MENU
klinika

"Shpirti aristokrat"

Hygo apo Stendal: kush e mishëron gjeninë franceze?

23.12.2019 - 16:21

      Çdo komb ka të paktën një shkrimtar, ndikimi i të cilit është i pamohueshëm në letërsinë botërore. Régis Debray, në esenë e titulluar: “Gjenia franceze”, vlerëson meritat respektive të Stendalit dhe Viktor Hygosë, finalistët e një takimi të anëtarëve të SGDL (Shoqëria e Njerëzve të Letrave), për të nxjerrë në pah se cili do ta mishëronte më së miri “shpirtin francez”. Njëri është “masë mesatare”, tjetri është ekstra i madh. Njëri flet për “unë”, tjetri flet për të gjithë.  Société des Gens de Lettres (SGDL) vendosi që Stendali të përfaqësonte Francën në panairin botëror 2020, megjithëse Régis Debray, nga ana e tij, do të kishte zgjedhur Viktor Hygonë./Konica.al

Sipas tij, më shumë se një ideologji, Stendali mishëron një temperament që shekulli ynë e ka përvetësuar pa e kuptuar. Stili i tij paralajmërues dhe i freskët, me një ritëm të shpejtë, i përshtatet në mënyrë të përsosur karakterit të personazheve të tij. Zhyljen Sorel, Lysjen Leuwen dhe Fabrisë del Dongo janë “të ëmbël, të rinj dhe të bukur”, elegantë, ambiciozë, provokues, të shkujdesur dhe joshës. Ata përfaqësojnë aspektet e ndryshme të “self-made superman”, duke përdorur një neologjizëm të autorit, i cili për kohën pëlqehet më shumë se ç’e pezmatonte atë dikur. Nuk është për t’u habitur pse presidenti i republikës, Emanuel Makroni, zgjodhi të pozonte bri romanit “E kuqja dhe e zeza” në portretin e tij zyrtar. Stendal, njohës i shkëlqyer i Italisë, përdorues i parakohshëm uikipedian (“Shëtitje në Romë”, një kryevepër e erudicionit), thuajse shpiku konceptin e kulturës së përgjithshme dhe importoi termin “happy few” për të karakterizuar njëfarë fisnikërie të shpirtit. Në thelb, personazhi i Stendalit është erudit dhe snob, etimologjia e së cilës “sine nobilitate” (“pa fisnikëri”) përkufizon: “Kush ka ambicien të pranohet nga qarqet e shquara të shoqërisë dhe imiton shenjat”.

Viktor Hygo është tjetër gjë. “Verb i lartë, popull i idealizuar, përshkrime të mrekullueshme” mund të ishte slogani i një vepre që synon përflakjen. Ai “përforcon dozën”, ekzagjeron, nuk asgjëson kurrë, si dhe nuk i lejon monarkët të vërtiten rrotull nëpër Evropë. Ai është gjithandej. Poet, romancier, dramaturg, ai bëhet zëdhënësi i vegjëlisë dhe fatkeqëve, duke luftuar kundër punës së fëmijëve, skllavërisë, dënimit me vdekje, tmerrit të të dënuarve… E gjejmë në të gjitha frontet.

 

“Ka nga ata të pagjumë që klithmat e dhimbjes së të gjallëve dhe hija akuzuese e të masakruarve i zgjon në mes të natës”, – shprehet Régis Debray. Hygo ishte një prej tyre. Akademik dhe politikan, ai u kritikua për zmbrapsjet e tij politike atëherë kur ky evolucion shprehte përkundrazi dëshirën për t’u pajtuar me idealet e tij, të cilat nuk ndryshonin. Për një kohë të gjatë puna e Hygoit është nënvlerësuar nga qarqe të caktuara. Stendali ishte më i “zgjuar”. Hygoi u kritikua për stilin tepër lirik, tepër epik, tepër i ekzagjeruar, intriga të mbushura me ndjenja të mira, ton tepër atëror, frymëzim shumë populist. Shumë gjëra. Një mburojë e tejmbushur. Mirëpo Viktor Hygo është absolutisht kolos në tepricën e tij, në vullnetin e tij të përhershëm për të arritur sublimen pa u frikësuar të kufizohet me qesharaken. “Gjysmë Moisi, gjysmë Santa Klaus”, profet bujar, ai shpërndan pa kursyer dhurata dhe i vendos ato në shërbim të kauzave fisnike./Konica.al

Shembull i përkryer mbetet “Të Mjerët”, një kryevepër që na shtyn drejt bamirësisë, një roman që zgjon anën tonë më të mirë, një histori tërheqëse. Hygo merr “devocione të befta” prej nesh duke “tërhequr imagjinatën tonë”. Puna e tij është e bukur, por edhe e dobishme, e mirë, e domosdoshme, kjo është edhe arsyeja se pse është kaq e shkëlqyer. Vepra e Viktor Hygosë shtillet në det të hapur ose laget nga spërkat kur gjendet rrëzë shkëmbinjve, çka i jep atij “frymën e jashtëzakonshme të detit”, ndërsa Stendali qëndron në port dhe mbi të gjitha nuk dëshiron t’i qullen këmbët. Hygo është i interesuar për të tjerët, është i apasionuar pas tyre, ndërsa Stendali është i apasionuar pas vetes, është bujaria e pakufishme e Monsinjor Myrielit përballë individualizmit të Zhylien Sorelit. Aty ku Hygo kërkon të shërbejë, personazhet e Stendalit shërbejnë, preferojnë dhe tregojnë historitë e tyre. Njëri është një “xhevahir kulture”, i ftohtë dhe i prerë mirë si një diamant, tjetri një forcë e natyrës që merr flakë në çdo kohë. Stendalit i pëlqen të flasë vetëm për trillet e zemrës, Hygo kërkon ta hapë atë për të gjithë ata që takon. Kuptojmë se autori ka kaluar përfundimisht në anën e Kozetës, Ruy Blas, Claude Gueux dhe Kuazimodos. “Unë vij nga një botë ku mbretëria e Viktor Hygosë nuk vihej në diskutim”, – thotë në hyrje. Në të vërtetë, në konkluzionin e tij: “Stendali, i dyti brilant, por Hygoi kryeson listën dhe zemrat tona” lë vend për një ftesë: Do të na duhet të përveshim mëngët.

Të vësh përballë Hygoin dhe Stendalin nuk është pa interes. Nga njëra anë, gjeniu Hygo, i aftë për të përqafuar mbarë historinë, për të folur për të gjithë zërat, për të shkruar në të gjitha zhanret: artileri e rëndë. Nga ana tjetër, gjeniu Stendal, që luante përreth, elitizëm dhe kryevepra të shkruara në pak ditë: kalorësi e lehtë. Dy vizione të letërsisë: një e mundimshme dhe e kudogjendur, tjetra lozonjare dhe e shkathët. Nga njëra anë, shumë djersë në shërbim të një frymëzimi të fuqishëm. Nga ana tjetër, shumë frymëzim për pak djersitje. Me pak fjalë, dy konceptime për artin e të shkruarit rrënjësisht të ndryshme./Konica.al

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit