Dje këtu në USA ishte ditë feste. Thanksgiving Day, është një festë që festohet fort në Shtetet e Bashkuara, Kanada e në ca pak vënde të tjera të botës.
Ndërsa në Shqipëri, sipas datës i takonte të ishte dita e përvjetorit të pavarësisë.
Ditët e fundit, sa herë vija nga puna, e gjeja time shoqe me sy të fryrë nga të qarat për atë çka po ndodhte në Shqipëri. As darka e djeshme, megjithë shpenzimet e mëdha e përpjekjet tona, nuk u bë dot e gëzueshme…
Gjithë kohën u fol vetëm për Shqipërinë. Për fatkeqësinë e asaj që ndodhi, për sensibilizimin por edhe për merakun se mos donacionet tona e të tjerëve nuk mbërrijnë dot atje ku duhet…
…Unë mbaj mend dy tërmete të forta në Shqipëri. Një që po e quaj të parë, dhe për të cilin nuk jam shumë i sigurtë në se ishte ai i Dibrës, në nëntor të 67-s, apo ndonjë tjetër, dhe atë të Shkodrës në Prill të vitit 1979. Për të parin, kujtoj që në momentin e lëkundjeve, unë një fëmijë 10 – 11 vjeç, ishja brënda në shtëpi bashkë me gjyshen time të ndjerë.
Nuk e kujtoj dot nëse u përpoqëm të dilnim që andej apo jo, por ajo që më ka ngelur si një foto në tru, ishte fakti se si gjatë lëkundjeve, çatia u shkëput për një çast nga muret dhe unë pashë gjithë llahtar, qiellin midis tyre…
Kurse për të dytin, përveç tmerrit të lëkundjeve në momentin e goditjes, kujtoj që pak vite më vonë, në një dasëm në Oblikë të Shkodrës, dy dasmorë më treguan se mbrapa një mali që ishte përballë fshatit të tyre gjëndej dhe një mal tjetër i cili në kushte normale nuk mund të shihej që aty.
Pa i hyrë faktit se sa e vërtetë mund të ishte kjo, ata thanë, se në Oblikë, atë mal, e kishin parë të dukej vetëm njëherë, dhe kjo kish ndodhur në momentin e tërmetit të Prillit të vitit 1979 kur gjatë lëkundjeve të tokës njëri mal ulej, e tjetri ngrihej….
Ana e egër e forcave të verbëra të natyrës, përveç të tjerave, gjthmonë krijon tmerr tek njerëzit e bile dhe tek qëniet e tjera të gjalla. Peshkatarët e grepave e dinë se prapa një tërmeti, peshqit e terrorizuar, për ditë të tëra pas tij nuk hanë më. Sipas studimeve shumë lloje kafshësh përjetojnë strese të niveleve të tilla që çojnë deri dhe në ngordhjen e tyre.
-Por në kujtesat e mija të tërmeteve, unë kam dhe një diçka të veçantë, një tërmet monster të cilin unë nuk e kam jetuar personalisht, por më është dhënë mundësia të prek gjurmët e tij. Sipas shkencëtarëve një tërmet i tillë mund të ndodhë njëherë në 500 apo 600 vjet…
…Në verën tre viteve më parë unë ishja në Alaska dhe një ditë po udhëtoja nga Anchorage i cili është dhe qyteti më i madh i asaj zone, për në Whittier, nje qytezë-port në fundin e një fjordi të quajtur Passage Canal përmes të cilit sigurohet dalja në Prince William Sound e prej andej në Gjirin e Alaskës e Oqeanin Paqësor.
Rruga ndërronte disa herë emër por përgjithësisht njihej si Seward Highway dhe gjarpëronte nën këmbët e maleve të Chugach Mountain Range duke ndjekur bregun buzë fjordit Turnagain Arm, një fjord i ngushtë dhe i gjatë ky, që në hartë duket si një krah që zgjatet nga Cook Inlet për në lindje të tij. Mbrapa, në veri, si zot i vëndit të tij, ngrihej gjithë madhështi Denali, mali më i lartë i Amerikës së Veriut.
