MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Ditëzinj kafenesh, nuk është punë Rame dhe Thaçi, kjo…

22.12.2019 - 14:17

      Analistët e dy krahëve të kufirit, filluan prapë tu bien tam tameve të analizës së kafeneve. Me ardhjen e Vuçiçit në Tiranë dhe mospjesëmarrjen e Kosovës në të, për arsye të ditura e të paditura, analistët e kafeneve i nxorën brirët e luftës së propagandës. Të gjithë ama, larg asaj që quhet realpolitikë e ca më larg, asaj që quhet gjeopolitikë, apo ndryshe, politikë e tokave.

Në një pikpamje të thjeshtë, të marrësh anën e kritikëve të rreptë, duhet të kthehesh në kohën e Mitrush Kutelit, që i theksoi qartë Hoxhës, se barazimi i lekut me dinarin, shkonte në favor të këtij të fundit. Hapja e doganave, po ashtu. Një periudhë e shkurtër, pro kësaj politike nga Hoxha, vërtetoi fjalët e Kutelit, megjithëse ky i fundit, u çua në burg për këtë të vërtetë.

Megjithëse e varfër, Shqipëria e kohës pak pas pushtimit italian, kishte ende shumë mallra, ardhur nga Italia, në magazinat e saj. Leku, po ashtu, ishte më i fortë se dinari. Humbja, ishte e Shqipërisë. Dhe kjo, ishte e natyrshme.

Në shumë pikëpamje, duket se jemi në të njëjtën situatë. Serbia, nga të gjitha vendet përreth, është më e forta dhe më e dobëta, është Shqipëria dhe Kosova. Sipas ligjeve të natyrës, që janë më të sakta se të historisë, apo të mendimit, nivelet energjitike vijnë nga lart poshtë dhe e anasjellta, nuk është e vërtetë. Rruga Durrës-Kukës, provoi thjesht, këtë. Ishin mallrat serbe, ato që dominuan supermarketet shqiptare, gruri po serb dhe energjia që vinte, apo është ende nën komandën e tyre, rrjedh në telat e Shqipërisë. Në realitet, ky lloj dominacioni, nuk është produkt i ardhur prej 50 apo 100 vjetëve të fundit.

Perandoria turke në historinë e saj, ka qënë më e dobëta në det, nga gjithë perandoritë e kësaj bote. Kështu që tentativa e saj, për të penetruar në Europë, ishte e lidhur me tokën dhe toka kalonte nëpërmjet Beogradit. Ky fakt i thjeshtë, mishërohet në atë që, dy vendet Shqipëri dhe Greqi, nuk kanë pothuajse fare, histori mesjete. Shqipëria ca më shumë, duke u shndërruar në periferi të Perandorisë turke, e mbetur e pazhvilluar, në porte dhe rrugë komunikimi.

 

Kur udhëheqësit e djeshëm, të sotëm, a të nesërm, duhet të marrin parasysh marrëdhëniet ekonomike, gjeopolitika hyn së pari, në punë. Po meqë Europa, ka kohë që i ka lënë sherret për punë tokash, është ca më mirë të analizosh gjeografinë, për punëra ekonomike.

Çdo njeri që sheh pozicionin gjeografik të Shqipërisë dhe Kosovës, apo sheh thjesht, hartën e saj, nëse nuk do t’i përvishet historisë me tradhtarë e tradhtira, duhet të pyesë veten, sesi do të zhvillohen këto dy pjesë.

Si do të hyjnë ato në Europë, apo si do t’i shfrytëzojnë resurset e tyre ekonomike, për ta plotësuar këtë ëndërr.

Vëzhgimi i thjeshtë për Kosovën edhe po e quajte me të drejtë, një provincë e Shqipërisë, të tregon se ajo do të hynte në Europë, jo nëpërmjet rrugëve të saj. Një kamion i nisur prej aty, do të kalonte në shumicën e rasteve, nëpërmjet Nishit në Europë dhe jo, nëpërmjet rrugëve apo porteve tona. Hidhini një sy hartës dhe nuk ka nevojë për komente…

Kësaj analize të thjeshtë, duhet t’u përgjigjen ata që nxjerrin lapsa kafeneje. Po edhe vetë Shqipëria, duket sikur duhet të bëjë thuajse, të njëjtën rrugë si Kosova, nëpërmjet boshtit Durrës-Kukës. Në një gjykim më të thjeshtuar, pa hekurudha e pa porte reale, Shqipëria, sido t’i orientojë analistët, pro- qeveritarë, apo kundër saj, nesër, sipas rregullave natyrore, do të shndërrohej në një gjysmëkoloni të Serbisë.

