MENU
klinika

Ç'do të ndodhë me presidentin amerikan?

Hetimet për shkarkimin/ Cilat janë fazat e ardhshme?

16.12.2019 - 20:11

Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë të mërkurën për ta bartur në Senat procesin e hetimeve për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump, pas tre muajve të hetimeve për marrëveshjet e presidentit në Ukrainë dhe nëse sjellja e tij mund të cilësohet si shkelje e rëndë dhe keqbërje.

Komiteti i Gjyqësor i Dhomës së Përfaqësuesve ka miratuar të premten dy artikujt në hetimet kundër Trumpit: abuzim me pushtetin dhe pengim i punës së Kongresit.

Ky votim ka ardhur pas një debati dyditor, në të cilin demokratët kanë thënë se është detyra e tyre të kryejnë hetime për shkarkim derisa republikanët kanë mbrojtur presidentin që vjen nga partia e tyre.

Artikujt akuzojnë Trumpin se ka abuzuar me pushtetin dhe ka tradhtuar kombin, kur i ka kërkuar Ukrainës të hetojë rivalin e tij politik, Joe Biden, dhe ta kushtëzojë këtë gjë me ndihmë ushtarake në vlerë të miliona dollarëve për këtë shtet aleat, duke përfshirë edhe vizitën e presidentit ukraianas, Volodomyr Zelenskiy në Shtëpinë e Bardhë.

Hapat e ardhshëm në hetimet për shkarkim të Trumpit:

Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve

Liderët e Dhomës së Përfaqësuesve janë duke u përgatitur për votimin përfundimtar, në mënyrë të procesi të vazhdojë në Senat para pushimeve të fundvitit.

Miratimi i artikujve në këtë trup do të nënkuptonte që procesi i gjykimit kundër Trumpit do të zhvillohej në Senat më 2020.

Miratimi i artikujve kundër Trumpit javën e kaluar është zhvilluar sikur secili proces tjetër dhe e njëjta situatë pritet të përsëritet edhe të mërkurën.

Deri më tani asnjë republikan nuk ka dhënë shenja se do të votojë në të mirë të artikujve për shkarkim, ndërkohë që disa demokratë kanë thënë se mund t’iu bashkohen republikanëve duke votuar po ashtu kundër akuzave.

Menaxherët e procesit të hetimeve për shkarkim

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi pritet të emërojë këtë javë disa anëtarë që do ta prezantojnë rastin e demokratëve në gjyqin e Senatit.

Ende nuk është bërë e qartë se kush do të jenë këta të ashtuquajtur menaxherë, mirëpo ata pritet të jenë anëtarë të Komiteteve të Gjyqësorit dhe Inteligjencës, që kanë udhëhequr këtë proces nga fillimi.

Pelosi nuk ka përmendur deri më tani emra, ndërkohë që ka zëra që thonë se numri i menaxherëve do të jetë më i vogël se 13, sa kanë qenë në procesin e hetimeve për shkarkim të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton më 1998.

Gjykimi në Senat

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve miraton akuzat, siç edhe pritet, procesi do të kalojë në Senat, në të cilin senatorët janë pjesë e jurisë dhe menaxherët e hetimeve do të veprojnë si prokurorë.

Shefi për drejtësi i Shteteve të Bashkuara, John Roberts, do ta udhëheqë procesin.

Nëse Senati miraton artikujt për shkarkim me dy të drejtat e votave, duke e shpallur presidentin “fajtor”, Trump dënohet dhe largohet nga zyra.

Nëse artikujt kundërshtohen, siç edhe pritet të ndodhë, presidenti lirohet nga akuzat.

Ende nuk është bërë e qartë sa gjatë do të zgjasë apo si do të organizohet ky proces.

Të dielën, lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer ka propozuar që në këtë proces të ftohen katër dëshmitarë, ish-Këshilltari për Siguri Kombëtare, John Bolton, ushtruesi i detyrës së shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë, Mick Mulvaney, ndihmësi i tij, Robert Blair, dhe zyrtari për buxhet, Michael Duffey.

Schumer ka propozuar që gjykimi të fillojë më 6 janar dhe të lejojë prezantimin e 126 orëve të dëshmive, deklaratave dhe pyetjeve, që i bie se gjykimi mund të vazhdojë më shumë se tri javë.

Lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell nuk ka komentuar propozimin e Schumerit të dielën.

Së fundmi ai ka lënë të kuptohet se preferon një proces të shpejtë, pa dhënë referenca kohore, mirëpo edhe ka treguar shenja se do të ndjekë dëshirën e Shtëpisë së Bardhë.

Hetimet kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Një informatori është ankuar duke pretenduar se Trump “ka përdorur pozitën e tij për të kërkuar ndihmë nga një shtet i huaj”, në prag të procesit zgjedhor për një mandat tjetër presidencial.

Trump e ka konsideruar hetimin për shkarkim si “mashtrim” mirëpo e ka pranuar se “i ka vështirësuar punën”.

Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.

Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi./ Radio Evropa e Lirë/

Pse lëvizja mund të rrisë tensionet mes dy vendeve

SHBA zhvendos sistemin raketor Typhon pranë Kinës

Gratë snajperiste poshtëruan iranianët

Kush fshihet pas Kupolës së Hekurt?

Pse “dragoi” ka në dorë rrjedhën e luftës?

Rusia mund të tërhiqet nga Ukraina, falë Kinës

Teherani kërcënon me një armë të re

Hakmarrja e Izraelit ndaj Iranit nuk do të vonojë

Franca dhe Gjermania dalin jashtë loje

Veriu i Evropës merr në dorë “frenat” e NATO-s