MENU
klinika

Çfarë propozon Vuçiç?

“Do jemi ndër donatorët më të mëdhenj në Shqipëri”

21.12.2019 - 14:24

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka nisur fjalën e tij me tragjedinë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor.

Teksa ndodhet në Tiranë për Samitin e tretë të Minishengenit Ballkanik, Kreu i Shtetit serb tha se të hënën qeveria e Serbisë do të marrë vendimin për të ndihmuar Shqipërinë me një vlerë parash për procesin e rindërtimit pas tërmetit shkatërrues.

Më tej, Vuçiç foli për temat kryesore që janë diskutuar në Samit, mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama, atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ku ndër të tjera, tha se do të krijohet një treg i madh dhe unik pune mes këtyre vendeve.

“Shpreh ngushëllimet e mia për të gjithë personat e familjeve që vdiqën në tërmetin e tmerrshëm që goditi Shqipërinë. Unë besoj se gjithë njerëzit në vendin tuaj e kuptuan simpatinë tonë, se ne bëmë gjithçka. Falënderoj Ramën që na çoi sot në Durrës, ku pamë ata fëmijë të mrekullueshëm që kishin humbur familjarët, dhe them që qeveria e Serbisë do të marrë një vendim të hënën për të ndihmuar me një vlerë parash Shqipërinë, por edhe me donatorët më të mëdhenj. Diskutimet që kemi zhvilluar ishin në funksion të intensifikimi të marrëveshjeve tona.

Njësitë tona të emergjencës do të bashkëpunojnë më ngushtë në të ardhmen, në mënyrë që kur një tragjedi të godasë ndonjëherë njërin nga vendet tona, të njëjtat forca do të jenë në vendin përkatës në të njëjtën kohë. Pra, do të jenë në dispozicion të njëri-tjetrit.

Më duket se kemi marrë vendime të rëndësishme, që kanë rëndësi për gjithë rajonin. Ne do vijojmë të ndërtojmë jo vetëm inspektimet tona, shërbime 24 orë në dogana, më shumë lehtësira në pikat kufitare. Kamionët të mos rrinë më shumë se 6 orë në kufi, pra të përpiqemi të zbatojmë marrëveshjen e operatorëve të autorizuar. Kjo do të ulë kostot operative dhe do përmirësojë standardet e njerëzve tanë. 320 mijë kamionë kalojnë në vit në pikat kufitare.

Kjo tregon çfarë përfitimesh ka një gjë e tillë. Për ata që e quajnë minishengen, ne do të përpiqemi të krijojmë një treg të përbashkët pune, që nënkupton një nivel më të lartë tërheqjeje për investitorët e huaj. Do jetë e mundur që ata thjesht të aplikojnë dhe të marrin leje të përhershme pune në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi e Maqedoni.

Një propozim do të jetë përafrimi i shumë rregulloreve, në mënyrë që të bëjnë një treg unik. Kjo është shumë e rëndësishme për ne, që jemi vende të vogla”– tha Vuçiç.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Axhenda/ Samiti i tretë i Shengenit Ballkanik,

Vuçiç dhe Zaev në Tiranë, qytetarët i presin me protesta