MENU
klinika

Legjenda e Brazilit

Historia e Socrates, vdiq ashtu siç donte

17.12.2019 - 21:00

Dhjetorin e vitit 2011 u nda nga jeta një nga legjendat e futbollit brazilian dhe atij botëror, Socrates. “Socrates është futbollisti më i zgjuar që kam parë në historinë e futbollit brazilian” – do të deklaronte Pele!

“Dua të vdes një ditë të diele, dua të vdes me Corinthians-in kampion!”. Kështu pat thënë Socrates dhe Zoti e mori pikërisht në të tilla kushte, por në moshë të re, 57 vjec.

Le të kthehemi pak në kohë…Brazili i viteve ’80 kishte një regjim diktatorial shtypës, por lulëzoi “Demokracia” Corinthiane. Klubi në fjalë vendosi që çdo vendim do të merrej me votim dhe zgjedhje brenda dhomave të zhveshjes.

Të gjithë merrnin pjesë: presidenti, drejtuesit, futbollistët titullarë dhe rezervat, masazhatorët, ndihmësit dhe mjekët. U duk si një eksperiment që nuk do të funksiononte, por ia doli të merrte frymë duke dalë në sipërfaqe.

Fjalia kult u kthye “fitore ose humbje, por gjithmonë me demokraci!”. Oraret e stërvitjes, strategjia e merkatos, formacioni titullar. Gjithçka e vendosur me zgjedhje të përbashkët dhe zërin në unison.

Madje, edhe në fanella fjala “demokraci” ishte logo kryesore! Lideri i kësaj lëvizje që befasoi Brazilin quhej Sócrates Brasileiro Sampaio de Souza Vieira de Oliveira.

Kishte emrin e një filozofi (Socrates) dhe dhembshurinë e humanizmin e një mjeku: jo më kot do të bëhej mjek pasi të varte këpucët në gozhdë!

Një idealist i jashtëzakonshëm, ashtu si edhe mënyra për të praktikuar këtë sport ishte e jashtëzakonshme. Shënoi plot 172 gola në rreth 308 ndeshje me Corinthias. U tërhoq në vitin 1988 dhe nisi karrierën si mjek në Ribeirao Preto.

Vdiq në 4 dhjetor 2011, pra 8 vite më parë! Ishte e dielë dhe atë ditë, Corinthias u shpall kampion, duke ngritur grushtin lart në nderim të tij, liderit të demokracisë!