MENU
klinika

"SPAK do mbështetet 100%"

SHBA: Ndihmë për 9 mijë fëmijë të prekur nga tërmeti

02.12.2019 - 14:47

Pas tërmetit katastrofik, të gjithë banorët e Durrësit, po presin vlerësimet dhe dëmshpërblimet e dëmtimeve të banesave të tyre.

Në murin e bashkisë janë vënë kontaktet e duhura, ku banorët mund të komunikojnë për problemet që hasin gjatë këtyre ditëve.

Gjithashtu në mur janë vendosur edhe emrat e familjarëve që janë strehuar tashmë.

Jashtë ambinteve të bashkisë, banorët mund të plotësojnë formularët me dëmet që kanë pasur në banesë, ku edhe do të bëhet vlerësimi i duhur më pas.

Leyla Moses-Ones, e ngarkuara me punë nga SHBA-ja ka mbërritur në Bashkinë Durrës, për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit. Përfaqësuesja diplomatike e USAID-it ka ardhur bashkë me shtabin e emergjencës, të cilët do të bëjnë vlerësimet e duhura.

Ajo është shprehur se u shprehin ngusheëllime për këtë ngjarje dhe se do të japin ndihmën e duhur që nevojitet.

“Do të ndihmojë edhe UNICEF, pasi do të mbështesë 9 mijë fëmijë të prekur nga tërmeti. Do të mundësohet një vlerësim për banesat e shkatërruara. I kemi dhënë një grant Kryqit të Kuq që do të merret me ndihma e menjëherëshme humanitare”– është shprehur Moses-Ones.

E pyetur për çështjen e SPAK-ut, ajo është shprehur se nuk ka një informacion për dosjet që do t’i dërgohen SPAK-ut, por do të ketë mbështetje 100%.

Bashkë me Moses-Ones, kanë ardhur inxhinierë strukturash nga Departamentet Zjarrfikëse të konteve Fairfax dhe Los Angeles, të cilët do të ndihmojnë në vlerësimin e dëmeve në godina dhe infrastruktura, si pjesë e mbështetjes së qeverisë së Shteteve të Bashkuara për rimëkëmbjen nga tërmeti.

Ky ekip do të ndihmojë në përcaktimin e shtëpive, shkollave dhe ndërtesave të tjera që janë të sigurta për rikthimin e njerëzve.