financiare për Shqipërinë.
Kryeministri Zoran Zaev tha se ekipe të shpëtimit dhe kompani nga rajoni i Strugës-Ohrit u dërguan në Shqipëri.. Ai shtoi se një numër i madh kompanish nga rajoni Strugës-Ohrit dhe Kërçovës do të dërgonin makineri ndërtimore për pastrim.
Ndërkohë, Bashkimi Europian ka reaguar zyrtarisht përmes Federica Mogherinit, zëvendëspresidente e BE dhe e ngarkuara në largim për Politikën e Jashtme si edhe komisionerit të BE, Christos Stylianides duke shprehur tronditjen për ngjarjen.
“Shprehim ngushëllimin e thellë për njerëzit dhe auoritetet e shtetit. BE qëndron në solidaritet me Shqipërinë dhe është gati të ofrojë ndihmën e saj.” Mekanizmi Europian për Mbrojtjen e Civilëve dhe Qendra Koordinuese për Rastet e Emergjencave të BE ( ERCC) kanë ofruar ndihmë dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare.
Reagime pas tërmetit në Shqipëri erdhën edhe nga Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli. Ai shkroi në twitter, ‘’jam thellësisht i prekur për lajmet e tërmetit shkatërrues në Shqipëri. E gjithë Europa është solidare me vendin dhe njerëzit. Mendimet tona janë me viktimat dhe të dashurit e tyre.”Solidaritet me Shqipërinë ka treguar edhe fituesi i zgjedhjeve të fundit në Austri, dhe ish-kryeministri i Austrisë, Sebastian Kurz. “Mendimet e lutjet e mia janë me shqiptarët, veçanërisht me familjet e viktimave të tërmetit. Ne jemi të gatshëm për ndihmë.”
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, sipas njoftimeve, ka vënë në përdorim mekanizmin e ndihmës së emergjencës. Njoftimi erdhi nga zyra e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Nuk mungoi as reagimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që shprehën ngushëllim për të gjitha familjet shqiptare të prekura nga tërmeti. Ambasada e SHBA shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë për të kaluar këtë situatë të rëndë.
“Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllimet më të thella për të gjitha familjet dhe komunitetet e prekura nga tërmeti. Shtetet e Bashkuara janë pranë miqve tanë në Shqipëri, ashtu si amerikanët dhe shqiptarët kanë qëndruar gjithnjë pranë njëri-tjetrit në kohë të vështira. Ne vijojmë të ndjekim situatën nga afër dhe jemi në gatishmëri për të ofruar mbështetjen tonë.”-reagimi i SHBA.
Kjo është një ditë zie për shqiptarët, por vala e solidariteti nga Europa dhe miqtë ndërkombëtarë, tregoi se nuk ishte e tillë vetëm për këtë vend të vogël, ku toka nuk po gjen paqe.