MENU
klinika

Për regjimin flasim pas…

Zbulohen dy letrat e Zogut të 1944 që nuk erdhën kurrë në Shqipëri

10.11.2019 - 07:42

Mbreti Zog mbajti një qëndrim pro luftës kundër pushtuesit në çdo rast dhe gjithnjë priti nga aleatët perëndimorë një vendim të qartë për pavarësinë e Shqipërisë. Ndonëse qeveria e tij në mërgim nuk u njoh nga britanikët, Mbreti Zog nuk ngurroi në asnjë rast që t’u kërkonte ndjekësve të vet të luftonin pushtuesin italian dhe atë gjerman. Dokumentet e mëposhtme janë 2 letra që Mbreti Zog shkroi në shkurt 1944 për dy mbështetësit e tij në Shqipëri, me porosi të Ministrisë së Jashtme britanike.

Një letër ishte për Abaz Kupin, që kishte mobilizuar mijëra trupa në mbështetje të Mbretit Zog, dhe letra tjetër për Salih Vuçiternin, një aktivist i njohur shqiptar nga Kosova, që kishte shërbyer si ministër gjatë periudhës së mbretërisë. Këto letra marrin një rëndësi thelbësore për të kuptuar qëndrimin e Mbretit Zog, për shkak se ai qartëson pozicionin e tij. Ai kërkon që të luftohet pa kompromis pushtuesi i huaj dhe garanton se çështja e regjimit të vendoset me votë të lirë nga shqiptarët pas lufte.

“Çështja e regjimit është dytësore për nga rëndësia, e cila do të vendoset siç duan shqiptarët pas lufte. Ndaj, në lidhje me këtë çështje, ju mund të siguroni të gjithë shqiptarët, madje edhe të gjithë ata që kanë qenë kundërshtarët e mi”, thuhet në letër. Këto dy letra u shkruan nga Mbreti Zog për t’u sjellë në Shqipëri nga misioni ushtarak britanik “Konsensus 2”, që drejtohej nga Billi Meklein. Por ato nuk erdhën në Shqipëri, për shkak se Ministria e Jashtme britanike kërkoi editimin e tyre. Dokumenti përmban edhe kërkesat e ministrisë për ndryshimin e letrave. Pavarësisht kësaj, pa dhënë një shpjegim të plotë, letrat mbetën në sirtarët e zyrtarëve të lartë britanikë pa shkuar në duart e mbështetësve të Mbretit Zog.

Gjithsesi, tre oficerët e lartë britanikë, Meklein, Emëri dhe Smajli, u nisën për në Shqipëri duke u vendosur në shtabin e Abaz Kupit. Ata synuan një front të madh me zogistët, por arritën të kryejnë disa beteja të vogla. Abaz Kupi kërkoi garanci politike nga britanikët, të cilët nuk ishin të gatshëm t’ia ofronin. Britanikët regjistruan edhe përplasjet mes zogistëve dhe komunistëve e në disa raste pati shkëmbime zjarri.

LETERKEMBIMI

DOSJA HS 5/5

LETRA E MBRETIT ZOG PËR ABAZ KUPIN,

26 SHKURT 1944

Kolonel

Tre zotërinjtë që do të sjellin këtë letër janë miqtë e Shqipërisë dhe të mitë. Ndaj është e nevojshme që këta tre zotërinj dhe oficerë të misionit britanik të kenë mbrojtjen tënde ndaj çdo rreziku armik. Qëllimi ynë i përbashkët është liria e Shqipërisë dhe sigurimin e pavarësisë së saj me kufijtë kombëtarë. Për të arritur këtë qëllim, duhet të bëjmë gjithçka mundemi. Fuqitë e mëdha kanë garantuar pavarësinë e vendit tonë. Integriteti i Shqipërisë do të sigurohet nga përpjekja dhe fuqia jonë e përbashkët. Për të arritur këtë, ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar.

Ndaj ju kërkoj që ju të bëni gjithçka mundeni të bashkoni shqiptarët pa asnjë përjashtim. Sapo bashkimi të arrihet, ne duhet të kërkojmë hyrjen e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara. Të gjithë bashkë duhet të përgatitemi për qëllimin final kur unë të jap sinjalin e duhur. (shënimi i britanikëve. të bëhet: sipas urdhrave dhe planeve të komandës aleate).

Deri atëherë duhet të përgatitemi. Nuk është në interesin tonë dhe as në interesin e aleatëve që në Shqipëri të ketë shkatërrime dhe djegie fshatrash të panevojshme, dhe ndërsa të jap urdhrin për luftë (shënim i britanikëve: në luftë civile), aleatët kërkojnë të kenë sa më shumë shqiptarë të gatshëm të luftojnë armikun (shënim i britanikëve, të shtohet: kundër pushtuesit të huaj të trojeve tona). Për momentin këto janë qëllimet tona dhe qëllimet e çdo miku që i do të mirën vendit tonë.

