MENU
klinika

Institucionet

Kosova në krizë!

31.12.2019 - 10:08

Në rast se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, si dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, vonojnë edhe më shumë për të arritur një marrëveshje për koalicion qeverisës ose nuk e arrijnë fare, vendi rrezikon krizë institucionale, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike.

Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, thotë për Radion Evropa e Lirë që pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, më 26 dhjetor, vendi ende nuk ka një qeveri të re, ndërkohë që po hyn në vitin 2020 pa e miratuar buxhetin për këtë vit. Nisur nga kjo, sipas tij, tashmë Kosova po rrëshqet në krizë, jo vetëm institucionale.

“I bie që jemi në një krizë institucionale. Sidomos, kur flasim për mungesë të votimit të Ligjit për buxhet, vendi jo vetëm që mund të hyjë në krizë institucionale, por edhe në krizë të thellë financiare, në rast se nuk ka një mirëkuptim ndërmjet partive politike. Të paktën edhe nëse nuk mund të arrijnë që të krijojnë koalicionin qeverisës, të hyjnë dhe ta kalojnë buxhetin në Kuvendin që është tash. Edhe nëse vendi potencialisht mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, fillimisht të votohet Ligji për buxhet dhe të mos mbetet vendi pa buxhet”, u shpreh Demhasaj.

Demhasaj ka shtuar që, marrë parasysh që për momentin nuk ka as komunikim ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të paktën jo publikisht, atëherë, sipas tij, në rast se vazhdon ky trend, kriza institucionale është e pashmangshme dhe me mjaft rreziqe.

“Mund të jetë e rrezikshme, për faktin se nëse nuk ka ndonjë mirëkuptim prej partive politike, vendi mund të mbesë pa buxhet dhe mund të hyjë në një kolaps financiar. Prej marsit, punëtorët mund të mbesin pa paga dhe vetëm ato shërbimet emergjente mund të paguhen. E dyta, rrezikojmë që të hyjmë prapë në zgjedhje të parakohshme dhe mund të sillemi edhe disa muaj me ato zgjedhje dhe sërish mund të vijmë në një situatë të tillë çfarë jemi sot”, tha Demhasaj.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se me moskrijimin e qeverisë, vendi është duke rrezikuar të hyjë në një krizë institucionale, e cila do ta dëmtonte në shumë aspekte.

“Duhet të përmendet edhe rrezikimi i pozitës së Kosovës në anëtarësimin e saj në organizata të huaja. Pastaj, dobësimi i pozitës së saj diplomatike, rënia e njohjeve të pavarësisë, si dhe dobësimi i vazhdueshëm i pozitës së saj në procesin e dialogut me Serbinë. Ndërsa, në aspektin vendor, Kosova humb shumë, meqë e njëjta nuk mund të vazhdojë me reforma, të cilat tashmë i ka filluar në drejtësi, arsim e shëndetësi, pastaj, projektet në infrastrukturë dhe energji, e të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, mirëpo edhe në syrin e investitorëve të huaj”, vlerësoi Hoxha.

Hoxha ka shtuar se zgjedhjet e fundit janë cilësuar si më të mirat të mbajtura në Kosovë, por sipas saj, prolongimi i arritjes së një koalicioni për krijimin e qeverisë, do të ndikojë edhe në vullnetin e mëtutjeshëm politik të vet partive politike, por edhe të qytetarëve karshi partive politike.

Gjatë ditës së hënë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka takuar veç e veç, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, për t’u informuar lidhur me ecurinë mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshje të koalicioni qeverisës.

Ambasadat e vendeve perëndimore në Kosovë, që pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, kanë bërë thirrje për formimin e institucioneve. Thirrjet e tilla kanë vazhduar edhe për formimin e qeverisë, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Deri më tash, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar tri ftesa për takim konsultativ liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili konsiderohet si kandidati kryesor për kryeministër të Kosovës.

Në bazë të Kushtetutës, presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend, në këtë rast Vetëvendosjen.

Deri tashmë, Kurti ka refuzuar dy ftesat e para, ndërkaq, ftesës së tretë i është përgjigjur duke thënë se nuk do të mund të takohet më 31 dhjetor me presidentin dhe ka kërkuar që ky takim të mbahet më 6 janar./ Gazeta Express