Kur nazistët ishin në tërheqje nga territori i ish-Jugosllavisë, frontet u krijuan në Srem të Vojvodinës dhe në atë të Adriatikut në veriperëndim të Jugosllavisë. Shqiptarët u rekrutuan për tu dërguar në luftime në këto fronte ndërsa brigadat Serbe i forcuan pozitat e tyre në territorin e Kosovës. Gjithsej ishin 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera etnike u rekrutuan dhe u dërguan në luftime larg Kosovës për ta zvogëluar rrezikun e çfarëdo rezistence ndaj autoritetit serb/jugosllav që do të vendosej në Kosovë.
Pikë mbledhja e këtyre ushtarëve u caktua Prizreni, deri ku ata u drejtuan nga oficer shqiptarë. Në Prizren të gjithë ushtarët shqiptarët u çarmatosen me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga dhe se kur të mbërrinin në front do të pajiseshin me armë moderne angleze. Nga Prizreni shqiptarët u nisën fillimisht për në Mal të Zi të ndarë në tri grupe.
Grupi i parë prej 3,700 vetash u nis më 24 Mars 1945. Grupi i dytë me 4,700 vetë u nis me 26 mars dhe marshoj për katër ditë në vijën Prizren-Zhur-Kukës-Puk-Shkodër-Tivar. Ushtarët gjatë rrugës u rrahën apo në disa raste edhe u vranë kur dilnin nga kolona për ta shuar etjen.
Kur kolona mbërriti në Tivar, ndodhi një konflikt në mes katër shqiptarëve dhe rojave, të cilët shtinë dhe vranë dy shqiptarë. Masa e zënë në grackë mes maleve të larta dhe detit u shtri për tokë, ndërkohë që ajo hapësirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozave që ishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, në dritare dhe në tarraca të shtëpive, e në shkëmbinj e kodra përreth. Më pas turma urdhërohet të ngitet dhe drejtohet drejt ndërtesë “Monopoli i duhanit” ku filluan të shtënat.
Një raportim drejtuar Misionarit anglez Hadson më 1946 në atë kohë e caktonte numrin e të vrarëve në 1670. Grupi i tretë me 2700 veta u nis me 27 Mars 1945 dhe pas arritjes në Dubrovnik një grup prej 800 vetash u helmua nga një helm i panjohur pas vendosjes në një depo baroti, me pasoja fatale për shumicën.
Mbijetuesit e masakrës besojnë se numri i të vdekurve apo të vrarëve gjatë rrugëtimit për në Frontin e Adriatikut është gjithsej 4300 veta. Enver Hoxha më 1955 përmend 1,000 të vdekur “në territorin shqiptar”. Aleksandër Rankoviçi, në kongresin themelues të Partisë Komuniste të Serbisë më 8-12 maj 1945 ka deklaruar se ”udhëheqësit e eshalonit [grupit] e nxiten revoltën midis shqiptarëve”, duke planifikuar të vrisnin “ 40 shqiptarë për një luftëtarë të vrarë”, duke vazhduar se “udhëheqësit tanë hapën zjarr dhe i vranë 300 shqiptarë”.
Në Tivar në kohë ka qenë e vendosur Brigada e X malazeze, rreth 100 luftëtar të Komandes vendore, një pjesë e Mbrojtjes popullore, një pjesë e Brigadës së Bokelit, dhe një numër i madh i të plagosurve të cilët ishin të armatosur, refugjatë dhe popullsi vendase. Një pjesë e divizionit të 46 të parizanve serb, të përbërë nga ushtarë të Vranjës dhe Pirotit, në Tivar gjithashtu kanë marr pjesë në vrasjen e shqiptarëve. Përveç partizanëve, në vrasjen e shqiptarëve kanë marrë pjesë edhe popullsia vendase malazeze.
Në zhdukjen e shqiptarëve po ashtu kanë marrë pjesë edhe popullsia civile serbo-malazeze të cilët kishin qenë të larguar nga Kosova pas luftës së prillit. Por kishte dhe vendas të cilët të rinjtë shqiptar i fshihnin nëpër shtëpitë e tyre ose në stogjet e sanës.
Dihet mirëfilli se pas kapitullimit të Italisë fashiste (shtator 1943) Shtabi Suprem i UNÇJ-së shtoi aktivitetin e vet ushtarak, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare dhe deri në nëntor 1944(por edhe më herët) në këto hapsira,u formuan njësite të shumta të “UNÇJ-së”, duke filluar nga çetat, aradhat, batalionet e deri në brigada. Këto formacione partizane edhe pse u formuan në trrollin shqiptar nuk u formuan për të mirën e shqiptarëve.