Baz! Me punën tënde ke provuar mirënjohjen time të pashtershme, si dhe besimin tim për burrninë e besnikërinë tënde. Duke pritur një përgjigje, ju dërgoj përshëndetjet më të mira për ju dhe gjithë ndjekësit tuaj.

FAMILJA MBRETERORE NE BRITANI

***

LETRA E MBRETIT ZOG PËR SALIH VUÇITERNIN,

26 SHKURT 1944

I nderuar

Atdheu po përballet me një rrezik të madh; Korça e në veçanti Kosova dhe Gjirokastra janë shënjestruar nga fqinjët tanë, të cilët nuk do kursejnë asnjë përpjekje për t’i shkëputur nga ne. Ne kemi bërë sa kemi mundur për t’i bërë ballë këtij rreziku. Kemi punuar për të ndikuar opinionin publik këtu dhe në Shtetet e Bashkuara. Dy shoqatat e miqve të Shqipërisë në Britani dhe në SHBA, të formuara nga personalitete të njohura, janë bashkuar për të mbrojtur të drejtat tona kombëtare e për t’iu përgjigjur propagandës dashakeqëse.

Ne nuk kemi pranuar asnjë kompromis ndaj integritetit territorial të vendit tonë dhe kemi refuzuar çdo propozim për çdo mandat mbi Shqipërinë. Deklarata e 3 fuqive të mëdha për pavarësinë e Shqipërisë është një fitore e madhe për ne. Besojmë se kjo do të zbatohet së shpejti. Pavarësisht se fqinjët tanë janë të fortë dhe fjalët e tyre dëgjohen më shumë, ne besojmë se në fund anglo-saksonët do të njohin të drejtat tona dhe me fitoren e tyre, vendi ynë do të jetë i lirë plotësisht.

Ne shqiptarët nuk duhet të harrojmë që fuqia e vetme që mund të na shpëtojë është Britania e Madhe. Ashtu si në Lidhjen e Prizrenit dhe në Kongresin e Lushnjës, ne sot duhet të bashkohemi e nga ky bashkim nuk duhet të përjashtohet asnjë shqiptar. Për të mirën e vendit tonë, unë nuk dëshiroj që asnjë shqiptar të përjashtohet, edhe ata që kanë tentuar të më marrin jetën. Shembulli im duhet të ndiqet nga çdo shqiptar për të realizuar bashkimin e shenjtë.

Me bashkëpunimin e Peshkopit Noli dhe me të ndjerin Faik Konica, ky bashkim është pothuajse arritur. Ju, personalisht, duhet të bëni gjithçka që ky qëllim të realizohet. Ju duhet të bëni gjithçka që çdo komitet në Shqipëri, pa dallim ngjyre politike, të bashkohet, dhe më pas të bashkuar, ju në Shqipëri dhe ne jashtë saj, të marrim hapat e nevojshme për hyrjen legale të saj të Kombet e Bashkuara. Për të siguruar interesat kombëtare gjatë luftës dhe për të përfaqësuar Shqipërinë në Konferencën e Paqes, duhet që të jemi të përgatitur dhe gati për çdo veprim të mundshëm.

Nëse për realizimin e këtij bashkimi, të duhen aprovime me letra nga ana ime për çdo person që e shikon të nevojshëm, ma bëj të ditur. Salih, si një mik besnik, dëshiroj që ju të veproni për këtë bashkim të shenjtë për më të mirën, për Kosovën, Korçën dhe Gjirokastrën. Arsyeja pse ju kërkoj të kryeni këtë misioni, është se kam besim të plotë në miqësinë dhe kapacitetin tuaj dhe e di që ju jeni në marrëdhënie të mira me të gjitha qarqet e nevojshme. Atdheu mbi të gjitha.

Çështja e regjimit është dytësore për nga rëndësia, e cila do të vendoset siç duan shqiptarët pas lufte. Ndaj, në lidhje me këtë çështje, ju mund të siguroni të gjithë shqiptarët, madje edhe të gjithë ata që kanë qenë kundërshtarët e mi. Në pritje të përgjigjes suaj, ju shtrëngoj dorën dhe ju çoj përshëndetjet më të përzemërta.

