Posta e qytetit të Krujës ka rënë pre e grabitjes në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne. Burime zyrtare bëjnë me dije, se autorët identiteti i të cilëve nuk dihet ende, kanë arritur të marrin me forcë një sasi të konsiderueshme lekësh dhe valute, e cila sipas raportimeve paraprake është 11 mln lekë. Ndërkohë për këtë ngjarje është arrestuar roja, 51-vjeçari Besnik Parruca, e ndërsa është shpallur në kërkim specialisti i sallës S. T., 28 vjeç pasi fshehën ngjarjen.
Referuar dëshmisë së rojes së postës, ai nuk ka njoftuar uniformat blu pasi është kërcënuar nga autorët, madje e ka fshehur ngjarjen edhe kur është pyetur nga patrulla e policisë. Report Tv sjell pamjet nga vendi i ngjarjes, ku duket dera e thyer. Duke marrë parasysh se si është realizuar grabitja, duke se autorët kanë njohur mjaft mirë lëvizjet në postë.
Mbi ta rëndojnë akuzat për veprat penale “Shpërdorim detyre”. Policia njofton se është ngritur grup i posaçëm hetimor i përbërë nga specialistë për hetimin e vjedhjeve me dhunë dhe krimeve kundër pasurisë, po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ndërkohë rreth dy javë më parë, një tjetër postë është grabitur në qytetin e Bulqizës, ku autori ka marrë autori mori 460 mijë lekë.
Njoftimi i plotë i policisë
Nga specialistët për parandalimin dhe hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Krujë u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Moskallzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”, i shtetasit:
– B. P., 51 vjeç, banues në Durrës (me detyrë roje private pranë postës së Krujës).Gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme është vjedhur me thyerje kasaforta e postës së Krujës, ku autorët kanë marrë një sasi lekësh dhe një sasi valute dhe më pas janë larguar. Roja private, shtetasi B. P., pas marrjes djeni për ngjarjen nuk ka kryer sipas detyrimeve ligjore njoftimin e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, as në momentin kur patrulla e policisë ka kaluar dhe e ka pyetur nëse kishte ndonjë problem tek posta, me pretendimin se është kërcënuar nga autorët.
Gjithashtu është shpallur në kërkim për “Shpërdorim detyre” dhe specialisti i sallës së SHPSF-ve, shtetasit S. T., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos njoftuar Policinë e Shtetit. Një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga specialistë për hetimin e vjedhjeve me dhunë dhe krimeve kundër pasurisë, po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Krujë për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”, njofton policia.