Kjo lloj analize, që nuk merr parasysh kush e qeveris Shqipërinë sot, apo nesër, që e ka emrin Edi Rama, apo Hasan Hyseni, duhet të na japë të kuptojmë, sesi të dalim nga ky pozicion i vështirë dhe çfarë është e mundur, realisht.

A ka mundësi reale, të dilet nga ky pozicion?

A vlen të diskutohet realisht, cilat janë mundësitë potenciale të Shqipërisë e Kosovës edhe kur Europa pajtohet, po edhe kur grindet? Kjo histori, nuk është propagandë ditore, ku mbrehin lapsat patriotët që, për të njëjtat arsye, të thonë të kundërtën, nesër?

kolana e librave

Besoj, nuk është punë e tyre. E ca më pak, të gjykojnë: a tradhtoi Rama, a tradhtoi Thaçi, tradhtoi “X” apo tradhtoi “Y”. Ky gomarllëk, që e ka bazën te mënyra hoxhiste e gjykimit të historisë, që për interesa ditore, ngrinte sot në qiell Rusinë dhe me të njëtin zell e namatiste atë, në favor të Kinës, duhet të marrë fund, njëherë e mirë.

Në hartën që po ia paraqes lexuesve të Konicës, për të disatën herë, mund të shkruajmë thjesht.

Dy nga korridoret më të mëdha të Botës, që vijnë nga Suezi dhe Gjibraltari, kryqëzohen edhe në Shkup, ku gjenden edhe shumë të racës sonë. Prej tij, mund të shkosh në Turqi e po të duash, të lidhesh me rrugën e Mëndafshit, nesër. Mund të shkosh në Europë qendrore e po të thurësh ëndrra të mëdha, mundet edhe të zësh Rusinë nëpërmjet Ukrahinës.

E dini ç’do të thotë, të jesh në afërsi të qendrës ku kryqëzohen dy nga korridoret më të mëdha të botës, ku shumica janë shqiptarë? Do të thotë, të jesh zot i vetes tënde e të mos biesh pre e epërsisë ekonomike të të tjerëve?

Ai që nuk ka qejf t’i hyjë llogarive të mëdha, le të marrë hartën e Shqipërisë e të mos ta shohë këtë vertikalisht, por horizontalisht. Ta shohë në formën e një pallati dhe të gjejë nga hyhet në të. Nga cepat, apo nga mesi? Të vejë e të pyesë një gjeometër me katër klasë, nga do t’ia bëjë hyrjen shtëpisë. Nga cepat, apo nga mesi?

 

Shqipëria dhe analistët e saj të kafeneve, duhet të kuptojnë njëherë e mirë, se vendi, që shumicën e eksporteve i ka minerale, që ka det, ndryshe nga Serbia dhe mund të shfrytëzojë portet e saj, për t’u lidhur me Europën e botën, nuk ka asnjë rrugë tjetër, veçse të shfrytëzojë pozicionin e saj gjeografik.

Dhe po prapë, në bazë të ligjeve të natyrës, t’i shtrijë dorën një vendi të vogël, më të vogël se ajo, që ka pozicionin më mirë gjeografik në rajon, sepse është dispeceria e Ballkanit, pra Maqedonisë fqinje.

Nëse Shqipëria, ka çelësin e hyrjes nga Gjibraltari në Ballkan, nëpërmjet Vlorës dhe Durrësit, Maqedonia është dispeceria e tij. Dhe gjithë rruga, nga Vlora a Durësi dhe deri në Edirne, nuk është tjetër, veçse paradhoma që të shpie në Bosfor, nga ku lindja lidhet me Perëndimin. E dobishme në kohë paqeje, e dobishme në kohë lufte.

 

Po të mos ta dinin amerikanët këtë, nuk zinin të parën Maqedoninë, që në 1991. E dinin më mirë se të gjithë ne, apo e mësuan nga austriakët a nga Bismarku, sa vlen pozicioni gjeostrategjik dhe pastaj ekonomik, i këtyre dy vendeve të vogla. Shtrijini dorën Vuçiçit, por përqafojeni Zaevin…

Lërini broçkullat e kafeneve, bëni institutin e studimeve strategjike dhe vendoseni vendin, atje ku duhet të jetë. Shakatë idote, se kush është tradhtari i Shqipërisë apo i Kosovës, nuk i hynë në punë njeriu. Janë produkte të një kohe parahistorike.

Po nuk e bëtë këtë, shumë vështirë do të jetë nesër, kur Europa, në emër të pajtimit, do të zhdukë sherre kufijsh. Do të shohim tragjedinë tonë, që ashtu si dhe Kosova, në vend të jemi zotër të shtëpisë, do të jemi vetëm një zorrë qorre e kësaj pjese të Europës.