Në gjysmën e dytë të vitit 1944,derisa forcat aleate(amerikane-angleze-ruse)përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Titoja i shfrytëzoi këto rrethana, për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe ripushtimin e Kosovës.
Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj, udhëheqja jugosllave, në fillim të janarit 1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit-në Serbi.
Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944-janar 1945 ishte përqendruar në Drenicë, ”Shtabi Operativ i Kosmetit”, urdhëroi Shaban Polluzhën që ta lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, për t´u bashkuar me Brigadën VII, e cila po marshonte për Serbi.
Shtabi i Brigadës së Drenicës largimin nga Kosova do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ana e ushtrisë jugosllave, mirëpo pas dështimit të nënshtrimit të Shaban Polluzhës më 25 janar nisin operacionet ushtarake në shkallë të gjerë për asgjësimin e Brigadës së tij.
Në këto operacione antishqiptare morën pjesë: Divizionet 24, 26, 44, 46, 52 të Sërbisë, Divizionet 41 dhe 50 të Maqedonisë, grupi i brigadave të Malit të Zi(brigada e I e Bokës dhe brigada e VI) dhe repartet speciale të OZN-s të drejtuara nga Spasoje Gjakoviq.
Në kohën kur forcat jugosllave zhvillonin operacionet më të përgjakshme në Drenicë, më 8 shkurt 1945,komandanti suprem i UNÇJ-së J.B.Tito me urdhër të veçantë nr.31 vendosi administrimin ushtarak në Kosovë.Këtë vendim Titoja e mori më 7 shkurt 1945 në Beograd, në një takim me ushtarakët serb:Savo Dërleviqin, Gjuro Medenicën dhe Kërsto Filipoviqin. Me këtë urdhër ,i tërë pushteti në Kosovë do t´i kaloi një grupi të caktuar ushtarakësh serbo-malazez, të cilët do të ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv dhe atë gjyqësor.
Gjatë ndryshimeve në strukturën komanduese në krye të pushtetit ushtarak përkatësisht të “Shtabit të Ri Operativ” u emërua ish-shefi i Armatës I-rë: kolonel Savo Dërleviq, duke e zëvendësuar Fadil Hoxhën, i cili mbeti zëvendës i tij.
Shef i Shtabit u emërua nënkolonel Dushan Vukotiq (deri në atë kohë ishte zëvendëskomandant i Divizionit 46 jugosllav),shef i prapavijës u caktua Stevo Dobërkoviq (i dërguar nga shtabi qendror i Serbisë), ndërsa komisar politik u emërua nënkoloneli Gjuro Medenica. Më 10 shkurt 1944 kjo komandë bëri riorganizimin e tërësishëm të ushtrisë duke formuar Divizionin e artilerisë, të kalorësisë, të ndërlidhjes, grupin operativ të brigadave, Divizionin 46,52…etj.
Kjo makineri ushtarake në Kosovë duke i marrë të gjitha masat gjoja për “spastrimin” e terrenit nga “mbeturinat e fashizmit” dhe “kundërrevolucionarët” vrau e masakroi pamëshirë mijëra shqiptarë gjithandej Kosovës. Në këtë fushatë të egër ushtarake më 21/22 shkurt 1945 u shua me gjak edhe kryengritja e Drenicës, pas vrasjes së tribunëve popullorë Shaban Polluzha e Mehmet Gradica në kullat e Dvoranëve në Tërstenik.
Shtabi Operativ i “kosmetit” i urdhëruar nga SHS i UNÇJ-së me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars-prill 1945 mobilizon me dhunë shqiptarët për t´i dërguar në frontin e dytë të ashtuquajtur të ”Adriatikut”-në veriperëndim të Jugosllavisë.
Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar-Dubrovnik-Rijekë. Për këtë front mobilizuan shqiptarët nga Vushtrria,Besiana(ish-Podujeva),Prishtina,Kaçaniku,Ferizaji,Gjilani,Lipjani,Shtimja,Thera- nda,Burimi, Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni… etj.
Sipas kujtimeve të pleqve që përjetuan këtë mobilizim të dhunshëm…,të mobilizuarit shqiptarë, fillimisht janë tubuar nëpër qendrat e rretheve dhe ato komunale e pastaj, të organizuar në njësi ushtarake të komanduara nga oficerë shqiptar kanë udhëtuar në qendrën e përgjithshme mobilizuese (kazermën ushtarake)në Prizren. Pas sistemimit, shqiptarët e mobilizuar do të çarmatosen, me arsyetimin se armët do t’i marrin në Kroaci e Slloveni!
