MENU
klinika

Penalltitë vendimtare të legjendës

Historia e Buffon përmes…11 metrave

26.12.2019 - 21:24

Të tregosh karrierën e Gianluigi Buffon nuk mjafton një libër e jo më një artikull. Megjithatë, në këtë artikull do të përmendim vetëm penalltitë vendimtare të tij, herë të hidhura, herë të gëzuara.

Penalltia e parë (e hidhur)

Karriera si futbollist do t’i jepte gëzim dhe dhimbje që në fillim. Është 1 dhjetori 1996. Buffon është 19 vjeç, por tashmë ka fituar portën e Parmës.

Oliver Bierhoff, sulmuesi i Udineses, që disa muaj më parë kishte spikatur në Kampionatin Europian, niset dhe godet nga pika e bardhë. Buffon zhytet në të djathtën e portës së tij dhe pret topin.

Ai neutralizoi kështu penalltinë e parë në Serie A. Është për të ardhur keq, pasi topi i shpëtoi nga duart dhe mbeti aty, në qendër të zonës. Bierhoff nxiton dhe shënon nga afër. Penalltia e parë mund të quhet e pritur, edhe pse me shije të hidhur.

Kundër galaktikëve

Ndeshja e dytë gjysmënale e Champions League u luajt në “Delle Alpi” të Torinos, më 14 maj 2003. Në Madrid, në ndeshjen e parë, Reali ishte imponuar me rezultatin 2-1.

Juventus e nisi fort dhe në fund të pjesës së parë ishte dy gola përpara. Finalja është më afër. Në minutën e 66-të, megjithatë, një penallti mund t’i komplikonte gjërat.

Nga pika e bardhë godet Luis Figo, një nga ata lojtarë me “gjak të ngrirë”; një nga ata që e ngadalëson hapin për të çekuilibruar portierin.

Buffon zgjedh edhe një herë të djathtën e portës së tij për t’u hedhur, siç bëri herën e parë kundër Bierhoff, dhe pret në dy khë. Por, këtë herë, askush nuk është i gatshëm t’i përgjigjej topit të pazotëruar mirë në fillim. Juventus fluturon për në Manchester, një tjetër fazë karriere, që kalon nga… 11 metra.

Champions në sytë e Shevchenkos

Për herë të parë, edhe para fillimit të ndeshjes, ekzistonte siguria se një skuadër italiane do ta fitonte Champions-in: Juventusi, ose Milani. Dhe shkohet te penalltitë.

Ky serial dallohet nga shumë gabime. Buffon pret dy penallti, të goditura nga Seedorf dhe Kaladze, por nuk mjafton. Simbolet e dyta të finales janë ato që i paraprijnë penalltisë së fundit.

Andriy Shevchenko hedh vështrimin e tij, shikon nga gjyqtari dhe pastaj nga Buffon; përsëri te gjyqtari dhe përsëri nga Buffon. Hedh disa hapa dhe godet topin, duke e mashtruar portierin bardhezi.

Skuadra italiane, që e merr në shtëpi “kupën veshëgjatë” është Milani. Ndërkohë, kamerat ndjekin nga pas Shevchenko, që po feston. Buffon hyn në kornizë për një moment. Tashmë po rritet…

Koreja, një zhgënjim

Në tri Kupa Bote radhazi, penalltitë ishin fatale për kombëtaren italiane: ‘90, ‘94 dhe ‘98. Në vitin 2002, për herë të parë, Buffon e luan Botërorin si startues, teksa Koreja e Jugut është kundërshtari në 16-she.

Në minutën e 4-t, penallti ndaj Italisë. Buffon shtrihet në të djathtë dhe pret, por janë gafat e gjyqtarit Byron Moreno dhe Ahn që i dërgojnë axurrët në shtëpi.

“La Gazzetta dello Sport” raportoi performancën e portierit: “Ai duhej të bënte vetëm dy pritje shpëtimtare, të cilat ishin të jashtëzakonshme. Si portier i shkëlqyer ai na kishte lejuar të bënim një gjysmë ndeshjeje të mirë, pa handikapin e një goli të menjëhershëm”.

Berlini, finalja më e ëmbël

“Gjermani 2006”. Mbrojtja e Italisë është e blinduar. Ajo shfaqet në finale duke pësuar vetëm një gol. Në minutën e 7-të historia përsëritet: një penallti tjetër.

Zinédine Zidane imiton Tottin me një lloj “luge”, topi godet traversën e portës së Buffon dhe e kalon vijën e bardhë disa centimetra. Pas barazimit nga Marco Materazzi, Italia do të luajë një tjetër Kampionat Botëror 11-metrash, si në vitin 1994.

Vetë Buffon do të luajë një tjetër finale penalltish, si në Manchester, tri vite më parë. Përballë ka sulmuesin francez, të cilin e kishte shok skuadre më 2003; David Trezeguet.

Goditja e fortë e tij trondit traun e portës dhe përplaset te vija e bardhë, por kësaj radhe disa centimetra këtej. Është gabimi vendimtar. Italia është kampione e botës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN