MENU
klinika

Nga Shpëtim Nazarko

Doktor, paditur e padashur, hodhëm në erë Shqipërinë

11.12.2019 - 18:18

Po lexoja Doktor Berishën sot, që shkruante për rrëzimin e diktaturës, dhe m’u rikujtua Profesori im i vjetër që më mësonte shahun. E pyeta një ditë kur isha rrotull 15 vjeç, me kureshtjen e një fëmije.

Profesor, pse lojërat tona nuk na dalin si të Fisherit a Kapablankës?

Profesori ishte bashkëvuajtës në Lushnjë, i internuar, kampion absolut shahu në kohën që e lanë… Nxënës i një prej fizikantëve më të mëdhenj të historisë Enriko Fermit, i laureuar me ar në Torino, ktheu kokën dhe më tha me gjysmë buzagazi dhe trishtimi të plotë.

Sepse janë të kalbura në bazë Shpëtim. Dhe pandaj nuk pjellin dot asgjë.

Kjo fjali e llahtarshme, që do më shoqërojë tërë jetën, më ka bërë shpesh të buzëqesh me trishtim, kur flasim për një përvjetor të tillë. Unë nuk e kam kritikuar asnjëherë rëndë Berishën, ashtu si bëj dhe me Ramën, apo të tjerë. Më del përpara fjalia e mësipërme, që më ndalon.

Tani çdo ditëzi, e di që në 1990 regjimi kishte mbaruar. Për t’i rënë shkurt mjafton një fjali. Në 1 janar 1991, regjimi që na jepte rrogat e 15-ditëshit, kishte vetëm 6 milionë dollarë në arkë. Kishte dy a tre vite që po harxhonte floririn e fundit, se kleringu nuk shkonte më. Kishte krijuar një borxh po dy a tre vitet e fundit para se të binte, gjysmë miliardi dollar. 150 milionë dollarët e fundit, i përpiu thatësira e atij viti të tmerrshëm.

E kisha të qartë këtë dhe i thashë një ditë doktorit nga fundi i shkurtit të vitit 1991. Më kishte marrë si tip ndihmësi.

Doktor! Është e qartë se ti do të jesh i pari. Po unë mendoj, të vesh t’i thuash Ramizit që të rrijë edhe nja dy vjet. Po u soll mirë, jepini dy dhoma e një kuzhinë në fund. Po u soll keq dhe mendon që është akoma në krye, shpjereni te 7 penxheret. Regjimi ka rënë, po ka ca probleme që do t’i vuajmë më shumë nga sa mendon

Doktori më sheh i habitur. Ç’kuptim ka kjo, më pyeti?

Është e thjeshtë. Vendi rron me lekët e 15- ditëshit i thashë. Komunistët e zyrave nëpër rrethe ia kanë mbathur. Oborri i PD-së nuk ka vetëm militantë e të vuajtur, por shumë xhambazë të të gjitha llojeve, që e kuptojnë se ka mish për të ngrënë, si ato korbat që vijnë rrotull kufomave. E dinë më mirë që nuk ka më lekë. Hoxha u ka hequr pronat të gjithëve dhe nëse nuk ka lekë 15 ditëshin tjetër, do të fllojë një llahtari që nuk është parë e dëgjuar.

Dhe vazhdova

Në veriun nga jeni Ju, nuk ka njeri pronë dhe kooperativa dhe në kohën e Enverit, nuk u jepte lekë as për një bukë. Po Hoxha ishte kujdesur që një nga pjesëtarët e familjes ta mbante në minierë. Një familje tjetër e kishte në pyje. Një në hidrocentrale. Një në bimë medicinale. Këta mbajnë shtëpinë, se kanë rroga të mira për kohën.

Kur të mbyllen këto sic thotë Zoti Pashko, a Ju brenda ditës, ku do vejë kjo masë e madhe njerëzie? Pa pronë e pa punë?

Do arratiset nga sytë këmbët. Serbia nuk i lë. Do zënë Italinë, sa munden se ka det. Një pjesë Greqinë me tokë, po shumica do vijë në Tiranë. Po për të ardhur deri këtu duhen lekët e rrugës dhe të shtëpisë për të fjetur…Ku t’i gjejnë ?

Do presin pyjet, do shkatërrojnë e vjedhin miniera, e çka për të shitur për të ardhur këtu. Dhe nuk e kam të vështirë të shoh me sytë e mendjes një Tiranë, me 1 milionë njerëz në tre a katër vjet, të cilët ajo, do t’i duhen 50 vjet të tjera t’i tresë….

