MENU
klinika

Nga Isuf KALO

Etika mjekësore dhe interesi publik

13.12.2019 - 12:02

Me ose pa të drejtë në tre dekadat e fundit për personelin tonë mjekësor dhe vecanërisht për etikën e tij është folur  kryesisht me tone të ashpra kritike. Përjashtim është bërë në raste aksidentesh dhe katastrofash të mëdha. Në to qytetarët kanë parë me admirim tek ata një imazh etik krejt tjetër. Kështu ndodhi edhe gjatë ngjarjes tragjike aq shumë emocionuese të tërmetit të fundit në 26 Nëntor të këtij viti.

Qytetarët, politika, dhe media dukeshin sikur po fërkonin sytë gjatë këtyre ditëve, të habitur, tek po i shohin profesionistët me bluza të bardha si për herë të parë të shndërruar mrekullisht nga “indiferentë” apo “të korruptuar” në humanistë, misionarë të përkushtuar dhe pse jo heronj në përpjekjet për të lehtësuar dhimbjet e vuajtjeve dhe shpëtimin e jetës së viktimave.

E vërteta është se tipare të tilla të përkushtimit, sakrificës dhe altruizmit punonjësit e shëndetësisë tonë i kanë dëshmuar në çdo ngjarje kur janë rrezikuar jetë njerezore. Edhe në rastet e tilla për disa kohë ata janë quajtur heronj. Por, admirimi ka vazhduar jo gjatë. Mirëkuptimi dhe mirënjohja ndaj tyre përgjithësisht është dëshmuar jetë shkurtër. Një nga arsyet ndoshta është se profesioni mjekësor me specifikat e veçanta që e dallojnë njihet jo sa duhet mirë jashtë kufijve të tij, qoftë nga politika, nga media dhe nga vetë qytetarët. Bluzave të bardha u është dashur herë pas here të përballen me, keqkuptime, keqvlerësime dhe qëndrime të pamerituara ndaj tyre. Jo vetëm tek ne.

Kjo ndjesi mu rizgjua tek kujtova dramën e mirënjohur të norvegjezit Henrik Ibsen, “Armiku i popullit”. Ajo është shkruar në vitin 1882. E pata lexuar atë në rini kur nuk isha ende mjek, por pa mundur dot të evidentoja mesazhet thelbësore të saj në rrafshin etik. Në respekt të kolegëve që u përkushtuan me profesionizëm të lartë dhe vetmohim në tragjedinë e 26-Nëntorit 2019 po risjell për lexuesit mesazhet e Ibsenit.

  • Heroi naiv

Ngjarjet në dramë janë të pakta e të thjeshta. Ato zhvillohen në një qytezë balneare të bregdetit të Norvegjisë jo aq me aksione se sa me dialog argumentesh, ku ndeshen si personazhe kryesor dy vëllezër: Thomas Stocman, mjek dhe i vëllai i tij më i madh Peter Stocman, kryetar i Bashkisë të atij qyteti.

Falë qendrës balneare mjaft të suksesshme të atjeshme, qyteti siguronte të ardhura të konsiderueshme nga turistët dhe pacientët e shumtë. Ajo u bë edhe shkaku i konfrontimit mes dy vëllezërve por edhe disa personave të tjerë të lidhur me interesa me ta.

Gjithçka nisi me dyshimin që i lindi mjekut, Thomas Stocmanit, lidhur me përkeqësimin shëndetësor të disa pacientëve pas seancave balneare. Për të sqaruar shkakun, ai analizoi ujërat minerale në një laborator shkencor të besueshëm dhe u trondit kur mësoi se ato përmbanin lëndë me veti helmuese me rreziqe serioze për jetën. Duhej, sipas tij, të mbyllej urgjentisht qendra, të ndërpritej përkohësisht çdo aktivitet derisa të ndërrohej sistemi i tubacionit dhe qendra balneare të rihapej vetëm pasi të sigurohej me analiza parrezikshmëria shëndetësore.

Thomas Stocmani priste që pas këtij zbulimi të konsiderohej hero, shpëtimtar i shëndetit dhe jetës së bashkëqytetarëve dhe klientëve të tjerë. Dy gazetarë të njohur premtuan ta bënin këtë zbulim lajm të bujshëm. Mirëpo më pas ata “dredhuan”. Kurse pritshmëritë e mjekut për lavdërimin me mirënjohje si hero, për fat të keq rezultuan zhgënjyese dhe naive.

Morali apo interesat?