Çarmatosja atyre ju ka dhënë një sinjal të keq dhe me të drejt ka lindur dyshimi në përgatitjen e ndonjë skenari shfarosës në prapaskenë. Kjo psikozë u thellua edhe më tepër, atëherë kur u çarmatosën edhe oficerët shqiptar dhe për përcjelljen e tyre u ngarkua Brigada XXVII e divizionit 46-të serb 5 e njohur për terrorizimin e popullit shqiptar gjatë muajve të kaluar.
Deportimi i shqiptarëve të mobilizuar, nga kazermat e Prizrenit u bë në tri eshalone:
1.Eshaloni i parë që përbëhej nga 3.700 veta, u nis më 24.03.1945 dhe pas 5-6 ditësh arriti në Tivar, ku iu dorëzua reparteve të Divizionit të IX-të jugosllav. Gjatë rrugëtimit, derisa u dorëzuan në vendin e caktuar,të mobilizuarit u keqtrajtuan në mënyrë shtazarake nga kriminelët serbo-malazezë.
Të mobilizuarit shqiptar nga Tivari do të nisen për në Istri, ku fillimisht disa ditë do të ndalojnë për të pushuar në ujdhesën Çiovë afër Trogirit. Dhe ato ditë gjatë kalimit me një anije të vjetër, nga ujdhesa për në Trogirë, u mbytën rreth 65 veta, prej të cilëve 29 qenë vetëm nga Kaçaniku.
2.Eshaloni i dytë i përbërë nga 4.700 veta, u nis dy ditë më vonë (më 26 mars) nën përcjelljen e forcave të Brigadës XXVII dhe më 30 mars në Shkodër iu dorëzua Brigadës X malazeze 6. Gjatë marshimit katër ditor në rrugën Prizren-Zhur-Kukës-Puk-Shkodër ,përkundër lodhjeve e rraskapitjeve të mëdha nga rruga e gjatë, të mobilizuarit u keqtrajtuan e u rrahën dhe në shumë vende shumë prej tyre u vranë…si,gjatë kohës së pushimit, gjatë kalimit të lumejve apo gjatë tentimit të ndonjërit prej tyre për ta shuar etjen, në burimet e ujit.
Pas këtyre peripetive nga Shkodra nën përcjelljen e malazezëve – në mesditën e 1 prillit 1945 arritën në Tivar. Atë ditë të kobshëm rrugëve të qytetit shihej një mobilizim i ushtarëve serbo-malazez, të cilët vështronin me përbuzje kolonën e gjatë të shqiptarëve. Kjo kolonë është ndaluar në qendër të qytetit (me urdhër) kinse për të pushuar dhe ndërkohë ndodhë një eksces në mes rojes dhe katër shqiptarëve, të cilët u penguan që të pinë ujë në një krua aty afër.
Nga ky konflikt ushtarët e urdhëruar derdhin një breshëri plumbash në trupat e shqiptarëve, me ç’rast vriten disa prej tyre. Situata e tensionuar me qëllim (për ta filluar komplotin e përgatitur) e shtyri masën e shqiptarëve që të shtrihen për toke, ndërkohë që ajo hapësirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozëve që ishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, dritare dhe terracë të shtëpive e në shkëmbinjtë e kodrave përreth 7.¨
Azem Hajdini njëri nga dëshmitarët e mbetur gjallë nga Masakra e Tivarit, kështu e përkujton ngjarjen e krijuar pas ekscesit: “Me të përfunduar të këtij akti mizor, meqë ne ishim në kolonë për 4, në gjatësi prej 5-6 km, e ku mundësia për një shfarosje masive ishte më e vogël, na kanë urdhëruar të ngritemi në këmbë dhe të qëndrojmë në vend me duar të lidhura mbi kokë.
Pas pak na kanë urdhëruar të ecim drejt një ndërtese të madhe 3 katshe,i ashtuquajtur “Monopol i duhanit”, me një sipërfaqe prej afro 300m2 dhe me oborr të rrethuar. Ndërtesa ishte e rrethuar nga të 3 anët me kodra shkëmbore, kurse oborri ishte i rrethuar me mure të larta e me rrethoja të hekurt… Në të hyrë të oborrit – kujton A.Hajdini-ishin 10-15 ushtarë të cilët me shufra hekuri godisnin në kokë, gjoks apo në shpinë çdo njërin prej nesh… dhe nga këto goditje mbetën të shtrirë për vdekje rreth 100-150 veta.