Nga të lexuarat dija që emri i këtij fjordi, kish ngelur që nga koha e eksplorimeve të James Cook, i cili kish dështuar në gjetjen e një dalje ujore nga ky fjord për në Prince William Sound e më tej në Gjirin e Alaskës dhe kështu që duke mos gjetur daljen e ëndërruar, ju desh të kthehej mbrapsh (turn again!), andej dhe nga erdhi.
Sot ajo lidhje që ëndërronte Kapiteni Kuk, është realizuar me një tunel, më i gjati në Amerikën e Veriut për rrugë të këtij lloji, dhe që mban emrin e projektuesit të tij Anton Anderson. Tuneli në fjalë kalon nën malin Maynard dhe është një zgjidhje shumë ekonomike nga qe shkurton jashtëzakonisht shumë rrugen midis Whitter dhe Anchorage.
Bukuria e zonës, me kontrastet e thella të ngjyrave, fjordin në mes, malet e larta për rreth e akullnajat që varen drejt grykave, është e pa përshkrueshme.
Pa mbërritur akoma tek tuneli, fare pranë një akullnaje që zbret nga Chugach Mountain Range e përfundon në një liqen, pasi kalon një fushe ku duken me sy të lirë arinj, tufa bizonësh, musë e drerë të egër, syri të kap një farë vëndi të rrafshët, me ujë, drurë të tharë e ndërtesa të drujta, të braktisura e të kalbura, që mua, me shikimin e pare, më lanë përshtypjen e trishtuar të një ish vënbanimi të braktisur prej kohësh.
Po aty, në të djathtë të rrugës, buzë fjordit, ishte dhe një vënd pushimi për mjetet e udhëtimit…
Dukej që shumë kureshtarë qëndronin rregullisht në atë vend…
…Historia e atij qyteti fantazëm, siç ma tregoi shoqëruesi im, dhe siç pashë më vonë në materjalet për të, ishte një histori tronditëse tërmeti, të cilën dhe vete ai e kishte përjetuar shumë keq në fëmijërinë e tij, që përveç të tjerave, i kish lënë dhe vuajtjen për gjithë jetën nga stresi post traumatik i cili vazhdonte dhe e mundonte herë pas here..
-Më 27 Mars 1964, në orën 5 e 36 minuta të mbasdites, dy ditë para Pashkës së atij viti, saktësisht ditën e Prëmtes së Mirë, ndërsa njerëzit pregatiteshin për festimin e Pashkës, Alaska u godit nga një tërmet i përbindëshëm, më i madhi i regjistruar ndonjëherë në Amerikën e Veriut. Epiqendra e tij ishte 25 km thellë nën nivelin e detit, rreth 20 km në veri të Prince William Sound dhe rreth 125 km në lindje të Anchorage.
Goditja ishte e magnitudës 9.2 dhe zgjati katër minuta e tridhjetë e tetë sekonda pa ndërprerë, parametra të papara të cilat e klasifikuan atë më vonë si tërmeti i dytë më i fortë në botë, pas atij të Kilit në vitin 1960 që ishte i magnitudës 9.4 deri 9.6 por më i shkurtër në kohë se ai i Alaskës.
Sipas studimeve të mëvonëshme, doli se një pllakë tektonike me gjatësi 970 km, kish rrëshqitur dhe qe spostuar për 18 m nga pozicioni fillestar. Një sipërfaqe e tërë, prej gati dhjetë fishin e Shqipërisë, me male e me detra, shtëpi e gjallesa, nën një zhurmë të tmerrshme gjëmimesh apokaliptike që vinin nga fundi i dheut, kërceu në sekondë 11.5 metra përpjetë. Asnjë qënie e gjallë, njeri apo kafshë e egër nuk mundi të qëndronte dot në këmbë.
Shkatërrimet, lëngëzimi i tokës, çarjet, ngritjet dhe fundosjet, rrëshqitjet e dherave, orteqet e akujve dhe gurëve, cunamet dhe gati rreth 500 lëkundje të tjera të mëvonëshme shkaktuan tmerr e dëme të jashtëzakonshme pothuaj në gjithë Alaskën.
Alaska pësoi një shkatërrim të jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet. Rreth 320 km më në jugperëndim të Anchorage, e tërë zona rreth Kodiak, u ngrit përgjithmonë me 9 m në lartësi. Ndërsa zonat për rreth Anchorage, përfshi dhe rajonin e fjordit Turnagain, bashkë me rrugën në të cilën po ecnim dhe ne, ranë me 2.4 m nën nivelin e e baticës së detit dhe u përmbytën.
