MENU
klinika

"Hylli i dritës"

Urdhri Françeskan në Shqypni – 800 vjet

09.11.2019 - 09:26

      Veprimtaritë përkujtimore të Françeskanëve, vijojnë ditën e sotme, kuvendi françeskan i Gjuhadolit, në Shkodër, organizon konferencën e titulluar “800-vjetori i Urdhrit Françeskan në Shqypni – 1219-2019”.

Konferencën, drejtuar nga Kujtim Shala dhe Arben Prendi, do ta hapë Át Mirash Marinaj, zëvendës-provincial i Françeskanëve. Më pas do të vijohet me kumtesat, duke nisur nga kumtesa me temë, “Kremtimi jubilar i 800-vjetorit të bijve të Shën Françekut në Shqipni”, që do të mbahet nga Át Viktor Demaj. Për të vijuar me kumtesën e Kujtim Shalës “Fretënt e mëdhaj (Shkolla letrare), me atë të Aljula Jubanit “Át Marjan Prela, frati që i shërbeu historisë, përmes dokumentimit të së vërtetës”; me atë të Vinçens Markut, “Mbamendjet e mia, të Át Pierbattista Gumellit”; të Evalda Pacit “Jeta dhe bëmat e Gjergj Kastriotit në studimet e etërve françeskanë shqiptarë” dhe të Ledri Kurtit “Rreth mendimit estetik të Át Gjergj Fishtës”. Kumtesa e fundit titullohet; “Etnogarafia juridike e At Shtefën Gjeçovit”. Kjo, seanca e parë.

Në të dytën do të ndiqet kumtesa e Gëzim Hoxhës e Sergio Gazeas: “Dëshmi arkeologjike mesjetare mbi praninë françeskane në Kishën e Draçit, në Ishëm”; e Mimoza Prikut: “Hylli i Dritës në fokusin e albanologëve italianë”. Temat e tjera akoma, do të jenë “Françeskanët në Shkodër e rrethina, gjatë mesjetës dhe shekujve të parë të pushtimit osman”; “Kontributi i Át Justin Rrotës në fushën e sintaksës shqiptare” dhe “Memoristika e At Zef Pllumit”. Do të mbahen përkatësisht nga Anisa Kosteri e Zamira Shkreli, Edmond Mala, Bora Logu e Anisa Kosteri dhe Arben Prendi.

Gjatë konferencës do të promovohen edhe botimet e reja: “Mbamendjet e mia” nga Át Pierbattista Gumelli; “Shqypnija serafike” dhe “Misioni shetitës i françeskajve nëpër Shqypni gjatë shtatë shekujve, prej vjetit 1240 deri në vjetin 1967” nga Át Marjan Prela si dhe “Letra dhe relacione nga misionarët françeskanë ndër shqiptarë” Botime Françeskane, Shkodër, 2019.

Tematika e pasur e Konferencës nuk ka vetëm prirjen të rrokë 800-vjet veprimtari françeskane në Shqipëri, në të gjitha fushat e dijes, por edhe, e sidomos, të sjellë kontribute të reja lidhur me veprat e Françeskanëve, gurë themeli të kulturës kombëtare shqipe! E të mbushë zbraztësinë e krijuar nga 50 vjet heshtje për veprimtarinë 800-vjeçare të Bijve të Shën Françeskut në trojet shqiptare.

 

***

Si fillon historia e françeskanëve në Shqipëri?

Dihet se historia e françeskanëve në Shqipërí zë fill me një gojëdhënë. Sipas saj, vetë Shën Françesku në vitin 1219 u ndal në Lezhë. Këtu, në anën e djathtë të Drinit, ku sot janë kodrat e Marlekës dhe Kisha e quajtur e dom Lleshit, e rrenuar nga komunizmi dhe e rindërtuar, mori një shkop pishe. E mbajti me vete deri në Venedik. Si mbërrijti në qytetin italian, atje ku sot është Kuvendi i Shën Françeskut “al Deserto”, e nguli në dhe. Shkopi, mrekullisht, lëshoi rrënjë dhe në pak kohë u rrit e u bë pishë vigane. Për shekuj me radhë përshpirtëria e vendasve e ruajti ketë dru si kujtim e dëshmi të Shenjtit të Madh të Asizit dhe e pagëzoi me emrin “Pisha e Shën Françeskut”.

Gojëdhëna, e ruajtur me kujdes, e njëjtë si ndër në shqiptarët, ashtu edhe ndër banorët e Venedikut, është mjaft e vjetër dhe e përsëritur nga të gjithë historianët e nga ata që merren me zanafillën e françeskanëve në Shqipëri. Në një letër, të cilën e dërgon misionari piçenas, Atë Bonaventura ab Acquaviva, nga fillimi i 1800-shit, thuhet se ky françeskan e gjeti gojëdhënën në një dorëshkrim të ruajtur në kuvendin e Lezhës dhe u mbështet në të për të vërtetuar – sipas shënimit të tij – se veprimtaria apostolike e të bijve të Shën Françeskut në viset e fiset shqiptare, zë fill që në vitet e para të Urdhërit Françeskan.

Natyrisht gojëdhëna mbetet gojëdhënë dhe vlera e saj historike është e kufizuar, aq më tepër mbasi kurrnjë nga biografët e Shën Fançeskut nuk e përmend pushimin e Shenjtit në tokën shqiptare gjatë udhëtimit për a nga Orienti.

Por duhet të kujtojmë edhe se asnjëri nuk e kundërshton faktin se Shën Françesku mund të jetë ndalur për një pushim të shkurtër në brigjet e Shqipërisë e, veçanërisht në ato të Lezhës, mbasi ky qytet aso heret ishte nën administratën dhe sundimin e Venedikut e Shenjti udhëtonte me mjete detare të kësajë Republike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


KUVENDIME NË MBRETËRINË E TË VDEKURVE

Bashkëbisedim mes Skënderbeut dhe Karlit të Madh


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen