Komiteti Gjyqësor i Dhomës së Përfaqësuesve ka miratuar dy akuzat kundër presidentit amerikan, Donald Trump, në kuadër të procesit të shkarkimit.
Tani, dokumenti kalon për votim në përbërjen e plotë të Dhomës së Përfaqësuesve.
Votimi pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme. Vota e komitetit ishte e ndarë në linja partiake, mes republikanëve dhe demokratëve. Udhëheqësit demokratë u kërkuan ligjvënësve të “thërrasin ndërgjegjen e tyre” para se të votojnë.
Donald Trump, është presidenti i katërt i SHBA-së që përballet me procesin e shkarkimit, shkruan Rel.
Ai përballet me dy akuza: për abuzim të pushtetit dhe për pengim të punës së Kongresit.
Presidenti Trump dyshohet se i ka kërkuar ndihmë homologut ukrainas, për të hetuar sfiduesin e tij të mundshëm në zgjedhjet e vitit 2020, Joe Biden.
Ai është akuzuar gjithashtu për pengimin e punës së Kongresit, pasi ligjëvënësit thonë se ai nuk ka bashkëpunuar në procesin e hetimit.
Trump e mohon çdo keqbërje, por kërkimi i ndihmës nga jashtë për të fituar zgjedhjet në SHBA, është akt i paligjshëm.
Republikanët kanë bërë përpjekje ta bllokojnë procesin, duke e cilësuar si sulm të paligjshëm mbi presidentin.