Bashkë me ta, edhe ish qyteti Portage që tërhoqi vëmëndjen time.
Sipas regjistrimeve të asaj kohe, valët e cunamit të atij tërmeti, u regjistruan pothuajse në çdo cep të botës si psh në Japoni, Zelandën e Re, Peru e deri në Antarktidë. Vala më e lartë e cunamit të rregjistruar ndonjëherë në histori, u regjistrua po atë ditë në Shoup Bay të Alaskës, me 67 metra lartësi.
Në Princ William Sound dhe në Gjiun e Alaskës, situata ishte e paimagjinueshme. Përveç goditjes nga tërmeti, valët e cunamit dëmtuan rëndë gjithë brigjet e thyera tërë ishuj e fjorde të asaj zone, përfshi edhe Whittier, qytetin e vogël në të cilin ne ishim nisur e po shkonim. Po kështu, pothuajse u fshinë nga faqja e dheut qytezat Seward e Kodiak si edhe shumë vëndbanime të tjera të Alaskës.
Si rezultat i valëve të cunamit u regjistruan dëmtime e vdekje edhe shumë larg Alaskës, si në British Kolumbia, Uashington, Oregon dhe Kalifornia. Cunamet e shkaktuara nga ky tërmet krijuan dëme deri edhe në ishujt Havai e Japoni. Dëshmi për dëme të kësaj natyre u regjistruan gjithashtu edhe në Florida e Teksas.
………….
Alaska e vitit 1964, ishte një vend shumë pak i banuar dhe pothuajse të gjitha banesat ishin prej druri, gjëra këto që ndihmuan për të pasur një numur jo të madh jetësh njerëzore të humbura. Sipas statistikave pati 131 vdekje ndërsa të gjithë të gjallët e tjerë ngelën te plagosur. Kurse dëmet materiale e ambjentale ishin të pamatëshme….
..Të nesërmen e tërmetit, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Lyndon Johnson, e shpalli Alaskën si Zonë të Fatkeqësisë së Jashtëzakonëshme.
E tërë Amerika e asaj kohe, nën një organizim të rreptë si për luftë, u ngrit në këmbë për ti ardhur në ndihmë shtetit të madh e të largët të Alaskës. Të parët që u nisën drejt veriut, ishin mjetet ajrore e detare të ushtrisë të pajisur me gjërat e njerëzit që duheshin për fazën e parë të këtij aksioni që do ti merrte Amerikës shumë kohë e mjete financiare për ta bërë Alaskën përsëri të jashtëzakonëshme e vezulluese siç edhe është sot..
…………..
…Alaska që pashë unë, është një ëndërr shokuese bukurie dhe shumica e vizitorëve të magjepsur nga kjo as që e dinë dhe as që e kanë mëndjen të shohin atje gjurmët e thella të lëna nga ai tërmet. Askush nuk ka forcë të ndalojë atë që natyra do të bëjë dhe askush nuk mund ta parashikojë se kur kjo gjë do të ndodhë.
Por ama njerëzit e dinë se kjo do të ndodhë përsëri dhe mundohen ti paraprijnë me gjithçka që varet nga ata. Tërmeti apokaliptik i së Prëmtes së Mirë, bëri që ca gjëra në Alaska të ndryshonin njëherë e pergjithmone.
Gjithçka që ndërtohet, llogaritet të përballojë tërmete si ai i vitit 1964, temperatura deri në minus 40 gradë celsius dhe erë të shpejtësisë deri 240 km në orë! Askush nuk blen e nuk shet dot një objekt pa çertifikatën që provon se plus të tjerave, objekti i plotëson dhe këto parametra….
Një tabelë e madhe në krah të hyrjes së tunelit pasqyronte këto të dhëna si dhe përmbante instruksione se si duhej vepruar nqse një tërmet i tillë të zinte brenda tij..
………………..
Ndërsa shoqëruesi im nuk kishte qejf të fliste shumë për atë histori. – Nuk më bën mirë ta kujtoj- më tha.
Dhe nuk e harroj dot atë zhurmën e keqe!- e mbylli ai tregimin e tij.
/ Avis Gjyshja