Bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Politikën e Demokratizimit në Berlin, Bodo Weber, tha se emërimi i Richard Grenell si i dërguar Special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi nuk do të thotë edhe përfshirje më e madhe e SHBA në periudhën e ardhshme për të zgjidhur çështjen e Kosovës.
“Në Kosovë, Serbi dhe në rajon, emërimi i dy të dërguarve specialë, njëri Matthew Palmer për Ballkanin Perëndimor dhe tjetri Richard Grenell për dialogun Beograd-Prishtinë, është interpretuar si një angazhim i ri dhe me këtë është vendosur fokusi i administratës amerikane në Ballkanin Perëndimor”, tha Weber për emisionin “Slobodno srpski” (Lirisht serbisht).
Weber tha poashtu se zgjedhjet e kaluara parlamentare kanë treguar deri diku potencialin demokratik të Kosovës, por që hijet po hidhen në ngjarje pas mbylljes së vendvotimeve.
“Gjithçka që po ndodh që nga ajo kohë, me numërimin, të disa kundërshtimeve për rezultatet e zgjedhjeve, rreth votave nga Serbia dhe për helmimin e pretenduar të njerëzve në Qendrën e Regjistrimit të Prishtinës, për fat të keq në një farë mënyre, shkatërron pjesërisht atë mesazh të mirë të demokracisë në rajon”, tha ai, transmeton Klan Kosova.