Për sot nuk është planifikuar takim mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e Isa Mustafës, liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Që prej ditës së hënë, kur u tha se VV-ja e LDK-ja do të finalizonin marrëveshjen për koalicion, por ndodhi e kundërta, nuk ka pasur takim në mes të dy partive që po tentojnë të formojnë qeverinë e ardhshme.
Të hënën, LDK-ja vuri në tavolinë të diskutimit disa kushte partisë së Albin Kurtit, e njëra ndër to ishte edhe pozita e presidentit. Përveç kësaj, Isa Mustafa kërkoi hise të barabartë me VV-në edhe në ministri. Si zgjedhje të parë ishte Ministria e Punëve të Brendshme.
Derisa Vetëvendosja nuk i pranoi këto kushte që i pati LDK-ja, Glauk Konjufca, njeriu i dytë më i votuar në VV, tha në emisionin Pressing në T7 se nuk negociojnë për presidentin, e bëri të ditur se MPB-ja ishte dikaster për të cilin kishin premtuar edhe gjatë fushatës.
LDK-ja deklaratat e tij i konsideroi si ofendime, e për ditën e djeshme u anulua takimi i planifikuar Kurti – Mustafa. Kjo u pa edhe si shenjë që koalicioni po shkonte drejt dështimit.
Të mërkurën, partia e Isa Mustafës lëshoi edhe një komunikatë për media ku potencuan se me VV-në do të vazhdojnë diskutimet për koalicion, e që nuk iu nënshtrohen presioneve publike.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është e përkushtuar të respektojë dhe zbatojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit. Në këtë drejtim, ne kemi shprehur vazhdimisht gatishmërinë dhe zotimin tonë të palëkundur në arritjen e një marrëveshjeje bashkë qeverisëse me LVV-në, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive, në frymën e bashkëpunimit drejt mbrojtjes dhe avancimit të interesave shtetërore të Kosovës”– bëhet me dije.
Pas kësaj komunikate, edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, hodhi poshtë zërat se po dështon lidhja e një koalicioni qeverisës me VV-në.
“Ne kemi punuar më shumë se dy vite për të ndërtuar kapitullin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit politik mes LDK-së dhe LVV-së. Keni durim. Po e ndërtojmë koalicionin në mirëbesim”- ka shkruar ai.
Raportohet se Albin Kurti do të marrë pjesë sot në konferencën e mbajtur në Berlin ‘Ballkan Dialogues’ (Dialogët Ballkanas), organizuar nga Instituti ‘Lindje-Perëndim’.