Shkak i zhgënjimit të mjekut u bë mos miratimi nga i vëllai, Peter Stocmani kryebashkiak, i raportit të tij për rrezikshmërinë shëndetësore të ujërave termale të qytetit. Kryebashkiaku reagoi ashpër, madje i revoltuar ndaj të vëllait mjek. Sipas tij me zellin e tepërt të moralit profesional, për t’ja bërë të ditur publikut të vërtetën e rrezikut shëndetësor të zbuluar, ai do i hapte atij vetë dhe qytetit një telash teje të madh.

Në mbrojtje instiktive të famës të qendrës balneare ai vuri në dyshim saktësinë laboratorike dhe hodhi poshtë propozimin sipas tij absurd të vëllait për mbylljen e qendrës balneare, deri në zëvendësimin e tubacioneve si kushte që ajo të rihapej.

Kryebashkiaku këto i quajti utopi teknokratiko-mjekësore të egocentrizmit profesional të të vëllait, i cili me papjekuri politike e sociale do u shkaktonte banorëve me të vërtetën e zbuluar dëm shumë të madh ekonomik. Peter Stocmani kishte arsye për kundërshtimin e “belasë” apo “shejtanit” që i vëllai mjek donte ta nxirrte nga shishja. Shejtani qe e vërteta e helmit në ujërat termale. Po të merrej vesh kjo, përveç panikut do krijohej një dëm ekonomik prej njollosjes së famës dhe prestigjit të qendrës balneare, trembjes, largimit e pakësimit të klientëve dhe turistëve pra një pakësim dramatik i të ardhurave të deritanishme të qytetit.

Rikonstruksioni rrënjësor përbënte gjithashtu një shpenzim kolosal të pa planifikuar dhe të padisponueshëm. Shpenzimet për këtë si edhe deficiti financiar që do krijohej nga mbyllja e llixhës dhe pakësimi i klientelës do binin në kurriz të mirëqenies ekonomike të qytetarëve. Për t’i kompensuar ato, do duhej të rriteshin taksat, pra do cënoheshin interesat e banorëve, por edhe ato të kredibilitetit dhe popullaritetit elektoral personal të tij në zgjedhjet e ardhshme.

Një duel i paevitueshëm

Ndeshja e moralit profesional mjekësor me moralin pragmatist qeverisës përbën në thelb një duel universal që e ka shoqëruar kudo e kurdo shëndetësinë në misionin e vështirë shkencor, human e idealistik të saj.

Në dramën e Ibsenit morali mjekësor i mbrojtjes në çdo rrethanë të shëndetit dhe jetës së banorëve prej një rreziku flagrant e të vërtetuar shkencërisht përballet me moralin, logjikën dhe pragmatizmin politik qeverisës, që ndjen për detyrë të mbrojë në këtë rast interesat sociale, ekonomike e financiare të të njëjtës popullate. Përplasen “e drejta me interesat” dhe ”shëndeti me paranë“.

Në jetë, kjo përballje zhvillohet në të gjitha nivelet e sistemeve shëndetësore dhe shoqërore, në instancat vendimmarrëse të larta dhe në ato institucionale klinike dhe akademike. Arbitri në këtë “duel moral“ mes profesionistëve të mjekësisë dhe qeveritarëve do duhet të ishin pikërisht ata në emër të të cilëve debatojnë dhe avokatojnë mbi principe morale të ndryshëm të dy palët: ata duhet të ishin vetë qytetarët.

Nëse qytetarët nuk e kryejnë këtë rol sepse janë të përjashtuar, të nënvleftësuar, të manipuluar ose për shkak të mangësive kulturore, shëndetësore të tyre qëndrojnë indiferent, atëherë është thuajse e sigurt që fituese rezulton thuajse gjithmonë pala qeveritare pushtetare mbi atë profesionale mjekësore. Edhe pse kjo dramë është shkruar më shumë se 130 vjet më parë ky duel moral vazhdon ende thuajse i pa ndryshuar. Pushteti qeverisës është i favorizuar dhe më imponues ndaj etikës dhe “pushtetit“ profesional mjekësor. Logjika justifikuese që ai përdor është “Kosto-eficienca”. Përjashtim bëjnë vetëm vendet me demokraci solide të konsoliduar që sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie publike për qytetarët, të cilët falë të drejtave të legjitimuara të tyre janë partner aktiv të fuqishëm.

