Presidenti amerikan Donald Trump duket se ka arritur pjesërisht një qëllim të shumëkërkuar për një kohë të gjatë, lidhur me shkurtimin e investimeve amerikane në NATO, të konfirmuar vetëm disa ditë para se drejtuesit e aleancës të nisen për në Londër për një takim javën e ardhshme.
Presidenti ka qenë kritik ndaj aleancës së epokës së Luftës së Ftohtë që prej ardhjes në pushtet, i irrituar nga kontributi i madh financiar i SHBA dhe “i zemëruar” me kombet e tjera për mosrespektimin e premtimeve të tyre për shpenzimet.
CNN raportoi të enjten se SHBA do të shkurtojë ndjeshëm kontributin e saj të drejtpërdrejtë në NATO nën kushtet e një marrëveshjeje të re.
Marrëveshja e re përfshin mirëmbajtjen e selisë së NATO-s, investimet e përbashkëta të sigurisë dhe disa operacione të kombinuara ushtarake, shpjegoi CNN. Totali shkon në rreth 2.5 miliardë dollarë.
SHBA ka mbuluar rreth 22 përqind të shpenzimeve të NATO-s, megjithëse tani raportohet se do të zvogëlojë shifrën në rreth 16 përqind.
Lajmi bëri që disa aleatë e shumë analistë ta konsideronin zhvillimin si një tjetër fitore gjeopolitike për Presidentin Rus Vladimir Putin.
Rusia e konsideron ekzistencën dhe zgjerimin e vazhdueshëm të NATO-s një kërcënim ekzistencial për vendin, dhe ka paralajmëruar vazhdimisht se bashkimi i më shumë vendeve të Evropës Lindore me aleancën mund të provokojnë konflikte.
Akademiku dhe shkrimtari David Rothkopf, për shembull, tha që “Putin po merrte pikërisht atë që dëshironte për Krishtlindje. Tradhtia e Trump ndaj SHBA shtohet dhe motivet e tij bëhen gjithnjë e më të qarta me çdo ditë që kalon.”
Gazetari dhe regjisori Mikey Kay paralajmëroi se presidenti po rrezikon “copëtimin e NATO-s”, që “ka qenë një nga objektivat kryesore strategjikë të Putinit që nga marrja e detyrës”.
Trump pa dyshim që do ta shohë marrëveshjen e re të financimit të drejtpërdrejtë si një fitore, por nuk e zgjidh problemin e pabarazisë midis shteteve të NATO-s.
Shumica e vendeve ende nuk janë duke përmbushur angazhimin e aleancës për vitin 2014 për të shpenzuar 2 përqind të PBB-së për mbrojtjen. Vetëm gjashtë kombe, përveç SHBA-së shpenzojnë 2 përqind ose më shumë të PBB-së së tyre për ushtrinë.