Ish-drejtori i Arkivës në Ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi, ka treguar dokumente të tjera në lidhje me vendimet e ish-diktatorit Enver Hoxha për vitet 1980.
Nën titullin “1980/Shënimet e diktatorit për oborrin e fshatarit, bagëtitë dhe pulat”, Dervishi sjell një moment të dhimbshëm për fshatarësinë, tufëzimin, që i dha një goditje të rëndë familjeve që jetonin në fshat duke i lënë në varfëri të plotë dhe mungesën totale të ushqimit.
- Postimi i plotë:
Më 8.3.1980 kryesia e Këshillit të Ministrave, paraqiti një studim për çështjen e tufëzimit dhe shkurtimit të oborrit kooperativist. Ky material do paraqitej në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 22.4.1980.
Nga frika e tufëzimit, fshatarët kishin therur 525 mijë bagëti të imëta. Diktatori ka shënuar porositë e tij në këtë material. Të habit fakti se me çfarë merreshin këta njerëz për t’i bërë keq këtij populli. Enver Hoxha, pasi lexon propozimet, më 14.4.1980 dhe vendos këtë shënim:
a-Për oborrin kooperativist.
Ndarjes së oborrit kooperativist duhet t’i caktojmë një kufi: babai ta ndajë kopshtin vetëm me djalin e parë. Djemtë e tjerë nuk do të kenë tokë, do të jenë kooperativistë pa oborr. Pastaj, kur babai do të vdesë, toka e tij i kalon kooperativës, kështu ikën ½ e oborrit e kur të vdesë edhe djali i parë, oborri likuidohet.
b-Bagëtia.
Bagëtia shkon bashkë me tokën, ndryshe ajo s’ka ku kullot. Prandaj kurora e parë e fëmijëve djem, të marrë nga babai edhe 10 kokë bagëti. Djemtë e tjerë që nuk do të kenë tokë, t’u lejojë statuti të blejnë 5 (jo 10) kokë dele dhe t’i tufëzojnë ato.
(Në malësi që tani u kemi lënë më shumë dele dhe 1 lopë, të veprojmë me mënyra të tjera, por të ndiqet e njëjta rrugë si edhe në fushë).
Pulat dhe shpendët të qëndrojnë sikurse është paraqitur në materialin që po shqyrtojmë.