MENU
klinika

As për individët, as për biznesin

Paketa fiskale 2020, asnjë rritje taksash!

31.12.2019 - 10:34

Në vitin 2020 nuk do të ketë rritje të taksave as për individët as për biznesin.

Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera në një intervistë për ATSH-në deklaron se Paketa fiskale ka ndryshime që lidhen me miradministrimin, si nevojë e domosdoshme në kuadër të informalitetit.

“Në vitet e kaluara kemi ndërmarrë një sërë masash për reduktimin e barrës fiskale, ofrimin e lehtësive për industri dhe sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare. Këtë vit, ndryshe nga tradita e mëparshme, qeveria shqiptare nuk vjen me një paketë tipike fiskale, por me një paketë ndryshimesh në ligjet fiskale, me masa fiskale kryesisht në funksion të miradministrimit tatimor dhe nxitjes së disa sektorëve”,- shprehet Lera.

Ne tashmë, tha Lera, duhet të ndërtojmë një sistem transparent, të qartë, ku secili duhet të paguajë pjesën e vet të detyrimit tatimor.

Kalimi te fatura elektronike pra biznes to biznes do të ndikojë në rritjen e transparencës dhe arkëtimin e të ardhurave të duhura në buxhet”,- u shpreh Lera.

Sipas Lerës, kemi lehtësuar sektorin e industrisë automotive, duke caktuar normën e tatim fitimit 5% për personat juridikë që ushtrojnë veprimtari ekonomike në këtë industri.

Lehtësim shtoi ai, kemi vendosur edhe për promovimin e sportit me qëllim rritjen e financimeve në këtë sektor dhe transparencës.

Gjithashtu për tatimpaguesit që investojnë në projekte biznesi, me vlerë mbi 1 miliard lekë është vendosur mbartja e humbjeve për një periudhë 5-vjeçare.

Ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, detyrojnë qytetarët për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës individuale vjetore të të ardhurave për të gjithë individët që realizojnë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet në shumën e përgjithshme më pak se 2 000 000 (dy milionë) lekë. Aktualisht nga ky detyrim përjashtoheshin individët që deklaronin pagë minimal nën 30 mijë lek.

”Nuk kemi të bëjmë me vendosjen e një tatimi të ri, por ndryshimin e formës së deklarimit dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat, sikurse është parashikuar në ligj për të ardhurat nga punësimi”, sqaroi Lera.

Po ashtu, vijoi Lera, përjashtohen nga taksa e automjeteve edhe personat me aftësi të kufizuara.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga rivlerësimi i pronës tek heqja e tatimit

Çfarë lehtësirash sjell paketa fiskale në 2020?