MENU
klinika

Ministri fuqiplotë, që do drejtojë operacionin

“Urgjentisht, jeni të detyruar…”! Nga Çuçi te Majko, Rama jep urdhrat e fundit

29.11.2019 - 09:02

Kryeministri Edi Rama iu ka ndarë detyrat disa prej ministrave të kabinetit të tij qeverisë, lidhur me situatën e jashtëzakonshme të shpallur në Tiranë, Durrës dhe Laç, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.

Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, Rama ngarkoi ministrin e Bujqësisë, Bledi Çuçi, si njeriun që do të drejtojë operacionin për fatkeqësinë natyrore të shkaktuar nga tërmeti.

Gjithashtu, Rama iu kërkoi ministrit për Diasporën, Pandeli Majkos, dhe ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj, të mbajnë ndezur të gjitha kanalet e komunikimit me botën jashtë dhe me të gjithë shqiptarët, ndërsa urdhëroi ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, dhe kryebashkiakun e Bashkisë së Tiranës, që të bëjnë me urgjencë listën me apartamentet bosh në Tiranë dhe Durrës.

“Ngarkoj sot ministrin e Bujqësisë, si njeriu që do bëjë me fuqi të plota drejtimin e operacionit. Është një barrë plus për ministrin, ndaj i kërkoj një angazhim më të madh zv.ministrave përkatës të mbushin përkohësisht boshllëqet që do lërë ministri.

Sfida e ministrit të Diasporës, Pandeli Majko, është të mbajë ndezur të gjitha kanalet e komunikimit me botën jashtë, ndërsa ministri i Jashtëm, Genti, të mbajë ndezur kanalet e komunikimit me të gjithë shqiptarët. Edhe unë vetë kam kërkuar vëmendje për Shqipërinë nga jashtë, por kjo nuk bëhet me një letër.

Ministrja e Infrastrukturës, së bashku me zv.ministrin, dhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kanë specifikisht detyrën që duhet të mbarojnë inventarin e apartamenteve të stokut në Durrës dhe Tiranë, pra që do të thotë apartamente bosh. Na duhet kjo urgjent. Jo thjesht një numër, por na duhet sipërmarrësi përkatës, situata e apartamenteve, apartamente që janë bosh fare apo që kanë orendi brenda.

Nuk është e mençur që ne të ndërtojmë pallatet në Thumanë ashtu sic ishin. Edhe me Elvis Naçin e diskutuam. Ata që punojnë në Tiranë, është më mirë t’i sjellim këtu, pse duhet të qëndrojnë sërish atje. Edhe banorët e tjerë mund të jenë shumë më mirë këtu. Ndërsa me banorët që janë të lidhur atje me tokë, gjënë e gjallë, do bëjmë të pamundurën t’i rregullojë atje.

Zv.ministres së Kulturës i kam kërkuar të përgatisë dosjen e parë të fotove dhe të fakteve nga terreni për të kërkuar mbështetje. Është bërë gati materiali, por duhet bërë një dosje shumë dinjitoze, që ta dorëzojmë te liderët, institucionet, donatorët, sipërmarrësit, që të informohen. Të gjithë që jeni ulur këtu në tavolinë jeni të detyruar të jenë në këmbë dhe në funksion të drejtuesit të operacionit. Mandati i Çuçit është fuqiplotë dhe për këtë temë ai është ministri fuqiplotë, të gjithë të tjerët janë në funksion. Çuçi është komisar fuqiplotë, duhet të ndiqen të gjitha ato që kërkohen, një për një.

Brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë më asnjë diskutim për të gjithë ata persona që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti, do jenë rregulluar më mirë seç ishin. Nesër do marrim vendimin e parë për të gjitha familjet që kanë humbur njerëz. Për ta nesër duhet këtu në tryezë një paketë speciale e drejtpërdrejtë”, tha kryeministri Edi Rama.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Zhvillimet më të fundit minutë pas minute

Tërmeti katastrofik/ Thellohet bilanci i tragjedisë, 47 viktima

Rama me të njëjtin shqetësim si Basha

Shpallet gjendja e jashtëzakonshme edhe në Laç