Para se të bëheshin zgjedhjet kam parashikuar se do i fitonte Albin Kurti si dhe do të bëhej gjithçka që ai të mos bëhej kryeministër.
Në fakt të dyja i kam parashikuar saktë.
Dështimi i negociatave mes VV dhe LDK pritej, sepse këto dy parti politike nuk kanë asnjë lidhje së bashku.
VV është themeluar si subjekt politik për të qeverisur e vetme e nëse nuk ja del dot të qeveris e vetme, ajo rrezikon ekzistencën e saj.
VV ka shansin e fundit të sa për të treguar se bën për qeverisje dhe se justifikon qëllimin final për të arritur pushtetin. Çdo parti politike ka synim pushtetin qoftë si forcë politike, por edhe si mundësi për të implentuar programin dhe politikën e saj në një sistem konkret qeverisje. Një parti që bën vetëm filozofi, protesta dhe nuk merr kurrë pushtetin, ajo është e destinuar të shuhet!
Rritja e AAK dhe pse nuk doli si pritej, në fakt e ka dëmtuar VV për të qenë subjekt që mund të fitonte e vetme zgjedhjet. Haradinaj me stilin e tij të drejtëpërdrejtë e pragmatist e ka dëmtuar Kurtin dhe VV! Deri tani Kurti është parë patriot vetëm me filozofi e politikë e ndërsa Haradinaj e ka treguar edhe në kohë lufte në vijën e parë të frontit, por edhe si politikanë e burrë shteti në qeverisje!
Për hir të vërtetës AAK në disa kauza ja ka kaluar VV dhe mandje ka treguar se është në gjendje edhe t’i implimentoj në nivel qeveritar.
VV ka ardhur si një lëvizje politike anti establishment dhe anti-politik. Ajo është themeluar si një domosdoshmëri e re kundër të vjetrës. Në këto rrethana, por edhe për temat që ajo cek është e detyruar të qeveris e vetme ose të mbetetet në opozitë deri në zhdukje.
Dëshira dhe halli i VV për të bërë koalicion me LDK, apo negociatat e vazhdueshme e deri diku të fshehta e kanë dëmtuar seriozisht VV.
Të mendohet koalicioni mes VV e LDK është njëlloj sikur Sali Berisha të pranonte e të hynte në bisedime me Ramiz Alinë e PPSH për të qeverisur së bashku. Kush është risia që mund të ndodh nëse VV qeveris me LDK e cila ka qeverisur me PDK? Mendoj se s’ka asnjë risi! Kurti ka akuzuar Haradinaj se ai ka qenë minorancë në qeveri dhe ka qenë i pafuqishëm për vendime të rëndësishme! Dakord! Po Kurti sa fuqi do të ketë në lidhje me temat ekskluzive të VV duke bashkëqeverisur me LDK e cila mendon e vepron krejt ndryshe?!
Bisedimet e insistimet e vazhdueshme të Kurtit për të qeverisur thuajse me çdo kusht me Isa Mustafen dhe LDK e kanë dëmtuar imazhin e VV duke krijuar bindjen se kjo e fundit ashtu si të gjitha partitë e tjera të Kosovës e ka shumë merak pushtetin!
LDK si një parti që sot s’ka asnjë lidhje me LDK e Rugovës qoftë për elementët politik që ka brenda saj, por edhe për linjën politike, është kthyer një parti që qeveris sa majtas e djathtas me qëllim të vetëm pushtetin.
Në thelb kjo parti ka problem serioz rinovimin e elitave duke preferuar më së shumti riciklimin e saj.
Vendosja e Vjosës si kandidatë, në fakt ishte vetëm një fasadë dhe një mashtrim për të siguruar vota duke u prezantuar si një parti e moderuar dhe e rinovuar.
Ngjarjet pas zgjedhjeve duke përfshirë dhe tratativat e bashkëqeverisjes me VV dëshmuan se aty vendos e komandon vetëm Isa Mustafa, i cili ka marrë zero preferenca elektorale duke qenë se votat janë marrë në emër të Vjosës si kandidatë për Kryeministre.
Bisedimet e vazhdueshme e kanë dëmtuar shumë Kurtin. Kurti ka dy mundësi në situatën aktuale:
– të pranoj çdo kusht nga LDK e të marr pushtet duke garantuar arsyen përse të ketë mbështetës politik;
– të tërhiqet dhe të rrezikoj zhdukjen e VV;
Kurti pranoj të bënte transformim të menjëhershëm të qëndrimeve të tij në lidhje me qeverisjen me të filluar bisedimet me LDK duke hequr nga linja e parë edhe pretendimin e Bashkimit Kombëtar. Kjo u prezantuar si dëshmi se Kurti ka filluar të dashuroj më shumë pushtetin se kauzat.
Pra, që pas zgjedhjeve Kurti është parë dhe interpretuar gjithnjë e më shumë si njeri I pushtetit se sa njeriu i kauzave të mëdha e kundër pushtetit.
Tani edhe nëse nuk hyn në qeverisje e Kosova shkon përsëri në zgjedhje, qytetarët do të jenë në dilemë se me cilin Kurt kanë të bëjnë:
– Kurtin e idealeve dhe kauzave?
-Kurtin që ka nevojë e don me çdo kusht pushtetin?