MENU
klinika

Dekretimi i Xhaferllarit

Zbardhet rezoluta e Kuvendit: Meta shkeli Kushtetutën

14.11.2019 - 17:41

Nesër në Parlament do të zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme pas situatës të paprecedentë të krijuar në Gjykatën Kushtetuese.

Po ashtu, ditën e nesërme pritet se do të votohet një rezolutë nga deputetët kundër vendimit të presidentit Ilir Meta për të dekretuar Marsida Xhaferllarin si gjyqtare në Kushtetuese.

Në rezolutën e lartpërmendur, vendimi i Metës për të mos pranuar Arta Vorpsin si gjyqtare, e renditur e para nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, konsiderohet si “akt i nxjerrë në kundërshtim të hapur dhe flagrant me dispozitat kushtetuese dhe ligjore dhe në tejkalim të kompetencës kushtetuese të Presidentit të Republikës.

Aty theksohet se këto veprime të Presidentit delegjtimojnë fillimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese.

kolana e librave

“Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se Dekreti i Presidentit nr.11350, datë 13.11.2019 është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë”, theksohet në një prej pikave të rezolutës.

Nëpërmjet kësaj rezolute, Kuvendi kërkon nga Gjykata Kushtetuese “të mos zbatojnë Dekretin nul të Presidentit të Republikës”.

Kuvendi kërkon gjithashtu nga Presidenti “të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese”.

“Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës”, shkruhet në rezolutë.

Në fund theksohet se: “Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi angazhohet të rishikojë legjislacionin për të penguar krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit”.