Vëllezër jo në moral

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe mes dy vëllezërve Stocman. Bashkiaku i mbështetur edhe nga gazetarët bëri për vete banorët, madje edhe gruan e Thomasit kundër tij. Ai e bllokoi raportin e të vëllait si një bombë që do hidhte në erë mirëqenien e do të krijonte katastrofë ekonomike për qytetin por edhe për familjen e mjekut madje edhe të atij vetë personalisht. Qeveritari përdori të gjitha taktikat e postit përkundër moralit mjekësor të të vëllait.

Së pari, dredhinë: Tentoi ta paraqiste problemin jo ngushtësisht shëndetësor, ku i vëllai qe ekspert, por në një spektër të gjerë ekonomik, social, psikologjik, elektoral dhe politik, të cilat ishin përgjegjësi dhe ekspertizë e atij vetë si kryebashkiak. Në këtë kontekst pika e nxehtë e debatit spostohej nga rreziku shëndetësor tek rreziku ekonomik.

“Kriza” apo situata e vështirë ekonomike- pati thënë Artur Mileri, i cili pati krijuar një version të ri të kësaj drame –janë alibia dhe arma efikase e pushtetarëve për të përligjur shkelje të moralit dhe të drejtave të qytetarëve, si edhe për tu mbyllur gojën idealistëve”.

Logjika qeveritare përballë logjikës mjekësore

Si qeveritar i qytetit, Peter Stocmani ndjehej përgjegjës vetëm brenda territorit për banorët e tij. Meqë klientët e banjës ishin kryesisht jo vendas, por të ardhur, rreziku shëndetësor për vendasit sipas logjikës së tij ishte minimal. Por, mjeku përkundrazi, përgjegjësinë morale e ndjen universale e pa kufij: mbrojtjen shëndetësore të të gjithë njerëzve kushdo qofshin (Të ardhurit, a nuk janë edhe ata njerëz?).

Atëherë, kryebashkiaku propozoi një kompromis pragmatik të tipit: “mishi të piqet dhe helli të mos digjet”; ndërrimi i tubave të mos bëhej menjëherë por me faza, çka evitonte mbylljen qoftë dhe afat shkurtër të llixhës (Mirëpo, deri në përfundimin e plotë të riparimit a nuk do liheshin me ndërgjegje një numër klientësh të ekspozuar ndaj helmit dëmtues shëndetësor? (A nuk ishin edhe këta njerëz?) Mjeku rezistoi në të tijën. Qeveritari së fundi provoi shantazhin me pasojat ekonomike që do pësonte i vëllai dhe familja e tij; e shoqja që punonte në institucion publik do të humbiste punën, kurse ai vetë Dr. Thomasi, si anëtar i bordit të qendrës balneare, do përjashtohej nga ky post për indisiplinim administrativ e mosbindje ndaj vendimit të eprorit, pra të kryebashkiakut.

PlayMakers Repertory Company production of An Enemy of the People.
CREDIT: Jon Gardiner

Armik pa armiqësi

Për fat të keq të mjekut edhe banorëve të qytetit, që ai i po i mbronte shëndetërisht, u bënë solidar me kryebashkiakun kundër tij.

Kjo nuk është për tu çuditur. Ka ekzistuar gjithmonë një defekt, një bllokadë në “receptorët” e vendimmarrësve dhe të vetë popullatës, që i pengon ata për të ndjerë dhe për të reaguar në masën dhe kohën e duhur ndaj rreziqeve shëndetësore të evidentuara shkencërisht. Kjo rezistencë paradoksale me natyrë kulturore, psikologjike apo enigmatike mund të quhet “shkelm i pandërgjegjshëm ndaj të mirës”.

Mospranimi apo nënvleftësimi i rreziqeve të tilla, nga ana e qeveritarëve apo vendimmarrësve, mospranimi i sëmundjeve edhe kur ato zbulohen e diagnostikohen, dhe mosvlerësimi e moszbatimi më pas i masave të duhura kundër tyre edhe kur ato janë të disponueshme nga ana e të sëmurëve haset gjerësisht tek ne, por dhe në botë. Ato përbëjnë shkakun më të shpeshtë të disa prej dështimeve të mjekësisë në misionin e saj, sidomos kundër sëmundjeve kronike.

Mospranimi apo kundërshtimi naiv i tillë përbën edhe shkakun e barrës së rëndë jetësore e financiare që përballojnë më pas ata, duke paguar shumë më tepër për to.

Duke vlerësuar të vërtetën që zbuloi Thomas Stocmani si më të rrezikshme për ta, banorët me në krye bashkiakun e shpallën atë “Armik të tyre” dhe i kërkuan atij të largohej nga qyteti.

