MENU
klinika

John Lee Anderson

Çfarë mbetet sot nga miti i Ernesto Che Guevarës

06.12.2019 - 07:54

“Clarin” (Argjentinë)

Më 9 tetor 1967, kur ushtria boliviane dhe agjentët e CIA-s vendosën që të vrisnin Ernesto “Che” Guevara de la Serna në fshatin La Higuera, në rajonin e Santa Cruzit, ata ishin të bindur se vdekja e tij do të ishte dëshmi e dështimit të përpjekjeve komuniste në Amerikën Latine. Nuk ndodhi. Në kundërshtim me pritjet e tyre, vdekja e Guevarës u bë miti themelues për gjeneratat e mëvonshme të revolucionarëve, të cilët u frymëzuan ng guerilasi dhe u përpoqën ta imitojnë atë.

“Si mund të shkojnë pas një të dështuari?”, është pyetja që gjithmonë do të bëjnë kundërshtarët e Guevarës, Fidel Castros, revolucionit kuban dhe të gjithë ata që kanë kërkuar të nxisin një revolucion socialist në Amerikën Latine, gjatë pesëdhjetë viteve të fundit. Luajnë mendsh kur shohin të rinj nga vendet e tjera, madje edhe më i fuqishi i botës kapitaliste, Shtetet e Bashkuara, që veshin bluza me fytyrën e Che dhe, më keq akoma, tregojnë simpatinë e tyre për “luftëtarin heroik”, siç kujtohet zyrtarisht në Kubë.

Ata nuk e kuptojnë dhe kurrë nuk e kanë kuptuar se Guevara u bë hero për mënyrën se si ai jetoi dhe mbi të gjitha, si vdiq. Pak figura të tjera bashkëkohore publike e kanë arritur figurën e tij, veçanërisht në vendet socialiste. Nuk ka bluza me fytyrën e kreut sovjetik Leonid Brezhnev, shqiptarit Enver Hoxha ose kamboxhianit Pol Pot.

Krijimi i mitit të Guevarës nuk është vetëm rezultat i një fushate reklamash, alla “Mad Men”. Nëse do të ishte kështu, “të tjerët” do të konsolidonin disa nga heronjtë e tyre në imagjinatën popullore, sepse në fund ata do të fitonin betejën e madhe të Luftës së Ftohtë. Po ku janë bluzat e argjentinasve Jorge Videlas dhe Alfredo Astiz, apo diktatorit kilian Augusto Pinochet?

Për një numër arsyesh, duke përfshirë të qënit koherentë me idealet e tyre dhe gati për të vdekur për ato ideale, të mira apo të këqija, Guevara shkoi përtej rrethit të pasuesve të tij dhe u bë guerrilasi i përsosur. Një metamorfozë që transformoi dështimin e pamohueshëm në Bolivi, në një burim frymëzimi.

Fakti që Guevara ishte i ri dhe i pashëm kur vdiq, ka ushqyer legjendën e tij. Dhe fakti që trupi i tij i pajetë ngjante me atë të Jezusit, ndihmoi në ndërtimin e mitit pas vdekjes. Idetë e Guevarës, të shprehura në librin “Socializmi dhe Njeriu në Kubë”, ndoshta janë më pak të njohura sot për ndjekësit e tij të rinj, sesa portreti i famshëm i Alberto Kordës.

Fytyra e “Che” është në vetvete një markë tregtare dhe simbol global i një sfide ndaj status quos-ë, rebelim i pastër, sidomos i të rinjve mitur, kundër padrejtësive. Është fytyra e indinjatës kundër një bote të mbushur me pabarazi, ku – thonëfytyra dhe trashëgimia e guerilasit – duhet të marret pozicion dhe, nëse është e nevojshme, të luftohet deri në pasojat ekstreme. Ka pak fytyra të tjera që mund të shprehin një mesazh të tillë.

Pjesërisht, kjo është arsyeja pse miti i Guevarës është ende gjallë. Ai u konsolidua në epokën kur TV zëvendësoi radion si një media masive, dhe lindën kultura pop dhe konsumizmi, në të cilën ” ti je ajo që mban veshur” dhe jo domosdoshmërisht atë që bën.

Një paradoks

Dhe ja ku jemi, pesëdhjetë vjet më vonë, në një botë ku marka është gjithçka: në Mbretërinë e Bashkuar nëse mbani rroba Burberry, jeni pothuajse me siguri një konservator; në Shtetet e Bashkuara, nëse ngisni një makinë Subaru, jeni një votues i Partisë Demokratike, ndoshta vegjetarian, ose të paktën të tërhequr nga ushqimi organik. T-shirt i Guevarës thotë se keni një qëndrim sfidues ndaj botës, që nuk nënkupton një angazhim konkret, por që merrni pozicion. Ka edhe më. Në këtë epokë, ku secili ka një smartphone dhe shpenzon orë të tëra në rrjetet sociale, Guevara paraqet një paradoks: është lidhja me një botë reale të kaluar, dëshmia e prekshme se dy breza më parë, mijëra burra dhe grave, sidomos të rinj, bënë gjëra reale për të shprehur mospajtimin e tyre. Ky brez mund të ketë dështuar, por sot sakrifica e tij ka diçka romantike.