“Pas futjes së shqiptarëve brenda në ndërtesë (rreth 1000 veta)dhe brenda oborrit të rrethuar me mure(2.200-2.500veta) dhe një pjese tjetër të mbetur në rrugë para oborrit,rreth orës 14.00, ata do të sulmohen nga të katër anët. Shtihej me te gjitha llojet e armëve të zjarrit si:me pushkë automatike,mitralozë, mortaja dhe bomba dore, revole etj,kështuqë brenda një ore, gjithë masa e grumbulluar në ato hapsira nuk mbeti në këmbë.
Me këtë rast oborri dhe sheshi u shndërrua në lumë gjaku që i ngjante një kataklizme të vërtetë,ndërsa ndërtesa u shndërrua në gërmadhë,me qindra kufoma shqiptarësh brenda saj. Kësaj masakre makabre arritën t’i shpëtojnë kryesisht ata që u gjendën në ndërtesë dhe ndonjëri, që kishte rënë në tokë para se të filloj sulmi 8.Kufomat e shqiptarëve të vrarë e të masakruar mizorisht gjatë tërë natës së ½ prillit u bartën me qerre dhe u hodhën në det për tu zhdukur nga vendi i krimit.¨
Sipas burimeve arkivore rezulton se në Tivar më 1 prill 1945 u vranë e u masakruan rreth 1700 shqiptarë,ndonëse nga kujtimet e dëshmitarëve që përjetuan këtë masakër del se ky numër mund të jetë shumë më i madh…9
Kjo ngjarje tragjike për popullin shqiptar, edhe pse ndodhi larg opinionit të atëhershëm, ishte e qartë se u përgadit nga kreu i udhëheqjes jugosllave edhe pse më vonë Aleksandër Rankoviçi me kompani, këtë ngjarje do të përpiqet ta cilësoj si incident të rëndë të shkaktuar me fajin e vet shqiptarëve!!10
Dërgimi i shqiptarëve për në Frontin e Adriatikut nuk do të ndalet edhe pas kësaj masakre makabre.
3.Eshaloni i tretë, me 2700 veta, nga Prizreni u nis më 27 mars 1945 nën përcjelljen e Brigadës XXVII.Gjatë rrugëtimit të gjatë e të mundimshëm, për mungesa të ushqimit e të higjienës dhjetra shqiptarë u sëmunë nga tifoja dhe për pasojë disa prej tyre vdiçën. Më 1 prill gjatë kalimit të lumit Buna,u përgadit një incident me ç’rast u vranë disa prej tyre. Ndërkaq në mbrëmjen e 2 prillit ky grup arriti në Tivar dhe iu dorëzua Divizionit të IX-të dalmatin.
Nga Tivari me anije u transportuan në Dubrovnik,ku u vendosën në disa objekte me destinime të ndryshme,mirëpo një grup prej 800 vetash që ishin vendosur në një depo baroti,në një mëngjes u gjetën të ngulfatur nga një lloj helmi dhe shumica prej tyre gjetën vdekjen 11.Edhe gjatë muajit prill 1945 janë nisur tri eshalone per në këtë front.
Eshaloni i parë-me 1.506 veta,nga Prizreni për në Tivar u nis më 19 prill,i shoqëruar nga repartet e batalionit të I-rë të Brigadës XXVI dhe Kompanisë së zbulimit të Divizionit të 46-t serb.2.Eshaloni i dytë-me 2.601 veta u nis më 20 prill nën mbikqyrjen e Brigadës XXV dhe të kompanisë së zbulimit të Divizionit 46 serb.3.Ndërkaq, më 24 prill u nis eshaloni i tretë-me 1.216 veta,i përcjellur nga Brigada XXVI12.Nga këto shifra rezulton se gjatë prillit,janë mobilizuar 5.323 shqiptarë,ndërsa pushteti serb,evidenton vetëm 4.300 veta.
Të gjitha këto eshalone u dorëzuan në repartet e Armatës së IV-të jugosllave dhe me anije u dërguan në shumë vija të frontit në Slloveni e Kroaci, prej nga qindra shqiptarë nuk do të kthyen kurrë në shtëpitë e tyre.
Gjatë muajve mars-prill 1945, përmes rrugës Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar (për në Frontin e Adriatikut) janë deportuar 16.423 shqiptarë nga Kosova, kurse rreth 4.600 të tjerë u dërguan nga viset shqiptare të Maqedonisë.