Principe dhe presione

Por mjeku Thomas Stocman nuk u largua. Vendosi të qëndrojë i vetem përkundër të gjithëve sepse zotëronte diçka që të gjithëve të tjerëve u mungonte. Dhe kjo ishte e drejta.

Ai i mbeti besnik moralit dhe idealizmi të tij profesional. Jo për kokëfortësi. As për sedër. Po thjesht për princip. Ekzaktësisht të njëjtin princip do mbronte gati 100 vjet pas kësaj drame mjeku Norman Levinski në artikullin “The doctor’s master”: “Detyra e mjekut- shkruan aty ai- është të bëjë më të dobishmen për shëndetin e njerëzve, pavarësisht kostos. Ata duhet të veprojnë në çdo rrethanë-vetem si avokatë të interesit të pacientëve qoftë edhe kur kjo konsiderohet kundra interesave të shoqërisë në tërësi”.

Edhe pse e akuzuan si idealist, naiv, madje edhe pa moral Dr. Thomas asnjëherë nuk e ndjeu veten të tillë. Katerina, e shoqja e tij, ia shpjegoi se qe e kotë të insistonte në moralin mjekësor përderisa ai qe i pafuqishëm ndaj pushtetit të të vëllait, i pafuqishëm ndaj qytetit dhe banorëve, pra kauza e tij ishte e humbur me siguri.

“Ç’ rëndësi ka, që ke të drejtën në anën tënde– i tha ajo -kur nuk ke mundësi ta zbatosh dot?”. A është morale që për një të drejtë që beson dhe mbron të mos kryesh as obligimin si prind dhe bashkëshort ndaj mirëqenies së familjes tënde?

Njeriu më i fortë në botë

E drejta e Dr. Stocmanit ishte vetëm ajo që i jepte morali i tij si mjek. “Njeriu që ka me vete të drejtën – besonte ai – është më i forti në botë”.

Rreziku helmues i ujërave termale nuk ishte imagjinar. Ishte i vërtetuar shkencërisht. Detyra e tij, si mjek, ishte mbrojtja e shëndetit të njerëzve. Duke kryer me ndershmëri këtë, ai ndjente se po i mbronte ata më mirë se të tjerët përfshi edhe kryebashkiakun, qoftë edhe në interesat ekonomike të tyre. Sepse, helmi në ujërat termale qe bombë që do plaste shpejt një ditë, por me dëme shumë herë më të mëdha.

Edhe si bashkëshort, dhe prind ai e mirëkuptonte Katerinën. Por gjithmonë brenda principeve dhe moralit njerëzor, qytetar dhe profesional. “A nuk është detyra e parë prindërore –tha ai- ti bëjmë fëmijët të ndershëm dhe të aftë të jetojnë, bazuar në principe të shëndosha morale?”

Ikonë e duhur sot

Thomas Stocman, si personazh, është ikonë e moralit mjekësor. Ai vlen jo për ta hyjnizuar, por për të inspiruar besnikërinë e palëkundur ndaj principeve morale të profesionit mjekësor, qoftë edhe në rrethana, kur padrejtësisht mund t’i kesh të gjithë kundër.

Për mjekësinë tonë të sotme aq të përfolur për krizën etike besoj mund të vlente si dritë jeshile e rrugëdaljes nga presionet e tregut të lirë, konkurrencës, nevojave materialiste e financiare, joshjeve mercenarizuese nga kompanitë dhe bizneset e barnave e të teknologjisë mjekësore si edhe prej tundimit të moralit të tyre profesional nga vendimmarrësit prej të cilëve ata varen.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Si u ngatërrua çlirimi, me lirinë individuale dhe atë të vendit”

“Zogu merrte ajkën…” Qëndrimi i Isuf Kalos për Mbretin Zog

"Nuk është personazh në librat e mi..."

Miqësia e ngushtë me Sali Berishën, flet Isuf Kalo


“Dyshojmë se ka gisht edhe vjehrra”

Misteri rreth vr*sjes së Alba Cenkos

“Do të realizojmë 90% të tenderave me Inteligjencë Artificiale”

Rama: Jemi të parët në rajon për Prokurimet Publike

“Ambicia jonë, të prodhojmë edhe paratë në vend”

Rama: Sektori ku në teknologjinë e digjitalizim jemi mbrapa…

“Në Kosovë ka një acarim për disa iniciativa të panevojshme”

Gërvalla tregon pse janë ftohur raportet Tiranë-Prishtinë