Ngjau ajo që ngjau.. Ramizi që e njihte më mirë se ne arkën e shtetit dhe si funksiononte sistemi, na e la në dorë, pa asnjë lloj revolucioni.

Nuk është sekret i madh të dish se një qeveri mund të bjerë dhe në 5 minuta. Me grusht shteti a me një bandë të armatosurish, po një mënyrë jetese do shumë të bjerë. Dhe pandaj isha për uljen e ngadaltë dhe jo për merakun për Ramizin që kishte kohë që kishte vdekur bashkë me sistemin… 

Në thelb po vuajmë ato që thashë më lart dhe nuk ishin vështirë për tu parashikuar. Profesori i vjetër po më jepte leksion praktik.

Tridhjetë vjet më pas jemi po në të njëjtën gjendje. Megjithëse ky shtet është i gjithi i privatizuar, pothuajse të gjithë pasanikët e tij, rrinë me sy e veshë te arka e shtetit….

Sepse nuk bëmë shtet. Nuk dhamë dot prona. Nuk i mbrojtëm dot pyjet dhe tokat. Dhe kemi bërë një bartërdi urbane që do dhe tridhjetë vjet të tjera ta riparojmë. Kavaja, një qytet që e kishte deputet Doktorin 20 e ca vjet, është një shembull tipik i asaj që ndodhi.

Një i huaj që e shoqëroja një ditë, duke hedhur sytë në drejtim të qytetit më tha pas një minute.

Nuk duhen më shumë se 5 sekonda të kuptohet, se Shqipëria është një shtet i falimentuar. Mjafton të shikoj këtë batërdi të shtëpive të Kavajës ta kuptojë.

Mund të kishte parë Kamzën, që më kujton çfarë thashë më lart. Të duket se je në mesjetë, apo ca më keq. Dhe njerëzia vuan pafundësisht. Kë rregulluam? Pronat? Ujërat? Tokën e punueshme? Infrastukturën urbane?

Shoh vetëm militantë të dy kampeve. Një palë që mallkojnë komunistët e vjetër dhe të rinj. Një palë militantësh kanë filluar më keq se budallët të kërkojnë Enverin… Vendi i ngjan një çmendine, ku të tërë sillen vërdallë dhe nuk prodhojnë dot asgjë.

Po Shpëtim, më thotë Profesori im i vjetër nga varri. Do t’u ndodhte, se loja juaj ishte që në bazë e kalbur. Nuk dinit, a nuk donit është tjetër gjë.

Nuk është për t’u mburrur cfarë krijuam. Nëse do të flisja me ironi, do të kujtoja një ndodhi sa të vërtetë, aq edhe jo të tillë.

Kur “reformatori”  Brezhnjev, që erdhi pas Hrushovit vajti te nëneja e tij, në fshatin e lindjes me makinën që e ngiste vetë (sidozot Nanua ynë dikur) me një Linkoln që ia kishin dhënë amerikanët dhuratë dhe po i tregonte asaj makinën, nënja i tha,

Shumë e mirë është bir. Po si do tja bësh, sikur të vijë prapë Xherxhinski i sovjetëve? Do na marrësh më qafë…

Te ne nuk do vinë sovjetë dhe komunizmi kurrë. Do të vijë SPAKU, që është thuajse e njëjta gjë, por vetëm për ata që kanë vjedhur. Ndërkaq një gjë është e sigurt. Dhe këtë jo vetëm doktori, po dhe e gjithë kasta e vjetër 30-vjeçare alla Brezhnjev, duhet ta dijë të vërtetën e thjeshtë.

Këto tridhjetë vjet që ndërtuam apo lozëm këtë lojë shahu po të doni, e bëmë mbi baza të kalbura. Dhe nga kjo lloj loje nuk vjen gjë e mirë. Nuk na ngushëllon dot as hyrja në NATO e as në BE. Thjesht duhet bërë pyetja: Ku gabuam dhe pse gabuam?

Dhe si i bëhet për të shpëtuar nga këto gabime, e në vënd të ndreqnin maskarallëqet e bëra nga komunizmi i Hoxhës deri në 90-ën, i dhjetëfishuam ato, njëqind, a njëmijë herë. Këtu është cështja.

Kush ecën me kujtime dhe në rastin më të mirë dhe kjo vlen edhe për Doktorin që është tifoz i Hygoit, të cilin recitonte shpesh në parlament është mirë që më shumë se të flasë për atë ditë të kujtosh fjalët e kollosit francez..

Kush ecën me kujtime, nuk bën gjë tjetër veçse zvarritet.