Një zvicerian i cili që prej vitin 2014 jeton me gruan e tij kosovare në qytetin e Durrësit është intervistuar nga gazeta e njohur zviceriane ‘Blick’ për tërmetin që tronditi të gjithë shqiptaret.
Rolf Alther 77 vjeç është shprehur i revoltuar për këtë ngjarje të rëndë dhe fajin e kësaj tragjedie ia vë mënyrës se si janë ndërtuar ndërtesat në këtë qytët.
“Ky tërmet nuk është kaq i madh sa të shkaktonte dëme kaq të mëdha. Problemi është se askush nuk guxon këtu të thotë se pse ka dëme të tilla. Shkaku i shembjeve janë ndërtimet e këqija shkel e shko”– tha Alther.
I zemëruar, ai i ka dërguar foto gazetës se si është dëmtuar banesa e tij dhe godina të tjera. Zvicerani, që dikur ka qenë përfaqësues politik në një parlament kantonal, thotë se këto janë ndërtime kriminale.
“Në Zvicër, fitimi i një ndërmarrje ndërtimi për një projekt është gjashtë deri në shtatë përqind, këtu është 70 përqind! Sipërmarrësit këtu fitojnë një qerre me para në kurriz të sigurisë”– shtoi më tepër ai.
Alther nuk e ndal shpërthimin kur thotë se druhet se kriminelët do të përfitojnë edhe nga tërmeti.
“Shumë shtete dhe individë po dërgojnë donacione për rindërtim, që do të përfundojnë në xhepat e këtyre mashtruesve”- thotë ai.
Teorinë e tij për ndërtimet e dobëta e mbështet edhe profesori i ETH Zyrih, Bozidar Stojadinovic. Ai thotë se pasi sheh me kujdes fotot, e kupton se bëhet fjalë për ndërtime të dobëta. Sipas tij, ato duhen shembur.
“Ata fokusohen tek fitimi afatshkurtër, në vend që të mendojnë për të nesërmen dhe të investojnë në siguri. Ndërtesat moderne duhet të jenë në gjendje t’i rezistojnë një tërmeti si ai i të martës në Shqipëri”– përfundoi Alther.