Betejat e çetave zogiste të dokumentuara nga britanikët në ‘44

23 qershor.Shkatërrimi i Urës në Gjoles, përgjatë rrugës Shkodër-Tiranë nga çeta zogiste. Kjo urë ishte ura e tretë më e madhe në Shqipëri dhe ndodhej në një zonë që mbrohej nga gjermanët. Kjo ndodhi më shumë se një muaj përpara se gjermanët të ngrinin një urë të përkohshme, që ruhej nga 60 ushtarë dhe në këtë periudhë, rruga kryesore Shkodër-Tiranë-Durrës, ishte e mbyllur dhe transporti gjerman (afro 200-300 automjete në natë) ishte detyruar në mënyrë të konsiderueshme të merrte një rrugë të tërthortë. Majori Smiley dhe rreshteri Jenkins ishin të pranishëm.
6 shtator.Çeta zogiste sulmoi dhe mori nën kontroll një pozicion gjerman, duke vrarë 10 gjermanë, përfshirë kapitenin e tyre dhe duke sekuestruar material luftarak, si dhe duke kapur robër 12 të burgosur italianë. Urës prej druri iu vu zjarri. Ky pozicion identifikohej si shtabi 3 Bty i Regjimentit të Artilerisë 297. Kolonel-Lejtënant McLean, majori Smiley dhe kapiteni Amery ishin të pranishëm.
9/10 shtator (mbrëmje).Një çetë e përzier zogiste dhe balliste sulmoi një autokolonë që udhëtonte në rrugën Shkodër për të mbërritur pranë Prezës. Rezultati: 1 kamion me municione u hodh në erë, 2 kamionë u dogjën, afro 15 kamionë u plaçkitën dhe u dëmtuan, 8 motoçikleta u shkatërruan, 35 ushtarë gjermanë u vranë, 2 mitraloza të lehtë, 30 pushkë dhe materiale të tjera ushtarake. Lejtënanti Merrrett, rreshteri Jones dhe Corsentino ishin të pranishëm.
10/11 shtator (mbrëmje).Çeta zogiste dhe rreshteri Jenkins minuan rrugën kryesore të Shkodrës. 3 kamionë u hodhën në erë.
11/12 shtator (mbrëmje).Çeta zogiste me majorin Smiley dhe rreshterin Jenkins, hodhën në erë urën prej betoni në rrugën kryesore të Shkodrës në G.2558, duke bllokuar rrugën për tri net me radhë.
12/13 shtator (mbrëmje).Çeta zogiste sulmoi autokolonën gjermane në Kulakumit G.21, një autokolonë plot me 9 automjete, e shkatërruar plotësisht nga zjarri dhe të gjithë ushtarët gjermanë u vranë apo u shpërndanë, përfshirë dy oficerë feltegendarmerie. U sekuestruan mitraloza të lehtë, pushkë dhe material tjetër ushtarak. Një çantë e divizionit 181 të Trupave Alpine 21, gjendej mes dokumenteve të sekuestruara. Kolonel-lejtënant McLean, kapiteni Amery dhe rreshteri Jenkins ishin të pranishëm.
14/15 shtator (mbrëmje).Pritë e çetës zogiste në rrugën Tiranë-Durrës, dy milje në veri të Tiranës. Vendosen mina. 1 kamion që transportonte ushtarë gjermanë u shkatërrua plotësisht, 1 kamion u dëmtua dhe 3 ushtarë gjermanë u vranë. Aksioni u prish, ndërsa FNC-ja nisi të sulmonte çetën zogiste pas shpine. Majori Smiley ishte i pranishëm.
15 shtator (mbrëmje).Forca zogiste dhe të Turkestanit sulmuan dhe sprapsën një autoblindë gjermane, që udhëtonte drejt Shkodrës. Kolonel-lejtënant McLean, kapiteni Amery dhe rreshteri Jenkins ishin të pranishëm.
20 shtator.Një çetë e përbashkët zogiste dhe balliste sulmoi një autokolonë dhe në të njëjtën kohë hodhi në erë urën, e cila gjendet në rrugën që të çon në Shkodër pranë Laçit. 1 kamion u shkatërrua. Rreshteri Jenkins ishte i pranishëm.
21 shtator.E njëjta çetë sulmoi një kolonë gjermane në rrugën e Shkodrës, duke e detyruar atë të tërhiqej. Rreshteri Jenkins dhe rreshteri Schoemaker ishin të pranishëm.
24 shtator.Ura te Hani i Teqes në rrugën kryesore të Shkodrës u hodh në erë dhe kolona gjermane u sulmua dhe u detyrua të tërhiqej nga çeta zogiste. Majori Smiley ishte i pranishëm.
12 tetor.Zogistët sprapsën sulmin gjerman kundër shtabit të misionit britanik në Velsh. 3 viktima në radhët e gjermanëve e ndoshta më tepër. Kolonel-lejtënant McLean dhe kapiteni Amery ishin të pranishëm.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen