Kutitë e votimit për zgjedhjet brenda Partisë Socialiste në Durrës janë hapur prej mëngjesit të sotëm në një klimë interesi të madh nga anëtarësia e majtë.
Deri në orën 13 e 30 pjesëmarrja në votime ka qënë mbi 50% e 4500 anëtarëve socialistë që votojnë për 30 delegatët e kongresit, 15 meshkuj e 15 femra.
Mësohet se procesi i votimit u mbyll në orën 16 ndërsa asnjë prej socialistëve nuk ka pasur të drejtë të prononcohet në media.
30 delegatët e përzgjedhur nga anëtarësia socialiste për në kongresin e PS, do të kenë mundësi që të zgjedhin kryetarin e PSSH-së, megjithëse Edi Rama nuk i ka hapur zgjedhjet brenda partisë.
Zgjedhjet brenda partisë janë hapur vetëm për krerët e degëve lokale, që pritet të mbyllen deri në mes të muajit dhjetor. Ristrukturimi i brendshëm i partisë finalizohet me zgjedhjen e kryetarëve të PS në Rrethe.
Në Durrës të drejtën e votës për të zgjedhur kreun e PS e kanë rreth 400 socialistë, midis tyre të zgjedhurit nga kongresi , të zgjedhurit e Asamblesë, anëtarët e Këshillit bashkiak dhe deputetët e qarkut.
Janë rreth 400 socialistë të këtyre strukturave që në zgjedhjet e pas pak javëve do të votojnë për kreun e ri të PS . Në garë janë kreu aktual Luan Zaza dhe Ardit Kërtusha.
Organizatat socialiste në Durrës në masë të madhe deri tani kanë propozuar kreun aktual Luan Zaza ndërsa vetëm 3 organizata kanë propozuar Ardit Kërtushën.