Në vitet e fundit, disa përfaqësues të gjeneratës së re, të quajtur gjenerata smartphone, kanë ngritur pyetje të reja rreth Guevarës. Ata janë tërhequr nga figura e tij, por janë të shqetësuar në lidhje me tre gjëra: duan të dinë nëse ishte homofob, nëse ishte racist, dhe nëse është e vërtetë që ishte “vrasës”.

Njëzet vjet më parë, pothuajse askush nuk më bënte pyetje pyetje të tilla, një provë kjo e faktit se politika e identitetit ka vënë nën kontroll debatin publik, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Ndryshimi i perspektivës ndaj figurës së Guevarës më intereson dhe më shqetëson, për pafajësinë e shprehur nga këto ankthe të reja.

Guevara nuk ishte racist dhe me aq sa di unë, as homofob. Po sikur të ishte? A janë qëndrimet e tij ndaj seksualitetit apo përkatësisë etnike, elementët më të rëndësishëm për të vendosur, nëse do ta admirojmë apo do ta përçmojmë? Çfarë duhet të mendojmë për Malcolm X? Ta admirojmë për guximin kundër racizmit të bardhë, apo ta dënojmë për fjalët e urrejtjes kundër “djallit të bardhë”? Çfarë duhet të themi për kohën që i parapriu angazhimin të tij, kur ishte keqbërës dhe detyronte gratë të prostituonin?

Shqetësimi më i madh i shprehur nga të rinjtë është ai i “Guevarës vrasës”. Kjo është një pyetje që më është bërë shumë herë dhe kështu që, unë kam shpjeguar se Che Guevara, pavarësisht se sa bukur dukej bereta dhe mjekrra e tij, ishte një guerilas. Nuk ishte një markë apo aktor që luante rolin e luftëtarit. Kam shpjeguar se në atë botë reale, luftëtarët si ai luftonin me të vërtetë dhe kishin armë. Ata vranë, dhe nganjëherë vdiqën, për idetë e tyre. Gjithashtu kam shpjeguar se, sipas mendimit tim, ekziston një dallim mes të qënit një “vrasës” dhe një guerilas. Pavarësisht asaj që unë mendoj, është e vërtetë se Che Guevara ka ndjekur penalisht dhe dënuar me vdekje njerëz, në Sierra Maestra në Havanë gjatë gjykimeve kundër përkrahësve të Fulgencio Batistas, pas triumfit të revolucionit në vitin 1959.

Me aq sa unë di, njerëzit e dënuar me vdekje dhe të pushkatuar në Sierra ishin vrasës, përdhunues apo tradhëtarë. Armiqtë e kapur dhe vrarë në Havanë ishin anëtarë të skuadrave të vdekjes, të shërbimeve të inteligjencës të Batistas, ose ishin ushtarë të cilët kishin kryer akte mizore. E pranojnë të rinjtë apo jo, mosmarrëveshja konjitive që disa prej tyre përjetojnë kundrejt një ikone të kulturës pop, tregon shumë për atë se, çdo brez imponon përkufizimet e veta për figurat historike.

Çfarë duhet të mendojmë për Guevarën sot, në një botë ku Shtetet e Bashkuara qeverisen keq, nga një miliarder racist dhe i paaftë si Donald Trump, Bashkimi Sovjetik nuk ekziston më, por ka Vladimir Putinin, i cili është kreu i një Rusie ultra-nacionaliste, autoritar dhe jashtëzakonisht i korruptuar? Kina nuk është më vendi i Mao Cedunit, dhe as i batalioneve të fshatarëve dhe punëtorëve, të cilat Guevara i admironte shumë. Është një vend që jeton një kapitalizëm të shfrenuar.

Shtetet e Bashkuara kanë fituar Luftën e Ftohtë, ose të paktën betejën ekonomike. Njëzet e gjashtë vjet pas rënies së komunizmit, vendet ku kishte luftëra guerilase të frymëzuara nga Guevar, janë pothuajse të gjithë kapitalistëe. Në Amerikën Latine përjashtimet janë Venezuela dhe Kuba, të cilat ende demonstrojnë socializmin e tyre. Në Nikaragua ekziston sandinisti i vjetër Daniel Ortega, i cili revolucionar është shumë pak.

Në vend që të fshihen në malet e vendeve të tyre për të ndjekur një ideal revolucionar, sot gjeneratat e reja të latino-amerikanëve të varfër dhe të margjinalizuar të Amerikës Latine, emigrojnë në veri, për të bërë punë të pista në SHBA. Të tjerë hyjnë në bandat kriminale. Krimi i organizuar dhe narkotikët janë rritur dhe tashmë dominojnë të gjithë territoret e hemisferës. Betejat bëhen për çështje parash dhe jo më për të ndjekur idealin e “një bote më të mirë”.

Në Bolivi, ku Guevara u vra, qeveris Evo Morales, i cili nuk është vetëm presidenti i parë i zgjedhur në pesëqind vjet, në një vend me shumicë indigjene, por edhe një admirues i zjarrtë i guerrilasve argjentinas. Dhe në përvjetorin e betejës së fundit të Guevarës, e cila për përkrahësit e tij është 8 tetori (jo dita e vdekjes së tij më 9 tetor), Morales filloi festimet për të nderuar guerilasin. Ndoshta në këto pesëdhjetë vjet diçka ka ndryshuar vërtet në sajë të pranisë së Ernesto “Che” Guevarës në Amerikën Latine.